Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar, se duke filluar nga periudha janar 2021, paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj, është 30,000 lekë. (VKM nr.1025, datë 16.12.2020).
Paga minimale u rrit me 15%, nga 26 mijë lekë që ishte deri në fund të 2019-s. Rritja e pagës minimale çon automatikisht edhe në rritjen e asaj maksimale që do të jetë rreth 15% më e lartë në 132.3 mijë lekë, nga 114.7 mijë lekë që ishte deri në fund të 2019-s.
Tatimet kanë njoftuar se për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, paga bruto mujore, do të jetë:
– Jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 30,000 (tridhjetë mijë) lekë dhe deri në 132,312 (njëqind e tridhjetë e dy mijë e treqind e dymbëdhjetë) lekë, për personat e punësuar;
– Jo më pak se paga minimale, e barabartë me 30,000 (treqind mijë) lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri në 132,312 (njëqind e tridhjetë e dy mijë e treqind e dymbëdhjetë) lekë, për personat e vetëpunësuar;
E barabartë me pagën minimale mujore prej 30,000 (tridhjetë mijë) lekë, për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht.
Gjithashtu, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimit shëndetësor, paga mujore do të jetë:
Jo më pak se sa paga minimale mujore në shkallë vendi, prej 30 000 (tridhjetë mijë) lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listë-pagesës, për personat e punësuar;
Sa dyfishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton.
Do paguhen shtesë rreth 37 mln euro për sigurime
Si rritja e pagës minimale, ashtu dhe ajo maksimale, do të sjellin shtim të taksave që do të duhet të paguajnë të punësuarit në vend.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, me pagë minimale paguhen rreth 180 mijë të punësuar në vend, ose rreth 27% e totalit të të punësuarve kontribuues në vend. Për këta punonjës, pagesa e sigurimeve do të rritet me rreth 1,100 lekë në muaj, (13.3 mijë lekë në vit). Ministria e Financave ka llogaritur në projektbuxhetin 2021 se efekti i rritjes së pagës minimale në buxhet do të jetë rreth 3 miliardë lekë, ose rreth 24 milionë euro, një pjesë e të cilave paguhet nga të punësuarit dhe një pjesë nga punëdhënësit.
Rritja e pagës maksimale prek më pak të punësuar. Në total, ka 660 mijë të punësuar me kontribute në vend, nga të cilët rreth 74% janë të sektorin privat jo bujqësor. Nga totali i të punësuarve, rreth 30 mijë persona (ose 4.5% e totalit) marrin paga mbi 120 mijë lekë. Për këta persona do të paguhet (nga punëdhënësi dhe punëmarrësi) maksimumi 4,500 lekë më shumë çdo muaj (54 mijë lekë ne vit) ose në total 1.2-1.6 miliardë lekë më shumë (rreth 10-13 milionë euro) për vitin 2021.
Si rrjedhojë, nga rritja e pagës minimale dhe maksimale në 2021, punëdhënësit dhe punëmarrësit do të paguajnë në total rreth 37 milionë euro më shumë taksa mbi pagën, sipas përllogaritjeve të Monitor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pervec sa me lart, kompanite do te duhet te rrisin edhe pagat tjere. Nese nje punonjes e kishte pagen 30 mije leke deri ne fund te vitit, dhe nje tjeter 26 mije do te thote qe kishin nivel te ndryshem pune apo ekpsrtize. Tani qe ky i dyti nga 26 mije shkon ne 30, kompania eshte e detyraruar qe te ruaje nje differnce ne pagese, pra ta rrise edhe kete me po aq apo dicka te mesme. Ne parim, kur rritet paga minimale behet rishikim i gjithe pagave te kompanise per ti pershtatur dhe per te ruajtur diferencat. Kjo kuptohet… Read more »