Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit të buxhetit të Kosovës. Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar rishikimin e buxhetit.
Seanca për shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 do të nisë prej orës 11:00.
Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.
Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.
Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.
Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh.
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami gjatë ditës së djeshme ka thënë se pasi ligji të kalojë në Kuvend, ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi, ku presidenti i Kosovës ka tetë ditë afat për ratifikim, pas së cilës mund të fillojë ekzekutimi i masave nga pakoja emergjente fiskale.
“Secili ligj pasi të hyjë në Kuvend ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi. Presidenti i Kosovës ka shtatë ose tetë ditë afat për ratifikim, besoj për shkak të situatës do të kërkojmë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet me një afat më të shkurtër… Janë gjëra në këtë moment që nuk varen nga ne, por varet nga votimi në seancë dhe gjithashtu nga Zyra e Presidentit se kur ai do ta dekretojë dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. Në momentin që kjo ndodhë, ne si ministri dhe thesari është i gatshëm të fillojë ekzekutimin e pagesave”.
Afati i publikimit në Gazetën Zyrtare është tetë ditë pune. Kështu që edhe në këtë javë nuk pritet të ketë zbatim të masave ose paga 170 euro për punëtorët.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti javën e kaluar kishte thënë se shpreson se do të kalojë buxheti në lexim të dytë.
“Rishikimi i buxhetit ka kaluar në lexim të parë, ka kaluar me sa e di edhe në komisione janë shqyrtuar amendamentet e ndryshme. Unë pres që të hënën ose të martën të finalizohet dhe besoj që gjatë javës së ardhshme duhet të hyjë në seancë për lexim të dytë dhe të përmbyllet. Krahas kësaj e kemi dërguar në Kuvend edhe ligjin për rimëkëmbje ekonomike, ku përfshihet ndryshimi i shtatë-tetë ligjeve të ndryshme në nene të caktuara, për të bërë të mundurën zbatimin për pako të rimëkëmbjes ekonomike”, kishte theksuar Hoti.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar më 13 korrik në lexim të parë Projektligjin nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.