“IDC Adriatics” publikon ecurinë e sektorit të teknologjisë së informacionit. Pritet rimëkëmbje modeste në 2011-n. Shqipëria me të ardhurat më të ulëta për frymë të teknologjisë në rajon dhe vetëm 3.3% të mesatares europiane
Në vitin 2010, tregu i teknologjisë së informacionit (IT) në Shqipëri ra me 10% me bazë vjetore e shprehur në dollarë, në 85.57 milionë dollarë. I matur në monedhën lokale, tregu ra 1.4% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas kompanisë së kërkimeve të tregut IDC.
“Pavarësisht zhvillimeve pozitive në ekonomi, tregu i IT-së ra vitin e kaluar. Kjo mund t´i atribuohet gjerësisht një baze të lartë gjatë 2009-s, që lidhet me projektin e madh qeveritar të kartave të identitetit dhe prokurimet e kompjuterëve personalë për sektorin e edukimit”, thotë analisti i lartë i kërkimeve Dalibor Suboticanec, “IDC Adriatics”. “Biznesi në të gjithë segmentet u ngadalësua në vitin 2010, me kompanitë që reduktuan kërkesën dhe shtynë ose madje dhe fshinë projektet që nuk kishin të bënin me reduktim të menjëhershëm të kostove ose rritje të konkurrueshmërisë”.
Të gjithë segmentet teknologjikë të tregut IT ranë për të dytin vit radhazi. Sektori i pajisjeve u tkurr me 11.7%; shërbimet e IT ranë me 5.3%; dhe përgatitja e programeve ra me një normë më të ulët prej 3.1%. Si rrjedhojë, pjesa e pajisjeve në të gjithë tregun ra në 76.6% në 2010-n. Në të njëjtën kohë, pjesa e shërbimeve të IT-së dhe përgatitjes së programeve u rrit në 13.3% dhe 10.1%, përkatësisht.
Shpenzimet e IT-së për frymë në Shqipëri ishin 29 dollarë, niveli më i ulët në rajonin e Adriatikut dhe një peshë mjaft e ulët prej 3.3% e mesatares europiane. Sllovenia kryeson shpenzimet e IT-së për frymë në rajonin Adriatikut në 2010-n, me një mesatare prej 430 dollarësh, e ndjekur nga Kroacia me 235 dollarë dhe Serbia me 95 dollarë.
IDC pret që tregu shqiptar i IT-së të zgjerohet me një normë të përbërë prej 11.1% midis vitit 2011 dhe 2015, duke arritur 144.55 milionë euro në 2015-n.
Edhe tregu maqedonas tkurret
Tregu i IT-së në Maqedoni ra 12.9% me bazë vjetore i matur në dollarë, duke arritur në total 143.20 milionë dollarë. Sipas kompanisë së kërkimit të tregut IDC, ekonomia e vendit ka nisur të rimëkëmbet nga kriza ekonomike, me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), eksportet dhe investimet e huaja direkte, që u rritën të gjitha në vitin 2010. Tendenca pritet që të vazhdojë në vitin 2011, duke e rikthyer tregun e IT-së në rritje.
“Tregu maqedonas i IT-së ndjeu efektet e recesionit global në 2010-n, pasi ia hodhi pa dëme 2009-s, por masat antirecesion të qeverisë dhe nismat dhe projektet e IT-së do të ndihmojë që tregu lokal të rritet në 2011 dhe të rimëkëmbet tërësisht në vitin 2012”, thotë analisti Dalibor Suboticanec, “IDC Adriatics”.
Tregu maqedonas i IT-së ka pasur një tendencë divergjente të teknologjisë gjatë viteve të fundit. Shpenzimet për pajisje ranë në vitin 2010 për të tretin vit radhazi, ndërsa investimet për programe u rritën për të katërtin vit rresht dhe shërbimet e IT-së shënuan rënie për herë të parë, që kur IDC filloi që të masë tregun maqedonas. Porsa i përket shitjeve, dërgesat e pajisjeve në vend ranë më shumë se 20% me bazë vjetore në 2010, ndërsa dërgesat e kompjuterëve personalë u tkurrën me 40.8%. Në të njëjtën kohë, prokurimi i shërbimeve IT ra me 5.2% me bazë vjetore.
Ndryshe nga viti 2009, kur sektori qeveritar shpenzoi shumë më tepër për IT se mesatarja e tregut (për shkak të prokurimeve të mëdha të kompjuterëve personalë), shpenzimet IT në këtë sektor u tkurrën në mënyrë të konsiderueshme më me shpejtësi se mesatarja e tregut në 2010. Në kontrast, sektori i telekomunikacioneve dhe segmenti i shtëpive shënoi rritje me bazë vjetore të shpenzimeve për IT në 2010-n.
Shpenzimet e IT-së për frymë në Maqedoni janë 70 dollarë, duke zënë vendin e katërt në rajon, por vetëm 8.1% e mesatares së BE-së.
IDC beson se shpenzimet e IT-së në Maqedoni do të rriten 7.6% në 2011-n. Totali i shpenzimeve IT në vend parashikohet të rritet me një normë të përbërë prej 9.7% për të arritur një volum prej 227.53 milionë dollarësh në 2015-n. Në termat e të ardhurave për frymë, kjo do të përfaqësojë 65.4% të mesatares rajonale, ose 110 dollarë.
