Emigrantët bullgarë, dhimbja më e madhe e ekonomisë bullgare, ku mungesa e njerëzve tashmë është kthyer në një sëmundje kronike. Ndërsa shpresa më e madhe për të gjithë të tjerët që vazhdojnë të jetojnë ende Bullgari, janë zgjedhjet, nëpërmjet të cilave ata shikojnë sa ishte numri i bullgarëve që erdhën nga jashtë vendit për të votuar dhe se për kë shkoi vota e tyre, me shpresën se ndryshimi do të vijë nga vullneti i tyre.
Sigurisht që në ditët e sotme ku nuk ka më pengesa të pakapërcyeshme, të gjithë zgjedhin vetë sesi ta quajnë zgjedhjen e tyre për t’u larguar, qoftë emigracion, qoftë lëvizshmëri jashtë vendit. Sidoqoftë, sa është numri i bullgarëve që ndodhen në Europë për momentin dhe cilat janë tendencat e tyre të lëvizshmërisë?
Përgjigjja që i dha pyetjes në fjalë drejtoresha e Eurostat, Mariana Kotseva, në një intervistë dhënë për bTV, është se shifra arrin deri në 900,000 persona. Ajo saktësoi që të gjithë këta, janë bullgarë të regjistruar që jetojnë në vendet e tjera të BE-së.
Ndërsa një raport tjetër i publikuar po nga Eurostat mbi lëvizshmërinë e bullgarëve për të shkuar për të punuar dhe për të jetuar në shtete të ndryshme të Europës zbulon më shumë detaje të reja.
Në dhjetë vitet e fundit, periudhë gjatë së cilës bullgarët kanë pasur mundësi për të lëvizur lirshëm në BE, përqindja e qytetarëve që kanë përfituar dhe kanë shkuar të punojnë apo të jetojnë jashtë Bullgarisë është dyfishuar. Prandaj, në 2018 rreth 13.3% e popullsisë në moshë pune (20-64 vjeç) kanë emigruar jashtë vendit.
Për krahasim, qytetarët rumunë janë ata që kanë lëvizur më shumë në BE dhe rreth një e pesta e popullsisë së përgjithshme të Rumanisë jeton diku tjetër në Europë. Të dhënat tregojnë se numri i punonjësve bullgarë me një kualifikim të ulët, që kanë përfituar nga emigracioni, ka qenë i lartë. Ndërsa numri i punonjësve bullgarë me arsim fillor që kanë emigruar në vendet e tjera të BE-së shënoi rritje me 10.4% për periudhën 2008-2018. Në të njëjtën kohë, shkalla e punësimit në Bullgari është më e lartë se ajo e qytetarëve bullgarë që kanë emigruar në shtete të tjera. Sipas Eurostat, kjo do të thotë që emigrimi nga vende si Bullgaria është i motivuar nga arsye të tjera dhe jo nga kërkimi i punës, p.sh., disa emigrojnë për t’u bashkuar me familjarët e tyre, të tjerë për t’u arsimuar dhe për disa të tjerë mund të jetë pensioni i parakohshëm.
Situata bëhet edhe më interesante, nëse do të krahasohej me vende të tjera. Gjermania është shteti më i favorizuar për emigracionin, me rreth 340,000 bullgarë që jetojnë dhe punojnë aty. Ky numër po rritet me rreth 30 – 40,000 persona në vit. Nëse bullgarët në Gjermani vazhdojnë të rriten me këtë ritëm, e gjithë popullsia e një qyteti si Varna (qyteti i tretë më i madh në Bullgari) së shpejti do të jetojë atje. Dhe sipas Institutit të Statistikave gjermane, mosha mesatare e bullgarëve që jetojnë në Gjermani është 32.4 vjeç. Sipas Eurostat, Belgjika është një tjetër destinacion i rëndësishëm për bullgarët, ku numri i tyre ka arritur deri në 37,000 persona deri në vitin 2019.
Shumica e tyre janë të punësuar në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe restoranteve, shërbimeve estetike etj. Një vend tjetër i preferuar për emigrantët bullgarë është Spanja, ku në vitin 2009 numri i bullgarëve që emigruan atje arriti pikun në rreth 151 mijë. Ndërsa tani, numri i bullgarëve është ulur me pothuajse 29 mijë njerëz. Situata është rezultat i recesionit të gjatë të ekonomisë spanjolle dhe kolapsit të sektorit të ndërtimit, ku ishin punësuar një pjesë e madhe e qytetarëve bullgarë.
Disa prej tyre u kthyen në Bullgari, ndërsa të tjerë emigruan në shtetet e tjera të Europës. Sipas një studiuese të sektorit të emigracionit, prof. Anna Krasteva, gjithnjë e më shumë bullgarë po emigrojnë në shtete të ndryshme të Europës. Projektet e tyre të migracionit nuk janë përfundimtare dhe shpesh ndryshojnë gjatë rrugës. Kështu, për shembull, lëvizshmëria arsimore mund të shndërrohet në emigracion familjar, puna e përkohshme jashtë vendit mund të çojë në stabilizim të përhershëm në atë vend të huaj ose realizimi i suksesshëm jashtë mund të vazhdohet me realizim të suksesshëm në vendin e origjinës.