Samsung Electronics raportoi të ardhura rekord 59 miliardë dollarë në tremujorin e tretë.
Këto të ardhura u nxitën nga një rritje prej 50% të shitjeve të smartphone-ve, ndërsa të ardhurat nga shitja e microchip-eve u rritën me 82%. Fitimi neto i gjigantit korean në tremujorin e tretë ishte 8,3 miliardë dollarë, me një rritje 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e shitjeve të smartphone-ve dhe chip-eve të Samsung ka ardhur me shumë gjasa nga sanksionet e vëna nga qeveria amerikane ndaj rivalit kinez Huawei.
Ajo reflekton, me shumë gjasa, faktin që Samsung ka reduktuar pjesën e tregut të Huawei për shkak të sanksioneve të vendosura nga SHBA, që kanë goditur gjigantin kinez të telekomunikacioneve. Në gusht, Departamenti i Tregtisë i SHBA tha se do të vendoste sanksione ndaj çdo kompanie të huaj që do t’i shiste chip-e Huawei para se të merrte më parë një licencë.
Administrata e Trump ka vënë në shënjestër disa kompani kineze teknologjike për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare, ndër to Huawei, TikTok e WeChat. Samsung ka pasur gjithashtu rritje të forta të shitjeve të televizorëve dhe pajisjeve elektroshtëpiake me cilësi të lartë, në periudhën korrik-shtator. Megjithatë, Samsung parashikon kohëra të vështira, me rënie të fitimeve në tremujorin e katërt. Kërkesa për chip-e pritet të jetë më e dobët nga ana e klientëve të serverëve dhe konkurrenca më e madhe në telefonat celularë dhe elektronikën e konsumit.
Burimi: BBC