Një psikoterapist shpjegon pse keni nevojë për pushim dhe tre mënyra për t’i dhënë vetes një pauzë janë më se të nevojshme.
Kushtojini vëmendje fuqisë së pushimit. Shoqëria jonë mund të jetë e prirë për të inkurajuar gjithmonë ngutjen dhe punën monotone si mënyrat e vetme për të qenë produktivë, por nëse vërtet dëshironi të ruani mirëqenien dhe efikasitetin, ndalni për një moment dhe pushoni.
Privimi nga gjumi ul produktivitetin dhe ndikon negativisht te shëndeti. Punonjësit e lodhur u kushtojnë punëdhënësve 136.4 miliardë dollarë në vit në terma të kohës produktive të humbur në lidhje me shëndetin. Shumë prej nesh e kanë zakon të punojnë jashtë limiteve. Të punosh gjatë pushimeve të drekës dhe të mos bësh pushime të vogla mund të jetë në të vërtetë shumë joproduktive. Kjo ndikon që produktiviteti të jetë në nivelet më të ulëta, shoqëruar me stres dhe lodhje.
A keni menduar ndonjëherë që pushimi të jetë produktiv? Për shumë, pushimi duket si një fjalë ambicioze. Duket mirë dhe lehtë e thënë teorikisht, por e vështirë për t’u zbatuar. Sidoqoftë, pushimi është pjesë e procesit dhe një pjesë integrale e rrugëtimit drejt suksesit.
Ne duhet të jemi të vendosur dhe t’ia vëmë vetes si objektiv të caktuar kohën kur duhet të pushojmë gjatë ditës, sepse për ndryshe një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë. Përdorimi i një hileje produktiviteti siç është teknika ‘Pomodoro’ mund t’ju ndihmojë të rimerrni njëfarë niveli kontrolli mbi mënyrën se si ta menaxhoni kohën. Kjo ju ndihmon t’i jepni përparësi kohës së pushimit, të zvogëloni shpërqendrimet (të cilat kërkojnë energji shtesë mendore) duke përmirësuar punën e trurit, në mënyrë që të jeni më efikas dhe produktiv.
Teknika mund të ndahet në pesë hapa të thjeshtë:
- Zgjidh një detyrë
- Kohëzgjatja: 25 minuta
- Punoni mbi detyrën derisa t’ju mbarojë koha që keni në dispozicion për të.
- Bëni një pushim 5-minutësh
- Për çdo 4 Pomodoros, bëni një pushim nga 15 deri në 30 minuta
Kjo teknikë ju lejon të kategorizoni detyrat komplekse dhe të gruponi së bashku detyrat e thjeshta. Kryesorja është që ju duhet të përqendroheni te Pomodoro. Edhe shpërqendrimi më i vogël mund të ndërpresë rrjedhën e punës, kështu që fikni telefonin dhe njoftimet e email-it. Nëse ka ndonjë ndërprerje, përpiquni të shihni se si mund ta shmangni atë në seancën e ardhshme.
Pas pushimit, ju do t’i riktheheni punës me të cilën ishit duke u marrë me një këndvështrim tjetër. Kjo i jep trurit mundësinë për të qenë sa më krijues dhe sa më i qartë. Më poshtë janë disa mënyra të tjera që tregojnë se si të shkëputeni nga puna që t’i riktheheni asaj më mirë, në një moment të dytë.
Caktoni dhe përmbajuni kufijve
Puna nga shtëpia u bë normë për shumë prej nesh, gjatë COVID-19 dhe u bë sfiduese që disa të krijonin kufij të shëndetshëm rreth punës. Me kufij ende të paqartë, parametrat 9:00 me 5:00 kanë ndryshuar. Sidomos nëse keni fëmijë të vegjël në shtëpi. Teknologjia na ka lejuar të bëhemi lehtësisht të arritshëm. Problemi është, në të shumtën e rasteve, njerëzit ndihen sikur kanë të drejta për kohën tonë dhe presin një përgjigje të menjëhershme.
Gjëja kryesore për të mbajtur mend është të caktoni kufij rreth kohës. Vetëm sepse jeni të arritshëm nuk ju bën të disponueshëm. Mos u ngutni të përgjigjeni me email ose tekst, edhe nëse keni hapur opsionin se mesazhi është lexuar nga ana juaj. Zvogëloni stresin dhe ankthin dhe shijoni çdo gjë që po bënit para se të vinte ajo telefonatë, mesazh apo email; sidomos nëse është pas orarit të punës dhe gjatë fundjavës. Bëjeni shpesh këtë dhe të tjerët do të mësojnë të përshtaten me një gjë të tillë.
Merrni një sy gjumë
Dëshironi të zvogëloni lodhjen, të rrisni performancën dhe të reduktoni gabimet? Provoni të merrni një sy gjumë në rutinën tuaj ditore ose javore. Dremitjet kanë fuqi ripërtëritëse. Edhe një gjumë prej 20 deri në 30 minuta mund të rimbushë bateritë në mënyrë efektive. Vendosni një alarm dhe minimizoni shpërqendrimet (e ngjashme me Teknikën Pomodoro).
Largohuni nga tryeza e punës
Të çohesh për të bërë tendosje muskujsh, të dalësh jashtë dhe të çlodhësh sytë mund të rikthejë energjitë e humbura. Kjo është thelbësore, veçanërisht për shumë njerëz që punojnë nga shtëpia me kohë të plotë. Ndihmon për qarkullimin e gjakut, gjë që është e mirë për shëndetin fizik dhe kryesisht për atë të trurit. Nëse vendosni të dilni jashtë, atëherë ndryshon skenari. Ushtrimi i këtij aktiviteti mund të ndihmojë në uljen e lodhjes së syve dhe lodhjes në përgjithësi. Nëse vërtet dëshironi të jeni më produktivë dhe të jeni krijues, bëjini këto pushime të nevojshme. Ju mund të habiteni nga kthjelltësia dhe mprehtësia që do t’ju vijë si pasojë e këtyre pushimeve të bëra gjatë punës.
“Puna në tym” mund t’ju bëjë të ndiheni të bllokuar, t’ju marrë më shumë kohë për të përmbushur detyrat, të rrisni gabimet dhe të kufizoni krijimtarinë. Truri ynë është si një makinë, por ne nuk jemi robotë. Aplikimi i periudhave të pushimit, qoftë përmes teknikës Pomodoro apo disa metodave të tjera, do të ndihmojë në uljen e lodhjes dhe stresit. Kjo vlen për prindërit me fëmije të porsalindur, drejtuesit e bizneseve dhe shoferët e kamionëve.
Pasi ta keni marrë në konsideratë këtë artikull, do të befasoheni nga sa më shumë mund të arrini duke bërë më pak. / *Farah Harris, psikoterapist dhe ekspert i mirëqenies në punë, Fast Company