Për kontabilistët dhe ekspertët fiskalë në sistemin SelfCare rezultojnë një sërë problematikash ende të pazgjidhura.
“Në opinionin tim, përgjithësisht bizneset janë fiskalizuar dhe lëshojnë/pranojnë fatura të fiskalizuara, por procesi i fiskalizimit nuk mund të konsiderohet ende i mbyllur, për shkak të problematikave të shumta të pazgjidhura”, thekson Mikel Alla, ekspert tatimor, njëkohësisht edhe lektor i kontabilitetit dhe taksimit të avancuar në Fakultetin Ekonomik të Elbasanit dhe Durrësit.
Mungesa e zgjidhjes së problematikave të shfaqura gjatë aktivitetit të përditshëm të bizneseve dolën në pah nga kontabilistët dhe ekspertët fiskalë edhe pak ditë më parë, kur DPT njoftoi fillimin e procedurës për transferimin automatik të librave të shitjeve dhe blerjeve për subjektet me TVSH.
Ahmet Gjinishi, eksperti fiskal, rendit për “Monitor” disa prej problemeve me të cilat janë përballur bizneset muajin e kaluar me fiskalizimin, që nga vonesa me shfaqjen e deklaratave doganore të importeve, shfaqjen e faturave të refuzuara, si dhe problemet me lëshimin e faturave nga pikat e pakicës së tregtimit të karburanteve.
Për të gjitha shqetësimet e ngritura nga eksperti fiskal, mbajtës i kontabilitetit të një sërë biznesesh në Tiranë, kryesisht të vogla Tatimet kanë dhënë sqarimet përkatëse.
“Deklaratat me doganat nuk pasqyrohen të gjitha, ende ka deklarata që nuk shfaqen në SelfCare. Gjithashtu edhe pse administrata doganore e nis deklaratën me vlera, bazuar dokumenteve të importit, subjekti duhet të rideklarojë me detaje faturën e blerjes.
Dhe kjo konsiston në punë të dyfishtë për agjencitë doganore dhe bizneset”.
Për këtë problematikë të përsëritur shpeshherë edhe nga kontabilistë dhe biznese të tjera, DPT sqaron se në bashkëpunim me administratën doganore, janë marrë masa për eliminimin e problematikës së mosshfaqjes së deklaratave doganore në Self-Care, si dhe po punohet që informacioni i ardhur nga sistemi i Administratës Doganore të vijë në mënyrë të saktë dhe në kohë.
Z. Gjinishi nënvizon se edhe raportimi i shitjeve me pakicë nëpër pika karburanti rezulton i pasistemuar. “Raportohen më pak ose dublikohen. Shitjet me tollona apo me kartë të parapaguar kanë problematika”.
Në lidhje me shitjet me pakicë në pikat e karburanteve, Tatimet pohuan se nuk ka raportim për dublikim të faturave të fiskalizuara. “Lidhur me shitjet me tollona apo karta të parapaguara, kompanive software të certifikuara u është dërguar dokumenti teknik në mënyrë që të implementojnë zgjidhjen teknike përkatëse”, sqaron DPT.
Eksperti fiskal, Gjinishi, rendit si problem edhe shfaqjen në libra të faturave, por që nuk mblidhen në pasqyrat mujore apo kur lloji i blerjeve mund të jetë aset apo investim për shoqërinë dhe shpërndarja nuk bëhet për të gjitha kategoritë e parashikuara në FDP (duhet të ndërhyjmë në shpërndarjen e saktë të blerjeve në FDP).
Për problematikën e mosmbledhjes së faturave, sipas DPT, kjo shfaqej pasi tatimpaguesit lëshonin fatura me gabime.
“Nga data 22 shkurt 2023, ky problem është zgjidhur, pasi kemi vendosur kufizime në sistem për të eliminuar lëshimin e faturave me këtë lloj gabimi”.
Ndërsa për blerjen e aseteve sipas Tatimeve, tatimpaguesit, te menuja “Pasqyra Mujore – Artikulli i librit të blerjes” në SelfCare, duhet të bëjnë rishpërndarjen e vlerave për çdo faturë blerje nëpër kutizat përkatëse, dhe të kryejnë deklarimin e saktë në Deklaratën e TVSH-së.
Gjithashtu shërbimet utilitare, sipas ekspertit fiskal, shfaqen me vonesë dhe nuk mund të mbyllim librat para datës 10. Ndërsa mosfunksionimi i vazhdueshëm i internetit bën që faturat të gjenerohen nga programet, por nuk raportohen. Disa këmbëngulin duke e përsëritur këtë proces dhe në fund të ditës u dalin të deklaruara po aq fatura sa edhe është tentuar (pra e njëjta faturë e përsëritur disa herë).
