Pjesëmarrësit në Samitin e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) diskutuan bashkëpunimin brenda bashkimit, përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet me shtetet që nuk janë pjesë e këtij bashkimi, si dhe theksuan objektivat që duhet të realizojnë në të ardhmen dhe ato që i kanë arritur tashmë.
“Detyra jonë më e rëndësishme është të sigurojmë avancimin e mëtejshëm të një aleance, duke përdorur parimin e bashkëpunimit të dobishëm reciprok, duke marrë parasysh mendimet e njëri-tjetrit dhe koordinimin maksimal të vendimeve”, tha presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev.
“Aktualisht, EAEU e ka pozicionuar veten si një shoqatë integruese, me një rritje gjithnjë e më të madhe dhe për ne është shumë e rëndësishme që të ruhet ky trend rritës. Për këtë, është e nevojshme që të zhvillohen dhe të realizohen më tej objektivat kryesorë të bashkimit, një prej të cilëve është zbatimi i axhendës dixhitale. Ne kemi arritur disa rezultate në këtë drejtim dhe unë e kam shpallur këtë vit, si vitin e Zhvillimit Rajonal dhe Dixhitalizimit të Vendit”, tha Presidenti i Kirgistanit, Sooronbay Jeenbekov.
“Jam i bindur se nënshkrimi i një marrëveshje mbi pensionet do të jetë një hap i madh drejt arritjes së barazisë së punëtorëve tanë. E konsideroj të nevojshme të vazhdojmë të punojmë në krijimin e kushteve të favorshme për ta, duke përmirësuar bazën ligjore të këtij bashkimi”, shtoi më tej z. Jeenbekov. Ky propozim u mbështet edhe nga Presidenti rus, Vladimir Putin.
Për të realizuar objektivat e samitit, u nënshkruan 18 dokumente nga përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse. Disa prej objektivave kryesorë përfshinin bashkëveprimet midis shteteve të bashkimit mbi çështje si koordinimi i politikave makroekonomike, disa aspekte të liberalizimit të sektorit të shërbimeve, rregulloret e monopolit natyror, rregullimi i tarifave doganore dhe gjurmimi i mallrave të importuara.
Në përgjithësi, fokusi kryesor i këtij samiti ishte rritja e bashkëpunimit brenda bashkimit, siç e theksoi Presidenti i Parë i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, i cili ishte i pranishëm në samit.
“Duke marrë në konsideratë vendndodhjen e favorshme gjeografike, vendet tona duhet të përshpejtojnë zbatimin e projekteve të mëdha të përbashkëta, aq më shumë që të gjitha vendet që janë pjesë e këtij bashkimi e kanë mundësinë për t’i realizuar ato, tha z. Nazarbayev.
Marrëdhëniet e jashtme të këtij bashkimi ishin një çështje tjetër e diskutuar në samit, ku u morën edhe vendime në lidhje me shkëmbimin e informacionit sa u takon mallrave që kalojnë në zonën e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) dhe të Kinës, si dhe për të krijuar një zonë të tregtisë së lirë midis EAEU dhe Serbisë.
Z. Nazarbayev theksoi nevojën për të rritur bashkëpunimin në marrëdhëniet e jashtme midis këtij bashkimi dhe bashkimeve të tjera. “Ne kemi nevojë të krijojmë bashkëpunim të plotë ekonomik mes EAEU, Bashkimit Europian (BE), (Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait) dhe, ndoshta (Asociacionit të Vendeve të Azisë Juglindore) ASEAN, dhe kjo nuk është absolutisht një detyrë e lehtë.
Por nëse punojmë së bashku, atëherë këto objektiva edhe mund të realizohen, tha më tej z. Nazarbayev.
Pjesa tjetër e dokumenteve që u nënshkruan lidheshin me çështje të brendshme të bashkimit, si emërimi i z. Nazarbayev si kryetar i Zonës së Këshillit Ekonomik Suprem Euroaziatik dhe duke i dhënë atij në shenjë nderimi Medaljen për Kontributin në Zhvillimin e EAEU.
Roli i rëndësishëm që ka luajtur z. Nazarbayev në këtë bashkim u theksua edhe nga të pranishmit e tjerë në samit, veçanërisht nga Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Ekspertët sugjeruan se ish-Presidenti Nursultan Nazarbayev duhet të vazhdojë të angazhohet aktivisht me çështjet e bashkimit, duke përfshirë rishikimin e gjithçkaje që është realizuar në të kaluarën, rivlerësimin e anëtarëve dhe me drejtimet strategjike të veprimtarisë kryesore të këtij bashkimi.
Me këtë gjë ra plotësisht dakord edhe Presidenti i Bjellorusisë, z. Lukashenko, i cili tha se sugjerimi nuk duhet parë si një lloj nderimi ndaj një personi që dje ishte Presidenti i Kazakistanit dhe sot nuk është më, por si një ndihmesë e paçmueshme për të gjithë bashkimin. Më tej, Presidenti aktual i Kazakistanit përmendi rezultatet ekonomike të arritura nga vendet anëtare të EAEU dhe veçanërisht të Kazakistanit.
“Është miratuar Kodi Doganor i EAEU-së, po krijohet një treg i përbashkët i shërbimeve dhe punës dhe po përmirësohen të gjitha procedurat rregullative administrative.
Më shumë se 40 vende të botës kanë shprehur dëshirën për të zhvilluar bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik me EAEU.
“Jam i sigurt se progresi ynë, do t’u ngallë interes shumë vendeve në botë dhe do të na lejojë të ndërtojmë një Euroazi të madhe dhe ekonomikisht të fuqishme në të ardhmen e afërt. Vitin e kaluar, rritja e PBB-së së shteteve anëtare të EAEU ishte 2.5%. Vëllimi i tregtisë së jashtme u rrit 19%, ndërsa eksportet u rritën me 27%. Tregtia e ndërsjellë brenda bashkimit u rrit 9%, tha z. Tokayev.
Në këtë samit ishin të pranishëm, z. Tokayev, z. Nazarbayev, z. Lukashenko, Jeenbekov, z. Putin, Presidenti i Moldavisë, Igor Dodon, Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, kryetari i Bordit të Komisionit Ekonomik Euroaziatik, Tigran Sargsyan, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të CIS (Federata e Shteteve të Pavarura) dhe Sekretari Ekzekutiv, Sergej Lebedev.