Kosovë, IT e nxitur nga telekomunikacioni e bankat
Në vitin 2010, tregu i IT-së në Kosovë arriti në total 83.75 milionë dollarë, në rënie prej 3.1% me bazë vjetore. E matur në euro, e cila është monedha lokale, tregu u zgjerua 1.7% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të IDC. Segmentet e bankave dhe telekomunikacionit nxitën tregun IT-së në Kosovë gjatë vitit të kaluar, ndërsa pjesa tjetër e sektorit të ndërmarrjeve dhe familjarëve shënuan rënie dyshifrore në shpenzimet e IT-së.
“Recesioni në Europë ka pasur vetëm ndikim të lehtë në ekonominë e Kosovës, duke qenë se PBB-ja e vendit u zgjerua në 2010-n dhe investimet e huaja direkte u rritën me bazë vjetore”, thotë Dalibor Suboticanec, analist në “IDC Adriatics”. “Gjithsesi, norma tepër e lartë e papunësisë, korrupsioni, niveli i lartë i ekonomisë informale dhe ekzistenca në një masë të madhe e piraterisë së programeve vazhdojnë të pengojnë si ekonominë lokale ashtu dhe tregun e IT-së”.
Tregu i IT-së ka pasur tendenca të ndryshme gjatë viteve të fundit. Në 2010-n, shitjet e pajisjeve në vend ranë me ritme më të larta se mesatarja e tregut. Në të njëjtën kohë, shërbimet e IT-së u rritën me 6.8%.
Me shpenzime për IT në nivelin e 46 dollarëve për frymë në 2010-n, Kosova zë 5.4% të mesatares së 27 vendeve të BE-së. IDC pret që tregu i IT-së në Kosovë të zgjerohet me një normë të përbërë prej 10.0% për të arritur 135.11 milionë dollarë deri në 2015-n.
Mali i Zi, IT vuan rënien e kërkesës
Tregu i IT-së i Malit të Zi u tkurr me 14.8% me bazë vjetore në 2010-n, në 40.38 milionë dollarë. I matur në monedhën lokale, tregu u tkurr me 10.6% krahasuar me vitin e mëparshëm, për shkak të vlerësimit të dollarit. Sipas IDC-së tkurrja e tregut të IT-së reflekton zvogëlimin e kërkesës, veçanërisht nga sektori i telekomunikacioneve dhe financiar dhe në një masë më të vogël, nga sektori i qeverisë dhe ai i konsumatorëve familjarë.
Pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u tkurr në vitin 2009, si rrjedhojë e presionit të krizës ekonomike globale, rimëkëmbja në vitin 2010 ishte vetëm modeste. Rikthimi te rritja erdhi nga ringjallja e eksporteve dhe ecuria elastike e sektorit të shërbimeve. Gjithsesi, papunësia u tkurr në vitin 2010, pavarësisht zgjerimit ekonomik dhe pritet të qëndrojë e lartë, çka mund të shkaktojë trazira sociale.
“Rimëkëmbja modeste ekonomike e Malit të Zi nga kriza financiare nuk ishte aq e fortë sa të kthente tregun e IT-së në një rrugë pozitive”, thotë Atila Madai, menaxhere e IDC-së në Serbi. “Gjatë dy viteve të ardhshme, deri sa ekonomia lokale të rimëkëmbet plotësisht, tregu i IT-së i Malit të Zi do të duhet të mbështetet në financimet nga BE dhe investimet e huaja direkte”.
Shërbimet e IT-së dhe dorëzimi i programeve ranë me 1.2% dhe 2.6%, përkatësisht, ndërsa dërgesat e kompjuterëve personalë ranë 1.0% 1.1%. Dërgesat e sistemeve të serverëve u rritën me 35.7%, megjithëse nga një bazë e ulët, si rrjedhojë e projekteve të mëdha në sektorin qeveritar.
“Në afatin e shkurtër (20112012), ekonomia e Malit të Zi pritet që të rimëkëmbet me ngadalë”, thotë Madai. “Kjo nuk do të krijojë hapësirë të mjaftueshme për projekte të mëdha IT, vetëm në rast se ato financohen nga investimet e huaja ose fondet e BE-së. Gjithsesi, papunësia do të qëndrojë e lartë dhe IHD-të pritet që të jenë të ulëta. Priten projekte të IT-së në sektorët qeveritarë dhe bankarë, të financuar nga BE dhe Banka Botërore dhe që janë të lidhura me projekte të tjera e-qeveritare dhe rregullimeve të industrisë.”
IDC pret që shpenzimet e IT-së në Mal të Zi të rriten me një normë të përbërë prej 4.4% gjatë pesë viteve të ardhshme, për të arritur 50.17 milionë dollarë në 2015-n.
Rreth IDC
“International Data Corporation” (IDC) është një ofrues global tregu për shërbimet, kërkimet dhe eventet në teknologjinë e informacionit, telekomunikacionet dhe tregun e teknologjisë konsumatore. “IDC Adriatics” e ka qendrën në Zagreb me zyra në Lubjanë dhe Beograd dhe me analistë të kontraktuar në Sarajevë, Shkup dhe Tiranë. “IDC Adriatics” ndjek, analizon dhe parashikon tregun e IT-së në Kroaci, Slloveni, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.