Banka e Shqipërisë zhvilloi ditën e enjte ceremoninë e hapjes së Javës së Parasë 2022.
Në fjalën e tij, Guvernatori, Gent Sejko, theksoi rëndësinë e edukimit financiar si faktor i rëndësishëm që i shërben stabilitetit financiar të vendit. Sejko tërhoqi vëmendjen tek pabarazia shoqërore dhe efekti që situata aktuale mund të ketë për thellimin e saj.
Sipas tij, krizat, veçanërisht pandemitë e luftërat, prekin më shumë dhe më shpejt shtresat e varfra, që janë njëkohësisht edhe shtresat me nivelin më të ulët të edukimit dhe përfshirjes financiare.
“Banka e Shqipërisë e ka shndërruar kulturën dhe përfshirjen financiare në një prej objektivave të rëndësishëm të mandatit të saj. Ne jemi proaktivë jo vetëm në zhvillimin e tregut dhe infrastrukturës së produkteve financiare, por edhe në rritjen e njohurive mbi këto produkte dhe kulturën financiare në përgjithësi.
Është e domosdoshme që individët me të ardhura minimale të mund të kenë akses dhe të përfitojnë nga produktet bazë bankare, të tilla si llogaritë rrjedhëse. Banka e Shqipërisë, përmes ndryshimeve ligjore dhe institucionale ka krijuar mundësinë që produktet bazë financiare të përfitohen nga individët pa kosto apo me kosto minimale.
Si rezultat, shumë shpejt do të ketë alternativa më të lira dhe më të shpejta që do të konkurrojnë produktet ekzistuese financiare. Njëkohësisht, kompanitë që do të hyjnë në këto tregje novatore do të kenë mundësi më të mira fitimi. E vetmja kosto për të njohur dhe përfituar nga këto produkte është edukimi.
Rritja e kulturës financiare, duke përhapur njohuri të tilla si: hartimi i buxhetit, miradministrimi efektiv i tij, njohja e rreziqeve dhe shmangia e investimeve të gabuara, mund të ndikojë në zbutjen e plagëve që këto trazira sjellin në jetën e më të varfërve dhe sigurisht të gjithsecilit, në çfarëdolloj shtrese shoqërore dhe situate financiare që gjendet për momentin,” tha Guvernatori.
Ai gjeti rast për të përsëritur edhe një herë mesazhin e rëndësisë së përdorimit të monedhës kombëtare kundrejt atyre të huaja.
“Leku luan një rol kryesor dhe të drejtpërdrejtë në përçimin e efekteve pozitive të politikës monetare në ekonominë tonë. Sa më i lartë përdorimi i Lekut, aq më e madhe pjesa e ekonomisë mbi të cilën ndihen efektet e politikave të bankës sonë qendrore. Për më tepër, përdorimi i monedhës vendase ndihmon në amortizimin e goditjeve që vijnë nga sektori i jashtëm përmes minimizimit të goditjeve në të ardhura, konsum dhe në investime etj.
Përdorimi i gjerë i monedhave të huaja krahas asaj kombëtare ka ndikime të rëndësishme negative, jo vetëm për efektivitetin e politikave ekonomike, por dhe për stabilitetin financiar. Veçanërisht në këto kohë, kur zhvillimet globale, paqartësia dhe ndryshimi i kursit të politikës monetare mund të shkaktojnë rreziqe shtesë mbi kursin e këmbimit. Këto rreziqe destabilizojnë dhe ekspozojnë bilancet e sektorit privat, ndaj luhatjeve të kursit.
E thënë më thjesht, sa më pak të përdorësh valutën e huaj, aq më pak i ekspozuar je ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, i cili sot është edhe më i lartë,” tha ai.
Sejko theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes dhe promovimit të kulturës financiare si kundërpërgjigje ndaj informalitetit.
“Ky objektiv nuk i përket vetëm bankës qendrore, por të gjithë agjentëve të ekonomisë, institucioneve edukuese dhe medias, në mënyrë që të rrisim vetëdijen dhe aftësitë financiare të publikut.
Këto përpjekje të përbashkëta përveçse rrisin eficiencën e politikës monetare, ndikojnë drejtpërdrejt edhe në përfshirjen financiare të popullsisë. Kjo do të thotë rritje e numrit të përdoruesve të shërbimeve dhe produkteve financiare më të sigurta dhe me kosto më të ulëta që sjellin rritjen e aksesit në burime financiare, dhe rrjedhimisht rritjen e mundësive, të ardhurave dhe cilësisë së jetës.
Tregjet formale janë e vetmja mundësi që publiku dhe agjentët ekonomikë të përfitojnë drejtpërsëdrejti dhe në kohë reale nga politikat e ndërmarra nga qeveria dhe banka qendrore. Efektet e këtyre politikave materializohen në instrumentet dhe produktet financiare të tregut formal,” tha Sejko.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.