Flet Arben Çipa, Shoqata e Hotelierëve në Sarandë
Saranda këtë vit nuk po shkëlqen në turizmin e organizuar, pavarësisht heqjes së kufizimeve dhe mundësisë së transfertave nga Aeroporti i Korfuzit.
Por kjo mungesë po kompensohet nga një numër i lartë i turistëve individualë.
Arben Çipa, nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë, shprehet se bëhet fjalë për turistë të rinj, kryesisht çifte nga vendet e Europës, të cilët kanë interes për të njohur jo vetëm Sarandën, por disa destinacione në të njëjtën kohë. Ai nënvizon se për shkak të mungesës së një aeroporti afër me Sarandën, operatorët e huaj hezitojnë për të rritur numrat e turizmit të organizuar.
Si sezon është me popullsi turistike të konsiderueshme, veçse ka ndryshuar formati i turistit. Nëse deri vitin e kaluar, kemi pasur familjarë si turistë, këtë vit vihet re fenomeni i çifteve me moshë të re dhe pjesa më e madhe, rreth 90% e tyre janë turistë perëndimorë.
Janë spanjollë, francezë, anglezë që vijnë në mënyrë individuale, përmes rezervimeve në platformat online si Booking. Vijnë nga Korfuzi që është rruga më e lehtë për fluturimet dhe që europianët e kanë shumë më të lehtë për të aksesuar Sarandën.
Po net-qëndrimet e turistëve si paraqiten?
Përgjithësisht janë javore, por siç thashë ndryshimi i formalitetit të turistëve në çifte të reja e bën pak më të ndryshëm edhe aktivitetet që kërkojnë. Përgjithësisht shfrytëzojnë automjetet me qira dhe lëvizin. Nuk i shohim shumë shpesh në qytet.
Pushimet e tyre janë të shpërndara në drejtim të Beratit, Gjirokastrës dhe ditën e fundit në Sarandë. Shpenzimet që bëjnë janë normale, pra brenda asaj mesatares tipike të një turisti në vendin tonë, veçse efekti i këtij shpenzimi është sërish i shpërndarë dhe nuk e mat dot efektin.
A ka pasur rritje të kapacitetit akomodues këtë vit në Sarandë në kuptimin e hoteleve të rinj?
Në Sarandë, në fakt, ka ndërtime të reja, që janë struktura të ndërtuara me besimin se do të rritet lëvizja, por nuk janë për akomodim hotelier. Janë apartamente në dispozicion për shitje.
Kapaciteti i hotelerisë nuk është shtuar me ndonjë ritëm të jashtëzakonshëm, ka ndjekur atë tendencën që ka edhe vetë sektori.
Vërej se shfrytëzimi i apartamenteve për shitblerje ka lulëzuar. Janë porosi të bëra nga të huajt, që më pas i kalojnë me dokumente në emrin e tyre pas përfundimit.
Po prania e shqiptarëve të Kosovës, si është në Sarandë këtë vit?
Kemi shqiptarë nga Kosova që janë turistë mjaft të mirë për kohën dhe qëndrimi i tyre kryesisht vetëm për fundjava.
Gjithsesi besojmë se nga mesi i korrikut e në vazhdim do të jetë ajo dallga e turistëve javorë që kanë pushime të planifikuara vjetore dhe ku bën pjesë edhe grupi i turistëve nga rajoni.
A kemi një vlerësim mbi rezervimet apo atë që njihet si okupancë (zënie) e dhomave në hotele?
Është ajo që po ju thosha pak më parë, janë shtuar shumë kapacitetet e apartamenteve që përdoren nga turistët për akomodim dhe turisti është shpërndarë mes këtyre strukturave dhe atyre hoteliere dhe nuk mund të kesh një ide të qartë.
Pozitive këtë vit është se janë shtuar kompanitë italiane dhe kemi një preferencë në rritje të turistëve italianë për të vizituar Sarandën. Ky format turisti zgjedh apartamentet. Besoj se së shpejti do të nisë edhe linja e tragetit Itali-Sarandë, që do të sjellë një fluks edhe më të madh turistësh nga korriku në shtator.
Sa i takon Durrësit dhe Sarandës për turizmin e organizuar, si është situata këtë sezon duke qenë se ju si tur-operator keni aktivitet në gjithë vendin?
Për Durrësin, nga viti në vit, janë shtuar shumë kapacitetet dhe normalisht kjo ka ardhur si rezultat i kërkesës, pra ka më shumë turistë. Kërkesa për Durrësin mbetet disa herë më e lartë sesa mundësia për të akomoduar turistët. Ai që luan rol kryesor në këtë lulëzim turistik të Durrësit është Aeroporti i Tiranës, që lehtëson shumë transfertat.
Kurse për Sarandën, situata është e vakët, sa u takon operatorëve, pasi pamundësia e fluturimeve të afërta sjell hezitimin e prenotimeve për operatorët turistikë, që punojnë në mënyrë të organizuar. Largësia nga Aeroporti i Tiranës e bën të vështirë zhvendosjen e turistit drejt Sarandës.
Po çmimet, si janë këtë vit?
Këtë vit ka pasur një ndryshim të vogël të çmimeve, 10%, sepse kontratat ishin të lidhura tashmë. Kurse pjesa jashtë kontratave mund të ketë shënuar rritje deri në 30% për një pjesë të hotelerisë që është më cilësore. Kjo ka ardhur si efekt i rritjes së kostove në disa aspekte.
Po sa i takon Ksamilit, si është tendenca për këtë sezon?
Ksamili duket mirë, pasi kanë ndryshuar kapacitetet dhe bizneset janë bërë më serioze në cilësi dhe në konceptin e të bërit turizëm, por kapaciteti i lartë në plazhe sjell pakënaqësi te shërbimi i turistëve. Nuk kanë munguar raste të izoluara problematike, me menaxhimin që krijojnë probleme dhe që ndikojnë negativisht dhe paralizojnë gjithë zonën.
Në Ksamil pritet të ndërtohet bulevardi i ri që do t’i jepte një tjetër pamje dhe imazh turizmit në këtë zonë, që i ka të gjitha asetet e nevojshme për t’u zhvilluar edhe më tej.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.