Të gjithë kujtojmë propozimet e shumta të bëra në administratën e presidentit Klinton mbi destinacionin e përdorimit të tepricës së buxhetit. Dhe përfundimisht u mor vendimi që kjo tepricë të investohej në sistemin arsimor. Veprim i mençur dhe padyshim vizionar në një shtet me sistem arsimor tepër të zhvilluar.Sigurisht, Shqipëria nuk ka përse ta krahasojë veten me SHBA, por ama nuk ka përse edhe të mos mësojë nga kjo përvojë. Buxheti ynë nuk ka teprica për të investuar në sistemin arsimor. Por ama buxheti ynë ka plot shpenzime të tepërta në fusha të tjera jo dobiprurëse; ka keqadministrim të të ardhurave, e mangësi të cilat, përveç të tjerave ,mbulohen duke mbajtur shpenzime të reduktuara për sistemin arsimor dhe për arsimin të lartë në veçanti.Këto fakte na i solli në vëmendje greva e nisur e pjesës më të madhe të pedagogëve shqiptarë. Ata haptazi kanë deklaruar se sistemi i arsimit të lartë është në moment krize dhe kërkohet marrja e masave serioze për kapërcimin e saj. Është një kërkesë tepër e justifikuar dhe një arsye që mbështet tërësisht revoltimin e pedagogëve. Sikur të ishin të revoltuar qoftë edhe për nivelin qesharak të pagave, edhe kjo do të përbënte një arsye mëse të mjaftueshme. Sepse pedagogët janë “rebeluar” për të rifituar dinjitetin e tyre përballë studentëve dhe shoqërisë; për ti kthyer dinjitetin fjalës “dije”; për të shndërruar një proces të tërë arsimor, që sot vetëm mbijeton me përpëlitje, në një proces edukativ, nxënieje e shkencor cilësor dhe ti rezistojë të ardhmes. Për fat të keq, pala që duhet të dëgjojë dhe të shqetësohet për këtë “rebelim” arsimtarësh përsëri shfaqet e shurdhët dhe përpiqet të mbrohet pas një shifre të vetme 4.5 miliard lekëshe të projekt-buxhetit të vitit 2005 (vetëm 100 milion lekë më shumë se 2004). Luhet një lojë ping-pongu me termat “autonomi financiare e universiteteve” dhe mbi aftësinë apo paaftësinë e këtyre institucioneve të dijes për të administruar paranë, a thua se janë të rralla rastet që administrata shtetërore i ka keqadministruar fondet e buxhetit. Ndërkohë, është harruar që investimi në sistemin arsimor është investimi afatgjatë më i dobishëm për një vend. Është harruar që duke shtuar financimin për sistemin arsimor nuk rrezikohet të krijohet shtresa e “mësonjësve pasanikë”, por krijohen kushtet minimale të nevojshme për të vënë dijet dhe aftësitë e tyre tërësisht në dispozicion të përgatitjes së brezave të së ardhmes. Por, në shtetin e sekretareve dhe të truprojeve, ku një pjesë e mirë e karrigeve ministrore rehatojnë ish-pedagogë të universiteteve të Shqipërisë, të vjen turp të jesh arsimtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.