“Sipas parashikimeve ligjore, faturat utilitare mund të lëshohen deri në ditën e dhjetë të muajit pasardhës në të cilin është kryer shërbimi. Tatimpaguesit, gjithsesi, kanë mundësinë e ndryshimit të librave nga data 11 deri në 14 të muajit, për të saktësuar të dhënat e librave.
Kompanitë software kanë marrë masa sipas udhëzimeve për shmangien e duplikimeve të faturës. Gjithashtu, kompanitë e certifikuara kanë detyrimin që të mundësojnë lëshimin e faturës dhe në mungesë të internetit (offline), dhe të mundësojnë fiskalizimin e saj sipas parametrave tekniko-ligjor (2 orë, 24 orë, 40 ditë). Gjithashtu, tatimpaguesi ka detyrimin ligjor që të sigurojë lidhjen e vazhdueshme të internetit”, theksojnë Tatimet.
Tjetër problem janë rastet kur refuzimi i faturave nga ana e blerësit nuk ka efekt në pasqyrë mujore. “Edhe pse e refuzon faturën, ato shfaqen në libra si të blerësit dhe shitësit. Nëse shitësi është i papërgjegjshëm dhe tendencioz dhe nuk bën faturë debit note, pretendimet mund të zgjidhen vetëm në gjykatë”, thotë z. Gjinishi.
Kjo është në zgjidhje e sipër nga tatimet. “Gjithsesi, tatimpaguesi lëshues i faturës duhet të kryejë korrigjimin e kësaj fature të refuzuar (note krediti), në mënyrë që fatura e korrigjuar të shfaqet në librin e blerjes së blerësit.
Shqetësim janë edhe likuidimet e faturave nga bankat që bëhen vetëm me formatin SelfCare të faturave dhe jo me formatin e programeve. “Bankat nuk të lejojnë të bëhen pagesa në llogari të tjera të kompanisë, apo në valuta të tjera.
Për ndonjë arsye a tjetër, shoqëria nuk mund të kryejë pagesën me transfertë dhe shkon të likuidojë detyrimet me cash por bankat nuk të lejojnë. Njoftimi në email apo në numrin e kompanisë kur mbërrin një faturë, do t’u vinte në ndihmë bizneseve”.
DPT thotë se për faturat elektronike ka një format të përcaktuar sipas dispozitave ligjore, i cili duhet të paraqitet pranë institucionit financiar, i cili kryen pagesën e kësaj fature dhe raportimin pranë Administratës Tatimore.
“Nëse fatura elektronike është lëshuar në monedhë të huaj, atëherë likuidimi i saj duhet të kryhet po në të njëjtën monedhë, ose subjekti pagues duhet të kryejë konvertimin e monedhës përpara likuidimit të faturës. Përderisa fatura elektronike është lëshuar pa para në dorë (noncash), ajo nuk mund të likuidohet me para në dorë (cash)”.
Për ekspertin tatimor, Mikel Alla, disa prej problematikave janë: “Shfaqja e faturave të refuzuara nga blerësi në librat përkatës edhe në pasqyrën mujore. Disa fatura të blerjeve shfaqen në platformën qendrore të faturave (SelfCare) me datë 11, me datë 10 të lëshimit të faturës (që i përket muajit paraardhës), ndërkohë që raportimi tatimor i librave i një muaji duhet të kryhet ligjërisht deri më datë 10.
Nuk mund të saktësohen të gjitha librat më datë 10, pasi vetëm atëherë mund të shfaqen të gjitha faturat me datë lëshimi deri më datë 10 dhe periudhë faturimi të muajit paraardhës, pasi është ngarkesë e madhe për zyrat e kontabilitetit dhe ekonomistët e bizneseve, duke marrë në konsideratë edhe faktin e mbingarkesës së platformës, që nuk funksionon në pikun e raportimit tatimor.
Duhet të ndryshohet ligji i procedurave tatimore dhe ai i fiskalizimit për datën e lëshimit të faturave tatimore me periudhë faturimi të periudhës paraardhëse, në mënyrë që të mos përkojë kjo datë me atë të raportimit tatimor të librave. Shembull: një propozim do të ishte data 5 për lëshimin e këtyre faturave.
Nuk është zgjidhur teknikisht nga të gjitha kompanitë e fiskalizimit të licencuara nga DPT, kategorizimi i shitjeve duke u integruar në kundërshtim me legjislacionin tatimor në fuqi në SelfCare. Shembull: një furnizim pa TVSH raportohet si furnizim i përjashtuar në SelfCare.
Është shumë i vështirë procesi i llogaritjes dhe saktësimit në SelfCare të përjashtimit nga TVSH-ja ose zbritjes së pjesshme të TVSH-së për çdo faturë për aktivitetet e përjashtuara nga TVSH-ja dhe ato të përziera.
