Intervista për “Monitor” e z. Erkan Tabak, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Grupit të Financës në ALBtelecom dhe Eagle Mobile
2012-a ka qenë i vështirë për bizneset, të mbërthyera mes pasojave të krizës ekonomike dhe tkurrjes së shpenzimeve të konsumatorëve. Kompanive të telefonisë së lëvizshme do t’u duhet të përballen, çërveç këtij ambienti të vështirë, edhe me konkurrencë e shtuar brenda sektorit, ku numri i operatorëve është katër dhe të gjithë po luftojnë për një treg, ku penetrimi vlerësohet që i ka kalua 150%. Nuk është e lehtë as konkurrenca në tregun e liberalizuar të telefonisë fikse.
Z. Erkan Tabak, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Grupit të Financës në ALBtelecom dhe Eagle Mobile (të segmentuar në ofrimin e tre shërbimeve kryesore,ADSL, telefoni fikse dhe celulare) flet në një intervistë për Monitor lidhur me ecurinë e tyre. Ai komenton gjithashtu dhe autorizimin e tretë 3G (të gjeneratës së tretë), për të cilin së fundmi kompania ofroi 4 milionë e 355 euro, nga 4 milionë euro që ishte çmimi dysheme i vendosur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Si e vlerësoni ecurinë e ALBtelecom dhe Eagle Mobile në 8 muajt e parë të këtij viti?
Edhe pse ndikimet e krizës financiare mbizotërojnë në kushtet shqiptare të tregut, ALBtelecom dhe Eagle Mobile janë në kushte më të mira se vitin e kaluar. Kjo është arritur me anë të shumë kushteve efektive të punës, diversifikimin e produkteve tona dhe ofertat e shumta për klientët tanë.
Vitet e fundit konkurrenca në treg është rritur, në një kohë kur Banka e Shqipërisë ka konstatuar se ka një tkurrje të shpenzimeve konsumatore. Si është pozicionuar në këtë garë ALBtelecom dhe Eagle?
Industria e telekomunikacionit është një treg shumë interesant dhe i sofistikuar. Konkurrenca në industrinë tonë është diçka që ne jetojmë me të dhe ka konkurrencë të ndershme dhe të pandershme në këtë industri. Siç e dini tashmë ka edhe një ent rregullator shtetëror që rregullon tregun. Për aq kohë sa ekziston një konkurrencë e ndershme, ne gjithmonë favorizojmë abonentin tonë për të bërë që ai të përfitojë vlerën më të mirë për paranë që konsumon. Qëndrueshmëria në treg është gjithashtu mjaft e rëndësishme për ne. Pra, me anë të segmentimit dhe ofrimit të tre shërbimeve kryesore (ADSL, telefoni fikse dhe celulare) ofertat tona krijojnë vlerën më të mirë për klientët tanë.
Cilat janë pikat e forta e kompanisë suaj?
Ne jemi ndoshta një prej kompanive më të vjetra në Shqipëri dhe kjo trashëgon një përvojë shumë të thellë të biznesit të telekomunikacionit, të burimeve njerëzore dhe infrastrukturës masive shumë të plotë.
Duke qenë degë e njërit prej grupeve më të mëdha të Turqisë, ne jemi në gjendje të vazhdojmë investimet për të kapur çdo ndryshim të kohës dhe për të plotësuar kërkesat e industrisë. Fuqia jonë më e madhe është mundësia për t’u ofruar klientëve tanë zgjidhje të plotë komunikimi në shërbimin PSTN-telefoni fikse, celulare dhe internet. Cilësia e lartë e shërbimit, vlerat e pozitive që ofrojmë janë pika e vetme e kontaktit për klientët tanë.
Çfarë produktesh të reja mendoni të hidhni në treg?
Ne do të vazhdojmë të ofrojmë për klientët tanë paketa të reja me tre shërbimet e përfshira, të cilat do t’ua bëjnë jetën më të lehtë dhe më të lirë. Ne po planifikojmë të ofrojmë edhe shërbimin IPTV shumë shpejt, pra televizionin nëpërmjet linjës së telefonit fiks.
Ju sapo jeni emëruar si Drejtor i Grupit të Financës së kompanisë. Cilat janë sfidat tuaja në këtë pozicion?
Unë e njoh mirë industrinë e Telekomunikacionit. Tashmë po përpiqem të kuptoj kushtet specifike të cilat e diferencojnë negativisht apo pozitivisht tregun shqiptar nga vendet e tjera ku kam punuar. Kjo është diçka që unë duhet ta kuptoj shumë shpejt. Po të mos ishte kjo pjesë nuk do të ndjeja se po përballem me një sfidë të veçantë, por me kërkesat e përditshme të biznesit.
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të telekomunikacionit gjatë këtij viti?
Unë nuk kam qenë këtu vitet e kaluara, por mund të krahasoj të ardhurat e kompanive që tregojnë rezultate të ndryshme për çdo kompani.
Për avancimin e të gjithë tregut, enti rregullator luan rol vendimtar. Konkurrenca e ndershme dhe modelet e qëndrueshme të biznesit janë shumë të rëndësishme.
Në këtë drejtim, pra në modelet e qëndrueshme të biznesit në tërësi, progresi nuk duket se është dhe aq shpresëdhënës. Por ky sektor vazhdon ta zhvillojë veten sipas kushteve që ndryshojnë.
Ju keni ofruar kohët e fundit 4 milionë dhe 355 euro për licencën e tretë 3G. Si e vlerësoni ju këtë proces dhe çfarë do të sjellë ky autorizim për Eagle?
Ne duhej të plotësonim ofertën tonë për klientët. Kjo është arsyeja që na shtyu të blejmë këtë licencë. Nga ana financiare ky nuk ishte investimi më i mirë që kemi bërë. Për shkak të çmimeve në rënie mendoj se kjo do të marrë një kohë të gjatë për të rikuperuar investimin tonë. Por ne duhej të kompletonim paketën e shërbimeve tona për klientët dhe ky zhvillim do të sjellë energji të mëtejshme në konkurrencë për ne.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.