Sejko: Kriza ekonomike që solli pandemia do të jetë më afatshkurtër se ajo e vitit 2008

14/01/2021 1:58 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë mendon se kriza ekonomike që shkaktoi pandemia e Covid-19 do të zgjasë më pak krahasuar me krizën globale të vitit 2008.

Gjatë fjalës në forumin vjetor për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore që organizohet nga Euromoney, Guvernatori Gent Sejko, tha se ndikimet negative pritet të jenë të një natyre më afatshkurtër dhe kthimi duhet të jetë i shpejtë nëse situata me vaksinimin ndaj Covid-19 shkon drejt normalizimit

Sipas tij, pasojat ekonomike erdhën si rezultat i kufizimeve të vendosura dhe jo i një flluske që shpërthen duke shkaktuar një krizë të madhe si ajo e 2008-s.

Në krizën aktuale, politika publike ka qenë e natyrës së drejtpërdrejtë, duke ndërhyrë për të kompensuar financiarisht bizneset dhe familjet, për të ardhurat e humbura me një seri mjetesh të ngjashme, me atë të krizës së mëparshme. Si e tillë, ndërhyrja e politikave kishte një efekt të drejtpërdrejtë pozitiv dhe pritet të parandalojë ndërtimin e dobësive afatgjata në sektorin privat.

Guvernatori theksoi se masat e marra gjatë kohës së pandemisë nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare kishin në fokus mbrojtjen e biznesit, familjeve dhe sistemit financiar nga efektet negative të krizës duke pasur si qëllim shmangien e kthimit të kësaj goditje të pashmangshme afatshkutër në një krizë afatgjatë.

Duke u ndalur në masat e marra nga Banka e Shqipërisë, në përgjigje të situatës së krijuar, Guvernatori përmendi uljen e normës bazë të interesit dhe shtimin e injektimeve të likuiditetit, lehtësimin rregullator të përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive, pezullimin e pagesave të dividentit në sektorin bankar, si dhe, heqjen e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet e pagesave.

Guvernatori theksoi se sektori bankar ka dhënë gjithashtu një kontribut mjaft pozitiv në përballimin e krizës. Ky sektor iu përgjigj pozitivisht dhe në mënyrë aktive vendimit për shtyrjen e pagimit të kësteve të kredisë për kategori të caktuara huamarrësish dhe ristrukturimit të kredive për kategori të tjera, e cila ka zhvendosur një pjesë të barrës financiare të krizës në bilancet e këtij sektori. Ndërkohë, rritja e kreditimit ka vazhduar dhe ka ndihmuar me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe ka mbështetur vijimin e investimeve.

Sejko tha se kriza nga pandemia ka stimuluar inovacione të mëdha dixhitale dhe financiare si përgjigje e masave të distancimit social, regjimeve të punës nga shtëpia dhe ndryshimit të sjelljes së konsumatorit. Në këtë drejtim vihet re një rritje e kërkesës për përdorimin e instrumenteve elektronikë, kërkesë e cila, sipas tij, është akomoduar më së miri nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet përmirësimeve infrastukturore të sistemeve të saj, uljes së kostos së përdorimit të këtyre sistemeve dhe miratimit të Ligjit për Shërbimin e Pagesave.

Në përfundim, Guvernatori nënvizoi se, në një perspektivë afatmesme e afatgjatë, me zbutjen e efekteve negative të pandemisë, pritet që agjenda e politikave ekomomike si dhe e reformave strukturore në vend të kthehet në qëllimet e saj strategjike të para krizës, me qëllim rikthimin e rritjes ekonomike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of