Sponsorët në futboll janë ndër burimet më të mëdha të të ardhurave për klubet.
Shoqëria CSM Sport & Entertainment ka realizuar një studim që analizon situatën në pesë kampionatet kryesore në Europë (Spanjë, Angli, Itali, Gjermani dhe Francë), për të kuptuar më mirë dinamikat te kontratat e sponsorizimeve. Hulumtimi zbuloi 2.289 marrëveshje sponsorizimi, që përfshijnë 1.606 kompani nga 55 sektorë të ndryshëm, që përkthehet në një investim rreth 4,043 miliardë euro.
Manchester United, klubi që gjeneron më shumë të ardhura
Nga shërbimet financiare tek kompanitë e gomave, raporti thekson gamën e gjerë të sektorëve që investojnë në futboll dhe ofron njohuri dhe krahasime kuptimplota mes vendeve të ndryshme, përveçse evidenton klubet që kanë më shumë marrëveshje sponsorizuese. Në vend të parë është Manchester United, falë 269 milionë euro që gjeneron çdo vit nëpërmjet 68 marrëveshjeve sponsorizuese. Ndiqet nga Barcelona, me 261 milionë euro eurp, i vetmi klub përveç Manchester United që gjeneron më shumë se 200 milionë euro fitime.
Në vend të tretë, në podium, është Bayern München (180 milionë euro). Klubi i vetëm italian në top 10 është Juventus, që përfiton nga sponsorët 101 milionë euro.
Premier League kapërcen murin 1 miliard euro
“SportsProMedia” shton se në total, klubet e Premier League janë ato që kanë fitime më të lartë me më shumë se 1,2 miliardë euro në vit që vijnë nga 440 marrëveshje sponsorizimi. Ndërsa klubet e Bundesligës janë ato që kanë nënshkruar më shumë kontrata (617), ku qarkullimi kap vlerën 734,7 milionë euro në vit.
Në anën tjetër, klubet më të mira spanjolle kanë një numër më të vogël kontratash, 363, krahasuar me kampionatet në Gjermani dhe Itali, por të ardhurat kapin vlerën 678,5 milionë euro.Klubet e Serie A janë në vendin e parafundit të cilat prej marrëveshjeve përfitojnë 439,3 milionë euro. Në fund, Ligue 1 gjeneron 357,8 milionë euro, nga 306 kontrata sponsorizuese, me PSG si klubi më i mirë (112 milionë euro) thuajse një e treta e të gjithë kampionatit.
Sektori financiar, i pari në investime
Është interesante t’i hedhim një sy sektorëve që nënshkruajnë kontrata sponsorizuese. Sektori që investon më shumë para në pesë kampionatet kryesore europiane, me 314 milionë euro, është ai financiar. Sektori automobilistik investon 305 milionë euro, me një numër shumë më të ulët marrëveshjesh – 55, krahasuar me 129 të tilla nga shoqëritë financiare. Kompanitë ajrore renditen në vend të tretë, me raportin më të madh mes investimeve dhe numrit të marrëveshjeve: 266 milionë euro për 22 kontrata.
Nëse shihen sipas kompanive, kompania ajrore Fly Emirates, sponsor fanelle për tre klube në top 10, investon 178 milionë në kontrata sponsorizuese, më shumë se dyfishi i Gazprom, që investon vetëm 80 milionë euro. Sponsori i fanellës për Manchester United (Chevrolet) është i vetmi që i përket sektorit automobilistik, me 60 milionë euro në vit.