Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë të mërkurën në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
Tryeza kishte për qëllim të diskutonte çështjet kryesore me të cilat po përballet aktualisht Shqipëria, të tilla si sfidat e paraqitura nga ndryshimet e shpejta klimaterike, vështirësitë ekonomike që rrjedhin nga historia e vendit, situata e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19 dhe sfidat e qeverisjes.
Gjatë fjalës të tij, Guvernatori Sejko u shpreh se është shumë e rëndësishme që ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë të fillojë me gjetjen e një rrugë të sigurt për të dalë nga pandemia.
“Nga njëra anë, politikat ekonomike duhet të vazhdojnë të ushqejnë rimëkëmbjen dhe të shmangin heqjen e nxituar të stimulit. Nga ana tjetër, vëmendje e duhur duhet t’i kushtohet monitorimit të rreziqeve të mundshme që dalin nga mbingarkesa e borxhit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, dhe rritjen e inflacionit,” tha Sejko.
Guvernatori theksoi se sektori bankar luajti një rol tepër të rëndësishëm në përgjigjen ekonomike të Shqipërisë ndaj pandemisë COVID-19, duke lehtësuar rimëkëmbjen. Ai sugjeroi që strategjitë e huadhënies së bankave të balancohen midis optimizimit mbi fitimin e pritshëm dhe shërbimit të interesave të komunitetit, duke ndarë më shumë fonde për bizneset që krijojnë më shumë vende pune.
Me tej, Guvernatori shtoi se një risi zhvillimi i të cilës u përshpejtua gjatë pandemisë ishte i teknologjia e informacionit, e cila ka krijuar mundësi për inovacion financiar dhe ka sfiduar modelet bankare klasike. Instrumentet e reja të pagesës dhe kreditit, aktorët e rinj të tregut financiar, si dhe modelet e reja të biznesit, të tilla si bankat dixhitale dhe pagesat elektronike, rritën depërtimin e shërbimeve financiare.
Sipas tij, edhe sektori privat duhet ta përqendrojë fokusin e tij, duke përshtatur strategjitë dhe praktikat e biznesit me tendencat në zhvillim, si p.sh. revolucioni i IT-së, i cili ka bërë të mundur zhvendosjen e një pjesë të biznesit në internet, duke rritur fleksibilitetin dhe efikasitetin operacional.
Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori nënvizoi që sigurimi i rritjes së qëndrueshme kërkon një agjendë të qartë reformash në fusha të ndryshme si: lufta kundër informalitetit, edukimi dhe përfshirja financiar, investimet e huaja, si dhe bashkëpunimi rajonal e më gjerë; të cilat kanë ndikimin e tyre në procesin e integrimit evropian të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.