Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko i ka bërë sërish thirrje politikëbërësve që të fokusohen në kryerjen e reformave. Këtë mesazh Sejko e ka dhënë gjatë fjalës që ka mbajtur në në seminarin e nivelit të lartë me temë “Rishqyrtimi i bashkërendimit midis politikës monetare dhe politikës fiskale”, organizuar nga Banka e Sllovenisë në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko diskutoi mbi kontributin dhe rolin e politikës monetare në kushtet e një politike fiskale konsoliduese referuar eksperiencës shqiptare. Në fund të fjalimit, Sejko për të disatën herë kohët e fundit e dha sërish mesazhin për politikëbërësit: “Duhet që gjithmonë t’i kujtojmë vetes se çfarë mundet dhe nuk mundet të arrijë politika monetare: ne mund të ndikojmë mbi variablat nominalë të ekonomisë, domethënë nivelin e çmimeve, por nuk mund të ndikojmë as mbi rritjen afatgjatë dhe as mbi prosperitetin e përgjithshëm në ekonomi. Në këtë drejtim, mendoj se duhet që gjithmonë t’i kujtojmë politikanët për përmbushjen e detyrave të tyre në lidhje me reformat strukturore dhe shfrytëzimin sa më mirë të frymëmarrjes që u jep politika monetare.
Me herwt Sejko parashtroi njw vëzhgim mbi politikat monetare e fiskale tw fokusuar nw tre drejtime:
- Së pari, politika monetare mbetet e efektshme edhe në prani të konsolidimit fiskal. Në Shqipëri, ne kemi pasur mundësinë t’i sjellim normat e interesit në një trajektore zbritëse dhe të nxisim rritjen e kreditimit në monedhën vendase. Megjithatë, efektshmëria e politikës monetare është frenuar nga tkurrja fiskale. Lëvizja në kahe të kundërta e këtyre dy politikave nuk do të ishte ideale në ditë të mira, dhe aq më pak e tillë në prani të rregullimit të bilanceve të sektorit privat dhe primeve më të larta të rrezikut dhe uljes së levës financiare (deleveraging) në sektorin financiar.
- Së dyti, politika monetare mundet ta përmbushë objektivin e stabilitetit të çmimeve edhe në prani të konsolidimit fiskal. Megjithatë, kjo duhet shtjelluar më tej. Nga një këndvështrim më afatgjatë, inflacioni mbetet një dukuri monetare. Nëse një bankë qendrore është e angazhuar për objektivin e stabilitetit të çmimeve dhe asaj i jepet kohë e mjaftueshme në mënyrë që mekanizmi i transmetimit të funksionojë, nuk duhet të ketë arsye pse të mos jemi në gjendje t’i arrijmë objektivat e inflacionit. Gjithsesi, këtu ka dy parakushte që duhen mbajtur parasysh:
- Në funksion të arritjes së objektivit të inflacionit, banka qendrore mund të detyrohet të përdorë instrumente jotradicionale të politikës monetare. Ky është rasti kur bankat qendrore luajnë në limitet e instrumenteve konvencionale të politikës monetare (kufiri i poshtëm zero i normave bazë apo niveli ekstrem i mosmarrjes së rrezikut nga sistemi financiar). Siç e dimë, instrumentet jotradicionale mund të sjellin shtrembërime dhe, në të njëjtën kohë, të na paraqesin rreziqe me pasoja të paqëllimshme për stabilitetin financiar. Në rrethana të caktuara, rreziku që shoqëron përdorimin e instrumenteve jotradicionale të politikës monetare mund të jetë aq i fortë sa të kërkojë rishikimin e qëndrimit apo shpejtësisë së konsolidimit fiskal.
- Një periudhë e tejzgjatur me norma inflacioni nën objektiv mund t’i veçojë pritjet për inflacionin nga objektivi i bankës qendrore për inflacionin, duke kërkuar kështu një politikë monetare më aktive. Ky nuk është një argument kundër miksit të politikave në vetvete; për më tepër, ai është një sinjal i qartë për rolin kyç që duhet të ketë komunikimi i bankës qendrore dhe administrimi i pritjeve të agjentëve.
- Së treti, nuk duhet ta mbingarkojmë politikën monetare me një mori qëllimesh, përndryshe rrezikojmë të humbasim besueshmërinë tonë. Ndërkohë që financat publike janë zhytur në detyrime, politikanët janë mëse të kënaqur që barrën e rimëkëmbjes ekonomike t’ua ngarkojnë bankave qendrore. Si bankierë qendrorë, ne mund të gëzojmë vizibilitetin, po duhet të tregohemi të kujdesshëm që kjo të mos na marrë përpara. Duhet që gjithmonë t’i kujtojmë vetes se çfarë mundet dhe nuk mundet të arrijë politika monetare: ne mund të ndikojmë mbi variablat nominalë të ekonomisë, domethënë nivelin e çmimeve, por nuk mund të ndikojmë as mbi rritjen afatgjatë dhe as mbi prosperitetin e përgjithshëm në ekonomi. Në këtë drejtim, mendoj se duhet që gjithmonë t’i kujtojmë politikanët për përmbushjen e detyrave të tyre në lidhje me reformat strukturore dhe shfrytëzimin sa më mirë të frymëmarrjes që u jep politika monetare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.