Rusia rrit me 38% bilancin e viktimave nga Covid-19 për vitin 2020

15/06/2021 11:14 AM 0 komente

Agjencia e statistikave të Rusisë, Rosstat, rriti me 38%, numrin e vdekjeve si pasojë e Covid-19 gjatë vitit të kaluar, çka tregon se bilanci i pandemisë ka qenë më i keq se sa ishte konfirmuar më parë.

Sipas një raporti të Rosstat të publikuar së fundmi, vitin e kaluar vdiqën rreth 144,691 persona si pasojë e koronavirusit, nga 104,826 që ishin raportuar më parë.

Të dhënat nuk përfshinin vdekjet e njerëzve që kishin Covid-19 por u raportuan se kishin vdekur nga shkaqe të tjera. Më parë, Rosstat raportoi 58,499 vdekje në atë kategori për vitin e kaluar, por një zëdhënës tha se disa prej tyre ishin zhvendosur në totalin e rishikuar të vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19. “Dobësimi i imunitetit tek njerëzit që kanë pasur koronavirus është një çështje shumë serioze”, tha Zv/Drejtori i Rosstat, Pavel Smelov, në një intervistë para se të dhënat të publikoheshin. “Shumë prej tyre pasi e kaluan Covid-19, përfunduan në spitale dhe vdiqën nga shkaqe krejtësisht të ndryshme, ku më të shpeshtat ishin problemet e qarkullimit të gjakut, goditjet në tru, diabeti, sëmundjet e frymëmarrjes dhe veshkave”.

Sipas të dhënave, kjo kategori njerëzish kishte më shumë mundësi që të vdiste nga një sërë problemesh shëndetësore sesa njerëzit që nuk u infektuan kurrë me Covid-19.

Vdekjet shtesë 

Mbi 340,000 më shumë rusë vdiqën në vitin 2020 në krahasim me të dhënat e një viti më parë. Rishikimi i fundit i të dhënave nuk e ndryshoi numrin e përgjithshëm të vdekjeve të raportuara për vitin e kaluar.

Në të dhënat për vitin 2021, mospërputhja midis numrit të vdekjeve të lidhura me Covid-19 dhe vdekjeve nga shkaqe të tjera është zhdukur krejtësisht. Në katër muajt e parë të këtij viti, Rosstat raportoi 77,943 vdekje të shkaktuara nga Covid-19.

Rritja në numrin e viktimave që janë shkaktuar nga koronavirusi ngre pikëpyetje në lidhje me pohimet zyrtare optimiste të Rusisë në drejtim të menaxhimit të pandemisë. Presidenti Vladimir Putin u tha 5,000 të pranishmëve në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut se Rusia mund të organizojë evente të tilla sepse “situata jonë është më e mirë se ajo në shumë vende të tjera”.

Më shumë infektime 

Rusia renditet e shtata në botë për numrin e vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19, por sipas të dhënave të fundit të Rosstat, të cilat janë publikuar së fundmi dhe që konsiderohen të sakta, ajo renditet e treta në botë pas SH.B.A-së dhe Brazilit. E megjithatë, të dhënat e reja nuk mendohet se do të ndikojnë në ndonjë ndryshim të mundshëm në politikën e Rusisë. Pas një bllokimi fillestar, autoritetet kryesisht shmangën masat ndaluese për të kufizuar pasojat ekonomike nga pandemia. Ndërsa vendet perëndimore kanë parë një rënie në numrin e infektimeve si pasojë e rritjes së vaksinimeve, numri i infektimeve në Rusi po rritet.

Numri i infektimeve ditore arriti në fillim të qershorit në nivelin më të lartë që nga muaji shkurt, ndërsa vetëm 12% e popullsisë është vaksinuar pavarësisht disponueshmërisë së gjerë të vaksinave. Në maj, numri i vdekjeve të përgjithshme shënoi një rënie me 6.3% krahasuar me një vit më parë, kur Covid-19 po përhapej gjerësisht, njoftoi RIA Novosti, duke cituar Zv./ Kryeministren, Tatyana Golikova./ Bloomberg

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of