Sejko: Sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, kreditë me probleme janë ulur

05/12/2019 12:12 PM 0 komente

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka hapur punimet e Seminarit XIII të Kërkimit Ekonomik për Evropën Juglindore (EJL). Në këtë seminar prezantohen dhe diskutohen projekte kërkimore të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë  gjatë këtij viti, duke pasur kështu mundësinë të merren komente nga kolegët nga sfera akademike, bankat qendrore dhe institucionet kërkimore në të gjithë botën.

Të gjitha projektet e diskutuara gjatë dy ditëve të Seminarit janë hartuar për t’i ardhur në ndihmë analizës, vendimmarrjes dhe zbatimit të politikës monetare dhe stabilitetit financiar, si dhe aspekteve të tjera të bankingut qendror.

“Bazuar në analiza të kujdesshme dhe rigoroze, politikat tona kanë qenë të suksesshme në ruajtjen e stabilitetit monetar, makroekonomik dhe financiar. Me gjithë vështirësitë e hasura, ekonomia jonë ka regjistruar norma pozitive rritjeje dhe sistemi ynë bankar ka qenë i qëndrueshëm. Sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, kreditë me probleme janë ulur dhe bankat po vazhdojnë ta mbështesin aktivitetin ekonomik me kredi, ndërkohë që menaxhojnë edhe goditjet e mundshme që burojnë nga sektori i jashtëm i ekonomisë”, tha Sejko.

Gjatë këtyre dy ditëve, tha guvernatori diskutimet do të përqendrohen tek politika monetare, stabiliteti financiar, modelimi dhe parashikimi ekonomik, vlerësimi dhe administrimi i rreziqeve, të cilët janë instrumentet tradicionale të bankës qendrore dhe duhet të përmirësohen vazhdimisht. Megjithatë, dëshiroj të theksoj se, përveç temave tradicionale, në seminar do të diskutohen edhe kërkime në fusha të reja dhe të rëndësishme, siç janë: digjitalizimi i shërbimeve financiare, reformat strukturore, kujdesi shëndetësor dhe ndikimet e tij për objektivat e bankës qendrore dhe mirëqenien kombëtare. Zhvillimet teknologjike të cilat tronditin financën tradicionale duke sjellë progres në produktet e dhe tregjet financiare, si dhe zhvillimet demografike paraqesin disa nga sfidat më të rëndësishme për shoqëritë dhe institucionet tona. Prandaj, është e rëndësishme që këto dukuri të studiohen dhe të kuptohen saktë.

“Gjithashtu, presim me entuziazëm diskutimin e gjetjeve dhe hulumtimeve nga një numër autorësh nga bota akademike, bankat qendrore dhe institucionet e tjera kërkimore. Idetë dhe metodologjitë që janë pjesë e hulumtimeve të tyre do të ofrojnë këndvështrime të reja për studiuesit dhe ekonomistët tanë, do t’i ndihmojnë ata ta pasurojnë agjendën e tyre të kërkimit dhe të gjejnë mundësi bashkëpunimi në të ardhmen.

Jam i bindur se kërkimi shkencor në fushat që do të trajtohen këtu, apo dhe në fusha të tjera të reja, si efekti i ndërsjellët i ekonomisë e financës me zhvillimet ekologjike apo siç quhet ndryshe ekonomiksi dhe financa e gjelbër, do të zhvillohet më tej për t’u bërë tema tradicionale në agjendat e kërkimit të bankave qendrore. Për këtë arsye, i sfidoj kërkuesit tanë t’i marrin parasysh këto tendenca në kërkimet  e tyre të ardhshme, duke vlerësuar se përmirësimi i vazhdueshëm i temave dhe metodologjive të kërkimit është domosdoshmëri për një bankë qendrore”, tha guvernatori.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of