Klubi gjerman Schalke 04 ka hequr logon e Gazprom si sponsor kryesor i fanellës, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Në dritën e ngjarjeve, zhvillimeve dhe përshkallëzimit të ditëve të fundit, FC Schalke 04 vendosi të heqë logon e sponsorit kryesor, Gazprom, nga fanellat” – shkruan Schalke në një deklaratë.
Vendimi u mor pas bisedimeve me filialin gjerman Gazprom, i cili është sponsor i klubit gjerman që prej vitit 2007. Schalke tha gjithashtu se Matthias Warnig, përfaqësues i Gazprom në bordin mbikëqyrës të klubit, do të tërhiqej nga roli i tij.
Ai është CEO i gazsjellësit Nord Stream 2 dhe një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Kompania dhe CEO personalisht ishin gjithashtu në shënjestër të sanksioneve të SHBA të shpallura të mërkurën.
“Jemi të tronditur nga situata në Ukrainë” – tha drejtuesi i zyrës së shtypit të Schalke, Marc Siekmann. Prej 15 vjetësh, Gazprom është sponsor kryesor i Schalke. Gazprom, për momentin, derdh në arkat e klubit rreth 10 milionë euro në vit në shkëmbim të publicitetit. Marrëveshja mes palëve u zgjat deri në vitin 2025 vetëm disa muaj më parë.