Sa mund të dëmtohen bankat?

25/04/2020 10:00 PM 0 komente

Këtë herë jemi ndryshe. Kjo krizë i ka gjetur në një gjendje më të mirë se kriza e mëparshme

 

Nga Ebenezer Scrooge tek Gru në “Despicable Me”, mposhtja e armikut është gjithnjë një skenar i pranishëm në letërsinë artistike, shkruan The Economist.

Kohët e fundit flitet se bankierët do të kenë një përvojë të ngjashme. Teprimi me kreditë nga ana e huadhënësve ishte shkaku kryesor i krizës financiare të viteve 2007-2009. Këtë herë, fajtor për krizën nuk është paraja, por një mikrob, dhe bankat shihen potencialisht si pjesë e zgjidhjes, duke shërbyer si kanale të ndihmës shtetërore në masë për kompanitë dhe familjet e goditura nga kriza.

Kriza e koronavirusit në të vërtetë u jep një shans bankave për të përmirësuar imazhin e tyre. Por gjithashtu i vw ato përpara disa dilemave të dhimbshme dhe madje mund të dëmtojë themelet e tyre. Michael Corbat, shefi i Citigroup, ka paralajmëruar se bankat duhet të tregohen shumë të kujdesshme duke mos lejuar që mbështetja e klientëve të minojë qëndrueshmërinë financiare. Bankat duhet të ruajnë kapitalin, duke i mbajtur njëkohësisht të lumtur investitorët e varur nga dividendët. Sido që t’i përballojnë zgjedhje të tilla, rreziku i humbjeve të mëdha është i lartë: këtë vit, aksionet e bankave kanë rënë dy herë më shumë sesa bursat, nga frika e pamundësisë së shlyerjes së kredive.

Kriza e re e gjeti industrinë në formë të mirë. Rezervat e kapitalit, pasi u varfëruan nga kriza e fundit, janë rritur sërish. Bankat gjithashtu janë bërë më të qëndrueshme ndaj tërheqjes masive të depozitave. Këtë herë, sistemi është ndrydhur, por nuk është bllokuar. Provat e hershme tregojnë se përpjekjet pas vitit 2009 për të transferuar rrezikun e likuiditetit nga bankat drejt tregjeve të kapitalit, kanë funksionuar, dhe ky rrezik është ulur jashtëzakonisht nga bankat qendrore përmes programeve të mbështetjes së tregut, por jo nga bankat tregtare, thotë Huw van Steenis i UBS, një huadhënës zviceran.

 

 

Sipas këtyre skemave, bankat kanë rritur në mënyrë dramatike huadhënien, veçanërisht në Amerikë. Në mars, ndërmarrjet publike tërhoqën 191 miliardë dollarë nga linjat e kreditit të bankës, pasi nuk morën thuajse asgjë në janar dhe shkurt. Rasti i veçantë është Kina, ku rritja e kredisë është e ngjashme me atë të vitit të kaluar. Në vitet 2008-2009, zyrtarët i detyruan huadhënësit që të udhëhiqnin përpjekjet për stimulim. Ata mund të kenë frikë se një shtytje tjetër e tillë mund t’i shkatërrojë. Asetet e bankave kineze kanë arritur në 285% të PBB-së, nga 195% në vitin 2007.

Për të nxitur bankat të japin më shumë hua dhe të jenë tolerante, rregullatorët në Perëndim kanë nxituar për të zbutur ose për të vonuar rregullat pas krizës financiare. Ato përfshijnë gjithçka, që nga llogaritja e humbjeve të huasë deri në trashësinë e tamponëve të kapitalit. Sipas një vlerësimi, një vetëpërmbajtje e tillë rregullatore (normalisht e përkohshme), ka krijuar 5 trilionë dollarë në kapacitet huadhënieje.

Në të njëjtën kohë, rregullatorët në Europë i kanë nxitur ose urdhëruar bankat që të forcojnë mbrojtjen e tyre, duke ngrirë pagesat për aksionerët dhe performuesit e mëdhenj. Për shembull, bankat britanike po mbajnë dividentë me vlerë 8 miliardë paund (9,9 miliardë dollarë). Kompanitë amerikane nuk kanë ndjekur të njëjtin shembull, megjithëse kanë pezulluar riblerjet e aksioneve. Rregullatorët kanë vënë në shënjestër edhe bonuset: Andrea Enria, mbikëqyrësi kryesor i Bankës Qendrore Europiane, ka bërë thirrje për “moderim ekstrem”.

Tani për tani, kërcënimi për bankat nuk duket ekzistencial. “Në dallim nga viti 2008, problemi ka të bëjë kryesisht me fitimet, jo me bilancin”, thotë Nathan Stovall i S&P Global Market Intelligence, një ofrues i të dhënave. Nëse humbjet do të jenë të ngjashme me krizën e mëparshme, atëherë raportet e kapitalit të bankave amerikane do të mbeten mbi nivelet e tyre pas rikapitalizimit në vitet 2008-2009.

