Sa është numri i të papunëve të regjistruar në Kosovë?

18/06/2019 10:33 AM 0 komente

Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet në një nivel tejet të lartë. Autoritetet në Kosovë, kanë thënë vazhdimisht se kanë orientuar politikat ekonomike zhvillimore drejt uljes së papunësisë. Megjithatë, të dhënat për papunësinë veç po vazhdojnë të rriten.  Rritje ka shënuar edhe numri i personave që paraqiten në zyrat e punësimit, të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kurse sipas ASK-së shkalla e papunësisë aktualisht është rreth 30 për qind.

Prej  afro 150 mijë  personave që figurojnë si të papunë bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, janë 95 mijë që tashmë janë të regjistrua nga shërbimet publike të punësimit në Kosovë.

“Numri i përgjithshëm i të papunëve të regjistruar nga këto qendra të punësimit deri në fund të vitit 2018 është 95,890 persona, ku prej tyre femra janë 43,547, ndërsa meshkuj rreth 52,343”.

Hyrjet në papunësi për 12 muaj kanë pasqyruar rritje prej 2.2 për qind, duke krahasuar me numrin e të regjistruarave si të papunë nga viti paraprak.

Regjistrimi i femrave është rritur për 3.1% ndërsa meshkujt janë rritur me 1.4%.

Sipas ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, rritja e papunësisë së regjistruar ka ardhur si rezultat i disa faktorëve.

Numri i të papunëve të regjistruar kryesisht është në rajonin e Prishtinës, e cila pasqyron numrin më të lartë të papunësisë me 23.698 persona, ose në mënyrë proporcionale nga rajonet tjera me 25%, derisa ka pësuar rënie në regjistrime nga viti kaluar me rreth -1.5%.

Prizreni është rajoni i dytë me numrin e të regjistruarve si të papunë me rreth 16.087 persona ose 17%, si dhe është pasqyruar rritje për 3.5%.

Mitrovica merr pjesë me 14.880 persona të regjistruar si të papunë ose 16%, si dhe ka treguar rritje prej 6.7%.

Rajoni i Ferizajt ka treguar rënie në regjistrime për -1.0%, krahasuar me vitin paraprak, kështu që numri i të regjistruarve për këtë vit aktual është rreth 9.862 persona ose merr pjesë në papunësinë e përgjithshme me 10%.

Gjakova ka pasqyruar tregues pozitivë, pasi është shënuar ngritje në regjistrime për 6.4% krahasuar me vitin paraprak, kështu që në këtë vit numri i të regjistruarve si të papunë r është rreth 10.520 persona apo 11%.

Profesioni më i kërkuar në tregun e punës

Profesioni më i kërkuar në tregun e punës për vitin 2018 ka qenë profesioni  “punëtorë për shërbime dhe shitje”, pasi ka arritur numrin më të madh të ndërmjetësimeve në punësim prej 21.2%, ndjekur nga “profesionet elementare” me 18.7%, si dhe “punonjësit e zejes” dhe profesioneve të ngjashme me 14.7%.

Shkathtësitë profesionale luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zënien e një vendi pune, prandaj ndërmjetësimet në punësime të realizuara përmes profesioneve tregon më së miri se cilat profesione dominojnë në tregun e punës dhe shërbejnë si bazë e mjaftueshme për orientim më të mire në karrierë.

Sipas të dhënëve të MPMS, shkalla e punësimit nga ndërmjetësimet më së shumti janë bërë në profesionin e operatoreve dhe instaluesve në fabrika dhe makina me 17.6%, mandej “punëtorët në shërbime dhe shitje” me 8.5%.

Gjatë këtij viti vendet e lira të punës sipas ndarjes profesionale kryesisht janë referuar për punëtorët për shërbime dhe shitje me 16.5%, mandej operatorët dhe instaluesit në fabrika dhe makina me 16.4%, si dhe teknikët dhe bashkëpunëtorët profesional me 15.5%.

Ndërsa vendet e lira të punës që janë pasqyruar në përqindje të vogla janë për menaxherët me 2.4% dhe punëtoret e zyrave dhe asistentet me rreth 7.7%.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se dy të tretat e popullsisë së Kosovës është në moshë pune (15-64 vjeç).  Po ashtu, pritet që popullsia në moshë pune të rritet shpejt gjatë dekadës së ardhshme, pasi Kosova është ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë./Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of