Pastrimi i detit nga plastika sot është i mundur, falë Seabin, kosh automatik që filtron ujin dhe mbledh mbeturinat. Bëhet fjalë për një teknologji në fillesat e saj, që mbledh sasi të vogla, por gjithsesi është një hap para i rëndësishëm.
Seabin, ekzemplari i parë i të cilit është instaluar disa ditë më parë në portin Marina di Varazze në Savona, është realizuar në kuadër të projektit LifeGate PlasticLess, për reduktimin e plastikës në detet italiane në bashkëpunim me Volvo. Nisma e LifeGate PlasticLess ka lindur për të luftuar një plagë të vërtetë mjedisore.
Risia e Seabin është që mund të kapë edhe mikroplastikat nga 5 në 2 milimetra diametër dhe mikrofibra deri në 0.3 milimetra, mbeturina veçanërisht të dëmshme, pasi hyjnë në ciklin tonë ushqimor nëpërmjet peshqve dhe kripës. Pajisja mund të mbledhë deri në 1,5 kilogramë mbeturina në ditë dhe thuajse 500 kilogramë në vit. Seabin zhytet në ujë, i kapur pas një moli lundrues, me pjesën e sipërme në nivelin e sipërfaqes. Duke shfrytëzuar rrymat e ujit, erën dhe një pompë elektrike, uji filtrohet dhe mbeturinat përthithen në brendësi të koshit që mund të mbajë deri në 20 kilogramë. Kur koshi mbushet plot, zbrazet dhe pastrohet në mënyrë manuale.
Edhe pse nuk mund të përdoret në det të hapur, pasi kërkon një lidhje elektrike, ai rezulton jashtëzakonisht efikas në zona si portet, që janë “pika akumulimi” të mbetjeve të pranishme në det. Ndër të tjera, roboti funksionon 24 orë në ditë. Plastika e mbledhur, e cila ripërdoret me qëllim industrial, mund të përdoret nga LifeGate për të prodhuar për shembull peshqirë plazhi dhe bluza sportive.
“Jemi të lumtur që kemi hyrë në fazën operative të projektit” – shprehet Enea Roveda, CEO i LifeGate. “Përhapja e Seabin është objektivi parësor i nismës, pasi përfaqëson një zgjidhje konkrete që mbështet mbledhjen e plastikës dhe mikroplastikës, duke iu shtuar sensibilizimit të opinionit publik në ndërmarrjen e veprimeve të përditshme për mbrojtjen e shëndetit të deteve tona dhe parandalimin e materialeve plastike në mënyrë të ndërgjegjshme”.
SIPAS WORLD ECONOMIC FORUM “NE HEDHIM NË OQEANE NJË KAMION PLOT ME PLASTIKË NË MINUTË, ÇDO DITË, PËR 365 DITË TË VITIT”
PLATIKA NË SHIFRA
Ndotja e detit nga plastika është një ndër problemet kryesore mjedisore në botë. Aktivistët thonë se po përkeqësohet me një ritëm katastrofik. Edhe pse është e vështirë të japësh vlerësime, mendohet se në oqeanet tona ka rreth 150 milionë tonë plastikë. Këtyre u shtohen edhe 8 milionë tonë plastikë në vit.
Sipas aktivistëve, kjo është ekuivalente me një kamion plot me plastikë të hedhur në oqean çdo minutë, çdo ditë, për 365 ditë të vitit. Nëse vijojmë me ritmin aktual, sipas një raportit të Forumit Ekonomik Botëror, në oqeane, brenda vitit 2050 do të ketë më shumë plastikë se peshq, në aspektin e peshës.