Rreth 68% të punimeve janë kryer deri në fund të 2020-s në projektin e ndërtimit të aksit Qukës-Qafë Plloçë. Punimet në segmentin rrugor kanë nisur në 2011 dhe parashikohej të përfundonin në 2019.
Realizimi i projekteve është i ndarë në 3 Lote me vlerë 18,2 mld lekë. Sipas raportit të monitorimit të Ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjetikës nga 2015 deri në 2020 për ndërtimin e 3 segmenteve të projektit është shpenzuar 12,2 mld lekë nga totali i vlerës të kontratës. Në muajin gusht të vitit të kaluar Ministria e Infrastrukturës njoftoi se për përfundimin e rrugës do të duheshin edhe 24,5 milionë euro shtesë financimi për shkak të rrëshqitjeve në shpatin e kilometrit të 8-të.
Referuar të dhënave konkretisht vlera totale e kontratës vetëm për Lotin e parë ishte 5,4 mld lekë dhe deri në fund të 2020 është shpenzuar 76% e totalit. Në 2020 për Lot 1 u parashikuan të shpenzoheshin 700 mln lekë. Deri në fund të vitit realizimi financiar rezulton vetëm për 2020 rezulton 97%.
Ecuria e punimeve në Lotin 2 të segmentit Qukës-Qafë Plloçë nga nisja e punimeve në 2015 deri në fund të 2020 rezulton me 80%. Edhe në këtë Lot vihet re se shpenzimet financiare të parashikuara në 2020 kanë ecuri të kënaqshme. Në këtë vit për punimet në Lotin 2 janë shpenzuar 496 mln lekë nga 500 mln që ishte fondi buxhetor i parashikuar.
Në Lotin 3 të segmentit Qukës- Qafë Plloçë nga fondi i parashikuar në 2015 me vlerë rreth 4,6 mld lekë janë shpenzuar 51% e totalit. Për këtë Lot të segmentit rrugor që projekti i supervizorit është hartuar që në 2014 nuk ishin parashikuar shpenzime fondesh për 2020.
Segmenti i ri do të ketë gjatësi prej 43 km. Rruga në 10 km e para kalon përgjatë lumit Shkumbin dhe me pas vazhdon në malësinë e Mokrës, zonë e cila njihet për si një zone me male të larta dhe të thepisura dhe për shkak te saj do të ndërtohen një numër i madh muresh mbajtës dhe pritës, me shume se 20 (njëzet) ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m i gjatë. Rruga do te ketë gjerësi prej 12 m, nga te cilat 2 korsi me gjerësi 3.75 m secila (7.5 m total), 2 bankina te asfaltuara me gjerësi 1.5 m secila dhe 2 bankina të pa asfaltuara me gjerësi 1 m secila. Projekti është ndarë ne 3 seksione ndërtimi, nga te cilat 2 seksionet e para do te financohen nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB) dhe seksioni i tretë do të financohet nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD)./ D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
KUR PERFUNDON KY SEGMENT?