Por në një kohë kur ekonomitë kryesore të botës thuajse janë ndalur për një periudhë të pacaktuar, humbjet e huasë mund të jenë më të mëdha kësaj here. Analistët po ulin me shpejtësi parashikimet e fitimeve bankare. Tani disa mendojnë se bankat amerikane, të cilat vjet siguruan një fitim total prej 230 miliardë dollarësh, mund të pësojnë humbje në vitin 2020.

Investimet nuk mund të ofrojnë shpëtim. Emetimi i kapitalit dhe marrëveshjet mes korporatave kanë rënë (megjithëse rritja e borxheve mbetet e fortë). Vëllimet dhe fitimet e tregtimit kanë ardhur në rritje, siç ndodh shpesh gjatë një krize, por ato pritet të bien ndjeshëm.

EUropa është në gjendje më të keqe. Një bankier thotë se perspektiva për huadhënësit britanikë është “me të vërtetë e keqe”. Ai ka frikë se disa banka më të vogla dhe ofrues jobankarë mund të mos mbijetojnë. Huadhënësit italianë, të goditur nga kriza e euros, kishin filluar të rimëkëmbeshin duke përgjysmuar kreditë e këqija, derisa erdhi COVID-19, dhe tani po tregohen sërish tepër të pasigurt. Deutsche Bank, e cila prej vitesh përjeton vështirësi, tashmë rrezikon të vuajë edhe më tepër.

Në Kinë, tronditja ndaj rritjes së ngadaltë ekonomike do t’i shtyjë bankat përtej kufijve që kishin parashikuar rregullatorët. Në vitin 2019, banka qendrore testoi qëndrueshmërinë e 30 bankave sipas një larmie skenarësh. Sipas parashikimit më të rëndë ekonomik — ku rritja do të ngadalësohet në 4.15% – 17 nga 30 banka do të kishin nevojë për më shumë kapital. Banka Botërore pret që rritja këtë vit të jetë vetëm 2.3%. S&P ka vlerësuar — bazuar në rritjen e supozuar prej 4,4% – se raporti i kredisë së keqe mund të rritet në gati 8%, katër herë më i lartë se niveli para virusit. Raporti i diskutueshëm i kredisë mund të arrijë deri në 13%.

Shqetësimi në rritje i Perëndimit është se skenari i karantinimit afatshkurtër dhe rikthimi i shpejtë në normalitet është tepër optimist. Edhe disa muaj të tjerë kufizimesh nënkuptojnë vite humbje në kreditë e derdhura. Bankierët mund të fillojnë të kuptojnë se ekziston një ndarje e hollë midis tolerimit dhe faljes: në Amerikë po rriten gjithnjë e më tepër thirrjet për heqjen e interesit të kartave të kreditit, për një kohë të pacaktuar.

Normat tepër të ulëta të interesit të vendosura nga bankat qendrore për të luftuar pandeminë, janë një tjetër pengesë. Një faktor i rëndësishëm në fitimet e një banke është “marzhi neto i interesit” (NIM) – diferenca midis shkallës së interesave të kredisë dhe asaj në të cilën kompenson depozitat që ka mbledhur. Edhe para krizës së koronavirusit, NIM ishte vetëm 3.3% për bankat amerikane. Duke marrë parasysh se normat e interesit kanë të ngjarë të qëndrojë në vend derisa të ketë mbaruar pandemia, niveli i NIM do të mbetet i dobët për vite me radhë.

Fakti, nëse bankat përfundojnë duke u zhytur në krizë apo thjesht dëmtohen pjesërisht, varet nga një mori të panjohurash. “Rasti më i keq është nëse nuk gjendet një vaksinë për një vit”, thotë Paul Tucker, kryetar i Këshillit të Rrezikut Sistematik, një grup ish-politikëbërësish. “Bankat duhet të bazohen në skenarë të tillë, pasi kërkesat e kapitalit pas krizës nuk janë kalibruar për të përballuar diçka të tillë”.

Në një letër publikuar më 6 prill, Jamie Dimon, shefi i JPMorgan Chase (JPM), i siguroi aksionerët se banka mund të përballonte me lehtësi një skenar ekstrem (“që shpresojmë se nuk do të ndodhë”), sipas të cilit PBB do të bjerë me 35% dhe papunësia do të arrijë në 14%, duke dalë me kapital mbi minimumin e sigurt. JPM është banka më e fortë dhe fitimprurëse nga bankat e mëdha në botë. Të tjerat, nëse do të përballeshin me një stuhi të tillë, mund të përfundonin në telashe.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of