Lëvizja e fundit e Gazprom shton frikën se Moska po fillon të reduktojë akoma më shumë furnizimet drejt Europës, si përgjigje ndaj sanksioneve.
Gjermania e ka sulmuar vendimin e Rusisë për të reduktuar eksportet e gazit në Europë, duke e konsideruar atë si një veprim “politik”, pasi Gazprom filloi të kufizojë furnizimet përmes një tubacioni kryesor, duke reduktuar gjithashtu edhe flukset drejt Italisë.
Robert Habeck, zëvendëskancelari i Gjermanisë, tha se vendimi i Gazprom për të kufizuar kapacitetet e furnizimit përmes gazsjellësit Nord Stream 1 këtë javë mund të shpjegohet vetëm si një vendim “politik”, pavarësisht pretendimeve nga kompania e mbështetur nga shteti rus se ajo po përballet me probleme teknike, të përkeqësuara akoma më shumë nga sanksionet e Europës dhe të Amerikës së Veriut.
Lëvizja e Gazprom ka shtuar frikën se Rusia po fillon me një reduktim të madh të furnizimeve të Europës me gaz, në përgjigje të sanksioneve të BE-së kundër ekonomisë së saj pas pushtimit të Ukrainës.
BE dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrë masa për të reduktuar varësinë e tyre nga gazi rus që nga fillimi i pushtimit, por vazhdojnë të mbeten të varura nga eksportet e tubacioneve të Gazprom në masën e rreth një të pestës të të gjitha furnizimeve të tyre, sipas ICIS, një firmë konsulence.
“Arsyeja e Rusisë për reduktimin e furnizimeve me gaz është thjesht një pretekst,” tha Habeck. “Strategjia e tyre është padyshim që të shqetësojnë njerëzit dhe që të rrisin çmimet.”
Të mërkurën, Gazprom tha se do të reduktonte kapacitetin në tubacionin NS1 me 60 për qind, një ditë pasi deklaroi një reduktim fillestar prej 40 për qind, duke ia vënë fajin kompanisë Siemens Energy të Gjermanisë, e cila kishte vonuar kthimin e një turbine për stacionin e pompimit nga mirëmbajtja.
Çmimet standarde europiane u rritën pas këtyre lajmeve me plot 22 përqind, duke shkuar në 118 € për megavat orë.
Kompania kryesore italiane e energjisë, Eni, tha të mërkurën se Gazprom kishte reduktuar edhe furnizimet drejt Italisë me 15 për qind, pa dhënë një shpjegim. Qeveria e Italisë nuk pranoi të komentojë.
Reduktimet e furnizimeve vijnë pasi kryeministri italian, Mario Draghi, po bëhet pjesë e planeve për të shoqëruar kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron në Ukrainë të enjten.
Gjatë këtij udhëtimi, liderët pritet të diskutojnë aplikimin e Kievit për t’iu bashkuar BE-së, si dhe ndihmën financiare dhe ushtarake për të përballuar sulmin ushtarak të Moskës në rajonin lindor të Donbasit dhe në rajonet bregdetare jugore. Draghi ka qenë një mbështetës i zëshëm i kërkesës së Ukrainës për anëtarësim në BE.
Italia është blerësi i dytë më i madh në Europë i gazit rus, pas Gjermanisë.
Analistët e gazit paralajmëruan se nëse reduktimi i furnizimeve nga Rusia vazhdon, atëherë Europa ka të ngjarë të përballet me çmime shumë më të larta gjatë dimrit. Çmimet e gazit në Europë janë rritur edhe vitin e kaluar, duke nxitur inflacionin dhe një krizë të kostos së jetesës për shumë vende.
“Zhvillimet e sotme do të përbëjnë një tronditje masive për çmimet e gazit, pasi Europa tani do ta ketë të vështirë që të rimbushë depot e saj përpara dimrit të ardhshëm, nëse reduktimet e furnizimeve zgjasin për një periudhë të gjatë kohore,” tha Tom Marzec-Manser nga ICIS. “Europa dhe Azia do të përpiqen gjithnjë e më shumë t’ia kalojnë njëra-tjetrës për furnizimet me gaz natyror të lëngshëm, duke rritur kështu çmimet në nivel global.”
Reduktimi fillestar i furnizimeve drejt Gjermanisë të martën përkoi me një paketë shpëtimi prej 10 miliardë eurosh të Gazprom Germania nga Berlini, filiali i Gazprom-it që efektivisht u shtetëzua në prill. Qeveria gjermane tha se ishte e nevojshme që ” të parandalonte vënien në rrezik të sigurisë energjetike të Gjermanisë”./ Financial Times