Safety & Security Expo 2020.
Të gjitha dimensionet e sigurisë në Expocity Albania.
Në këtë edicion të dytë, Expocity Albania në Tiranë ka hapur dyert në Panairin Ndërkombëtar të Sigurisë, në datat 06-07 Shkurt, një ngjarje e rëndësishme për të gjitha shoqëritë e sektorit të sigurise në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit. Ky panair vjen i shoqëruar me Forumin “Safety&Security” dhe “Cyber Security” me pjesëmarrës të institucioneve publike dhe partnerëve të eventit.
Jo vetëm stenda të hapura për vizitorët, por edhe organizime të workshop-eve në dy ditët e Panairit, e shndërruan këtë organizim në hapësirën ideale të të gjithë aktorëve të sektorit të sigurisë.
Në çeljen e këtij eventi morën pjesë përfaqësues të biznesit të rajonit, si dhe aktorë të rëndësishëm politikëbërës.
Aida Lutaj, drejtoreshë ekzekutive e Expocity Albania, në fjalën hapëse të eventit, theksoi se rritja e rëndësisë së sektorit të sigurisë, kohët e fundit ndihet në të gjitha dimensionet e sektorit si: siguria fizike; siguria në punë; sigurimi; dhe siguria kibernetike, ndaj evente të tilla janë të nevojshme të zhvillohen më shpesh dhe të shërbejnë si platforma komunikimi dhe informimi mbi risite e fundit, por edhe si platforma bashkëpunimi duke i hapur rrugë partnertiteve të reja.
Edicioni i dytë Safety & Security Expo 2020, vjen pas 3 vitesh mungese, me një iniciativë për të bërë bashkë aktorët kryesore të këtij sektori, për të shtuar bashkëpunimet midis tyre si edhe për shkëmbimin e ideve nëpërmjet forumeve: Safety&Security dhe Cyber Security.
Romina Kuko, Zv/Ministër në Ministrinë e Brendshme, informoi të pranishmit mbi “Smart Cities”, e ardhmja e sigurt e qyteteve tona, e cila synon përdorimin e teknologjisë së fundit, kamerave të sigurisë, detektorëve, në favor të policisë së shtetit, policisë rrugore dhe institucioneve të tjera që kanë si qëllim mbrojten e qytetarëve. Ndër të tjera, cilësoi së evente të këtij sektori janë të nevojshme për ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e sigurisë.
Agron Retkoceri, udhëheqës i Divizionit të Sigurisë, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, u shpreh se Safety & Security Expo, ishte i rëndësishëm për të diskutuar sfidat dhe përparimet në fushën e sigurisë, në veçanti ka sjellë produktivitet nëpërmjet forumit ku të gjithë aktorët i vunë në dukje rëndësinë e rolit të insitucioneve, të cilat ishin gjithashtu pjesëmarrëse gjatë forumit.Takimet e tilla janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të diskutuar dhe për të çuar më tej politikat e sigurisë, në veçanti të fushës private të sigurisë.
I pranishëm në event, Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, theksoi se “ky event vjen në një moment të veçantë për vendin tonë, veçanërisht pas gjithë këtyre tronditjeve dhe dëmeve që pësuam si pasojë e tërmeteve të njëpasnjëshme. Unë besoj se është një mundësi e shkëlqyeshme për ne të gjithë që të përdorim këtë event për të shkëmbyer praktika më të mira dhe të mësojmë se si të lidhim punën e përditëshme dhe emergjencat me inovacionin, si shtytës kryesorë për të ecur përpara. Këto nisma të këtij panairi – janë një mundësi e mirë që të gjithë ne t’i shohim gjërat nga këndvështrime të ndryshme, të shkëmbejmë ide, dhe të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të transmetojmë agjendat globale me sukses në zhvillimin e qyteteve tona.”
Ndërkaq, drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Ermal Kapllanaj dhe drejtori i Zjarrfikësve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, prezantuan rolin e institucioneve që ata drejtojnë, në mbarëvajtjen dhe sigurinë urbane.
Safety&Security Expo 2020
Eventi më i rëndësishëm në vendin tonë në sektorin e sigurisë, me një synim për tu zgjeruar në të ardhmen, si platformë komunikimi, informimi dhe bashkëpunimi, mes bizneseve vendase dhe të huaja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.