E frikshme, pesha e të gjithë lëndëve plastike që ne kemi prodhuar është e barabartë me 25,000 ndërtesa si ajo e “Empire State Building”
Që nga fillimi i shekullit të 20, njerëzimi ka krijuar rreth 8.3 miliardë tonë plastikë, e barabartë me 25,000 ndërtesa sa ajo e Empire State Building, ose me 100 qytete të mbushura plot me qiellgërvishtës.
Prodhimi masiv i plastikës nisi pas Luftës së Dytë Botërore dhe hulumtimet e reja të botuara së fundmi tregojnë se sasia e prodhuar çdo vit është rritur nga 2 milionë tonë në vitin 1950 në 381 milionë tonë në 2015.
Sipas studimeve të fundit të publikuara nga Science Advances, me këtë ritëm, në vitin 2050 do të jenë prodhuar rreth 34 miliardë tonë plastikë. Dhe ky është një problem i madh, sepse shumica e të gjithë kësaj plastike të prodhuar përfundon e hedhur në landfille apo në det.
Më shumë lëndë plastike sesa peshq
Po sipas të njëjtit studim, rreth 6.3 miliardë tonë lëndë plastike të krijuara deri më tani ka përfunduar si mbetje. Nga këto 12% janë djegur, 9% janë ricikluar, ndërsa pjesa tjetër që fatkeqësisht përbën edhe shumicën, është hedhur në tokë ose në det. Mbeturinat plastike përbëjnë një rrezik të madh mjedisor, dhe referuar kërkimeve të mëparshme nga Forumi Ekonomik Botëror dhe Fondacionit Ellen MacArthur parashikohet se deri në vitin 2050 mund të ketë më shumë mbetje plastike se sa peshq në det.
Autorët e studimit të publikuar në “Science Advances”, Roland Geyer, Jenna R. Jambeck dhe Kara Lavender Law paralajmërojnë se “pa një strategji menaxhuese të hartuar mirë dhe të përshtatur për lëndët plastike, njerëzit janë duke kryer një eksperiment të njëanshëm të pakontrolluar në një shkallë globale, si pasojë e të cilit mbetjet plastike do të grumbullohen në të gjithë ekosistemet e mëdha tokësore dhe ujore të planetit tonë.
Krijimi i një ekonomie rrethore
Lloji i plastikës që përdoret për paketim është një prej burimeve kryesore që shndërrohet në mbetje plastike dhe sipas “New Plastics Economy Rethinking Future of Plastics”, vetëm 14% e produkteve plastike që shërbejnë për paketim, mblidhen për t’u ricikluar në nivel global. Për të shmangur katastrofën mjedisore të paraqitur nga mbetjet plastike dhe për të kuptuar potencialin e vlerës së humbur ekonomike të këtij materiali, në një raport të ri të ndërmarrë nga Davos gjatë këtij viti, argumentohet se plastika duhet të bëhet pjesë e një ekonomie rrethore. Sipas saj, në vend që të mendohet fillimisht për “zvogëlimin, ripërdorimin dhe riciklimin”, si prodhuesit ashtu edhe përdoruesit e plastikës duhet të mendojnë së pari për “ripërdorim, riciklim dhe ridizenjimin”.
Përdorimi i një game të gjerë të elementëve shtesë gjatë prodhimit e bën të vështirë për të vendosur proceset e riciklimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për plastikën. Pa ridizenjimin dhe rinovimin e kësaj industrie që në themelet e saj, reduktimi i mbetjeve plastike vështirë se do të reduktohet.
Si pjesë e një plan veprimi që synon trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve të ndryshme ndaj këtij problemi, mbështetur edhe nga më shumë se 40 drejtues biznesi dhe qeveritarë në Davos, nisma e re për ekonominë e plastikës gjatë vitit të ardhshëm do të nisë dy sfida globale të inovacionit: e para synon që të ridizenjojë materialet dhe formatet e paketimit, kurse e dyta ka për qëllim vendosjen e një sërë standardesh të përbashkëta globale (një “protokoll plastik global”) për dizajnin e paketimit.
Në vazhdë të kësaj, Fondacioni Ellen MacArthur dhe kompania e dizajnit, IDEO, kanë nisur hartimin e një udhëzuesi që synon të frymëzojë dizenjuesit, inovatorët dhe sipërmarrësit që të ofrojnë mundësi të ndryshme për zgjidhjen e këtij problemi në të ardhmen.