Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti sot në një takim, Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), zj. Odile Renaud-Basso, shoqëruar edhe nga drejtues të tjerë të këtij institucioni për rajonin dhe Shqipërinë.
Guvernatori Sejko fillimisht bëri një ekspoze të zhvillimeve më kryesore ekonomike dhe financiare të vendit tonë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se pavarësisht goditjeve të tërmetit dhe pandemisë, pasigurive të shtuara dhe sfidave të ndryshme, Shqipëria shënoi rimëkëmbje ekonomike. Një rol të veçantë pati koordinimi midis autoriteteve kryesore dhe masat e ndryshme të cilat ndihmuan në kapërcimin e kësaj situate me sa më pak efekte negative dhe mosndikimin afatgjatë të zhvillimit të vendit.
Më tej, Guvernatori u ndal në efektet e pritshme të konfliktit Rusi-Ukrainë në ekonominë shqiptare dhe sfidave me të cilat përballet ajo në kushtet e një situate botërore me çmime të larta. Banka e Shqipërisë ka reaguar menjëherë nëpërmjet instrumentit të politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend si objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë, si dhe për minimizimin e pasojave që goditja e çmimeve mund të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë.
Gjatë takimit, një fokus të veçantë patën dhe politikat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e deeuroizimit, reduktimit të raportit të kredive me probleme dhe digjitalizimit të sistemeve të pagesave. Të gjitha këto politika synojnë të rrisin efektivitetin e politikës monetare, të forcojnë aftësitë e sektorit bankar për të kredituar ekonominë dhe rrisin eficiencën e sistemeve të pagesave në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve, por dhe formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë. Një pikë tjetër diskutimi ishin dhe vështirësitë që ka financimi i kompanive në fushën e agrobiznesit dhe të turizmit, të cilat, në pjesën dërrmuese janë të organizuara si sipërmarrje të vogla dhe të mesme.
Presidentja e BERZH vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe më në veçanti me sistemin bankar në vend, duke sjellë në jetë projekte shumë të suksesshme dhe me vlerë të shtuar për Shqipërinë. BERZH do të vazhdojë të mbetet një partner kryesor dhe do të ofrojë mbështetje në fusha kyçe të ekonomisë së vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.