Në këtë mënyrë po vështirësohet raportimi tatimor dhe nuk po lehtësohet nëpërmjet raportimin automatik. Si dhe problematika teknike në SelfCare në kategorizimin e blerjeve në blerje aktivesh afatgjata”.
Përpos këtyre, sipas Allës, raportimi i muajit mars ishte edhe më i vështirë, pasi duhej bërë ndryshimi i librave të TVSH-së për t’i saktësuar, gjë që mund të realizohej vetëm në përpjekjen e tretë. Sipas tij, kjo shtoi hallkat e kontrollit, pasi nevojitej rakordimi në SelfCare, me programin fiskal, me programin financiar të zyrës së kontabilitetit, ose të biznesit dhe me sistemin e-Filing.
Kostoja e problemeve të pazgjidhura
Për kontabilistët, problemet e pazgjidhura të fiskalizimit jo vetëm po vështirësojnë ndërveprimin mes bizneseve, por po rrisin edhe kostot e tyre.
“Nëse fiskalizimi do të funksiononte sipas projeksionit të tatimeve do të ishte i mirëpritur nga bizneset dhe nuk do të kishin ankesa.
Orvatja e bizneseve nëpër zyra tatimore, kërkesë-llogaria e inspektorëve për mosrakordimin me SelfCare, mosrakordimi me shoqëritë bashkëpunëtore për fatura që dublikohen apo me biznese që i ke refuzuar faturën dhe duhet t’i bindësh të lëshojnë faturë me minus, zgjidhje softuerike, të cilat nuk transmetojnë korrektësi, por duhet ndërhyrje manuale për të ridërguar shitjet ditore, siç funksiononte me raportin e kasave, e vështirëson situatën e bizneseve.
Situata me fiskalizimin është përmirësuar vazhdimisht dhe Tatimet nuk kanë aplikuar masa administrative për vonesa apo situata të tjera, por kërkohet t’i jepet zgjidhje dhe problematikave të mbetura, për të mos e rënduar të gjithë peshën e përgjegjësisë te biznesi”, nënvizon Ahmet Gjinishi.
Për ekspertin tatimor, Mikel Alla, problemet e shumta po krijojnë konfuzion dhe sorollatje te bizneset, për shkak të ndryshimit të librave. “Procesi duhet të ishte më i thjeshtë. Të testohej një herë te tatimpaguesit e mëdhenj, të shiheshin efektet e më pas të shtrihej te të gjitha subjektet.
Edhe për transferimin automatik të librave të blerjeve dhe shitjeve, puna është e dyfishtë, pasi një pjesë të mirë të librave të subjekteve të mia, me duhet t’i ndryshoj. Sistemi duhej të ishte 100% gati më pas të bëhej automatike”.
Problemet me biznesin e vogël
Fiskalizimi për bizneset e vogla nisi në fazën e tretë të procesit nga 1 shtatori 2021. Nga të dhënat e tatimeve janë fiskalizuar 94,700 biznese të vogla.
Për kontabilistët edhe pse kjo kategori e implementuar në sistemin e ri, rezulton se ende e ka të vështirë të përfshihet në proces, për shkak të mungesës së ekspertizës financiare.
“Pjesa më e madhe e bizneseve në Shqipëri janë mikronjësi ose biznese të vogla, të cilat përgjithësisht kanë statusin e tregtarit, ose persona fizikë, të cilat kanë marrë përsipër rrezikun të hapin një biznes për të mbajtur veten dhe familjet e tyre, duke vënë në dispozicion të gjitha pasuritë e tyre, qofshin ato monetare, materiale apo jomateriale, duke përfshirë në biznes edhe familjarë të tyre pa të drejtë page, pra me statusin e punonjësit të papaguar të familjes, duke u përgjigjur personalisht dhe familjarisht me të gjithë pasuritë me rrezikun e mungesës së likuiditeteve, rrezikun e mosarkëtimit të klientëve, rrezikun e konkurrencës së pandershme dhe rrezikun e falimentimit.
Si rezultat, kjo kategori biznesesh, që përbën pjesën dërrmuese të bizneseve, të cilët nuk e kanë ekspertizën financiare të nevojshme në dispozicion, përpos kostove të lartave të implementimit të fiskalizimit dhe krizës financiare globale, e ka të vështirë përfshirjen me sukses në këtë proces”, pohon eksperti tatimor Mikel Alla.
Edhe në fillim të procesit, faza e zbatimit për biznesin e vogël u cilësua nga kontabilistët si “thembra e Akilit”, për shkak të mospërballimit të kostove, por edhe vështirëve të kalimit nga kasat fiskale në software.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.