Sejko-qeverisë: Kujdes me borxhin e jashtëm, kreditë tregtare të jenë alternativa e fundit

22/11/2016 1:03 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë dha sot opinionin dhe sugjerimet e saj në lidhje me Projektbuxhetin e vitit 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

BSH vuri theksin në rëndësinë e  parashikimit të pasigurive dhe rreziqeve.

Guvernatori Sejko tha se duhet bërë kujdes në realizmin e të ardhurave poshtë nivelit të parashikuar, dhe sugjeroi reduktimin e shpenzimeve në të njëjtin nivel me mosrealizimin. Në rast të tejkalimit të parashikimit, të ardhurat duhet të shkojnë për rregullimin e deficitit.

Veç kësaj, Guvernatori propozoi rishikimin e realizimit të buxhetit çdo 3-mujorë.

Ai gjithashtu, në sugjerimet e BSH për buxhetin, tha se duhet bërë kujdes ndaj huamarrjes së huaj, sidomos ndaj borxhit tregtar, i cili duhet të jetë alternativa e fundit e huamarrjes.

Një tjetër, sugjerim që erdhi për buxhetin ishte se qeveria duhet të marrë në konsideratë analizën Kosto/Përfitim gjatë investimeve në sektorë të ndryshëm, duke shpenzuar në ata sektorë që sjellin përfitim më të lartë.

Ridvan Bode, zëvendëskryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, gjatë diskutimit në lidhje me instrumentet politike të bankës, tha se inflacioni është poshtë objektivit të bankës qendrore dhe e pyeti guvernatorin se cilat po përdoren për të stimuluar rritjen e tij, si dhe sugjeroi se Banka e Shqipërisë duhet ta hedhë vështrimin përtej një mandati qeverisës.

Guvernatori në përgjigje ndaj Bodes tha se inflacioni ka qenë një tregues kryesisht prej faktorëve të jashtëm, sidomos rënies së çmimit të naftës në tregjet globale. Ai, në kundërpërgjigje, tha se parashikimet e Bankës së Shqipërisë janë afatgjata dhe shkojnë përtej një mandati qeverisës.

Shqipëri ka nivelin më të mirë të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit dhe Banka e Shqipërisë e ka në monitorim të vazhdueshëm. Vetëm me anë të stimujve të politikës monetare nuk mund të arrihet rritja ekonomike. Duhet një miks i politikave, fiskale dhe monetare, që të kemi rritje.

Stimuli monetar lehtësues do të vazhdojë, ashtu sikurse në të gjitha bankat qendrore në botë, sikurse Banka Qendrore Europiane dhe Rezereva Federale bëjnë.

I pyetur se pse banka qendrore ka marrë borxh në monedhë të huaj, Guvernatori e arsyetoi me faktin se kanë lënë fonde të lira për të stimuluar ekonominë, së bashku me uljen e normave të interesit që do të vazhdojë deri në gjashtë mujorin e dytë të vitit që do të vijë.

Për sa i përket kursit të këmbimit, ku monedha euro ka shënuar nivelet më të ulëta historike, Sejko tha se nuk mund të parashikohet. Banka e Shqipërisë ka rezervë në monedha si euro, dollari, paundi britanik dhe së fundmi në monedhën kineze, që mund të cilësohen monedhat më të forta dhe të qëndrueshme në tregun global.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of