Samsung nënshkruan me Verizon marrëveshje 6,65 mld $ edhe për 5G

08/09/2020 3:37 PM 0 komente

Samsung Electronics Co. nënshkroi një marrëveshje prej 6,65 miliardë dollarësh me Verizon Communications për pajisjet dhe shërbimet e rrjetit. Ky është një hap i madh përpara për kompaninë koreanojugore për t’u bërë një furnizues kyç në rrjetin 5G.

Marrëveshja e Samsung me Verizon, e vlefshme deri në fund të vitit 2025, mbulon kryesisht infrastrukturën 5G, edhe pse përfshin gjerësisht shitjen, instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të rrjetit. Samsung refuzoi të specifikojë se sa nga kjo marrëveshje lidhet direkt me rrjetin 5G. Verizon nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Marrëveshja me Verizon mund të ndihmojë Samsung në forcimin e besueshmërisë në një vit të rëndësishëm për përdorimin e 5G, mbi të gjitha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – thanë analistët. Përdorimi i teknologjisë se gjeneratës së re pritet të zgjerohet në mënyrë të ndjeshme pas lançimit të parashikuar në këtë fund viti të telefonit të parë 5G të Apple Inc.

Lançimi në nivel botëror i telefonave të gjeneratës së fundit është vonuar nga pandemia e koronavirusit. Prodhuesit e telefonave celularë po ulin çmimet e pajisjeve 5G, duke u përpjekur të tërheqin blerësit skeptikë.

Samsung renditet në vendin e katërt sa u përket shitjeve në rrjetin 5G, me 13% të tregut total, sipas shoqërisë së kërkimit në treg, Dell’Oro Group. Në vendin e parë qëndron kompania kineze Huawei Technologies Co. ndjekur nga dy kompani europiane, Ericsson AB dhe Nokia Corp

Në fillim të këtij viti, Huawei njoftoi se ka nënshkruar më shumë se 90 kontrata 5G, ndërsa Ericsson nënshkroi muajin e kaluar, “kontratën e 100 komerciale” në 5G. Kompania koreanojugore nuk e ka bërë të ditur se sa marrëveshje 5G ka nënshkruar. Por ajo ka shpresa të mëdha, duke qenë se vetëm në tregun amerikan ka investuar më shumë se 30 miliardë dollarë.

Burimi: The Wall Street Journal

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of