Nëse për të kuptuar se çfarë ndodh në trupin e njeriut shërben gjenomika, për të kuptuar vërtet efektet psikologjike dhe fizike të pajisjeve teknologjike, shërben “screenomika”, që është një studim i thelluar për të kuptuar se si e shpenzoni kohën tuaj me një smartphone, laptop apo TV.
Ky term i ri përmendet nga disa kërkues në një editorial në Human-Computer Interaction, sipas të cilit matja vetëm e ‘screen time’, koha që kaloni para ekranit, është e pamjaftueshme.
Metodat aktuale për të regjistruar përvojat dixhitale – shkruajnë ekspertët – rindërtojnë vetëm një pjesë të “jetës dixhitale”. “Mjaft të mendoni se çfarë bëni ndërkohë që mund të prisni autobusin – shpjegon Byron Reeves nga Universiteti i Stanford për New York Times. Ju mund të dërgoni mesazhe, të shikoni një video për të qeshur, të luani një videolojë, të blini bileta për të shkuar në një koncert, të bëni selfie etj. E vërteta është se askush nuk e di se çfarë bëjnë njerëzit para ekraneve dhe për të kuptuar se çfarë ndodh, duhet ta dimë”.
Për të matur “sreenomikën” e një personi, kërkuesit sugjerojnë marrjen e screenshot-eve brenda disa sekondash. Në artikull sillen shembuj të dhjetëra personave, ku del se njerëzit ndryshojnë aktivitet çdo 20 sekonda dhe rrallë kalojnë më shumë 20 minuta pa ndërprerje në një aplikacion të vetëm. “’Screenoma’ e një personi do të shërbente për të kuptuar më mirë efektet e këtyre aktiviteteve, – thonë në përfundim autorët – për shembull në zhvillimin e depresionit”.