Roli që luajnë siguruesit e depozitave është thelbësor për parandalimin dhe administrimin e krizave, siç është provuar tashmë nga eksperienca gjatë krizës financiare globale, tha sot Guvernatori Sejko në takimin e Komitetit Rajonal për Evropën të Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave .
Sejko referoi se sot është fakt që skemat e sigurimit të depozitave e zbutën krizën e fundit financiare, duke përdorur çdo instrument në dispozicion të tyre, të tillë si rritja e kufirit të mbulimit të depozitave, zgjerimi i objektit të skemës së garantimit, dhe ofrimi i pagesave më të shpejta të depozitave të siguruara, madje edhe mbështetje me likuiditet.
Rezultati i këtyre zhvillimeve është se, pas periudhës së krizës, u vendos një fokus i ri në lidhje me sigurimin e depozitave. Sigurimi i tyre konsiderohet tashmë si një instrument thelbësor për administrimin e krizave, si dhe një mjet i rëndësishëm për likuidimin me rregull të një institucioni financiar jo të shëndetshëm. Një skemë e mirëndërtuar për garantimin e depozitave jep mbështetje të gjerë për stabilitetin financiar dhe zgjidhjen e krizave financiare, duke zbutur kështu rreziqet dhe duke ruajtur besimin në sistemin financiar, tha guverantori.
Megjithatë, duke risjellë në vëmendje një nga mësimet e rëndësishme që kemi nxjerrë nga kriza financiare globale, pavarësisht nga mandati që i është dhënë çdo institucioni, asnjë aktor nuk mund të përballet i vetëm me një krizë sistemike apo me pasojat e efekteve të forta të përhapjes së krizës dhe të rreziqeve të kontaminimit. Secili element i asaj që quhet rrjeta e sigurisë do të duhet të zhvillojë mekanizma të fortë që kanë për qëllim të shpëtojnë institucionet financiare dhe të stabilizojnë sistemin financiar, në mënyrë sa më butë, duke minimizuar kostot në ekonomi. Për më tepër, ruajtja e stabilitetit financiar mund të arrihet vetëm nëpërmjet një rrjeti të mirë koordinuar të sigurisë financiare, i cili mbështetet nga një kuadër ligjor i qëndrueshëm, nga instrumente e duhura dhe nga një plan i kujdesshëm emergjence për secilin element.
Sejko se në 10 vitet e fundit, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një pjesë të madhe të kohës dhe punës së saj integrimit të mësimeve të nxjerra nga kriza e fundit financiare në një kuadër të ri rregullator. Rrjeta jonë e sigurisë financiare është përafruar më tej me praktikat më të mira ndërkombëtare, pasi ne bashkërendojmë rolet që kemi si autoritet mbikëqyrës, huadhënës i fundit në radhë, dhe së fundmi edhe si autoriteti i ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Kuadri ynë rregullator i periudhës së pas-krizës synon një sektor bankar më të fuqishëm, mbështetur në krijimin e një baze më solide të kapitalit që shërben për të ruajtur depozitat dhe paratë e taksapaguesve. Në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë ka rritur pozicionin kapital të bankave nëpërmjet kërkesave më të larta për kapitalin bazë dhe po zhvillon kërkesa të reja për masat makro-prudenciale me qëllim rritjen e kapaciteteve të bankave për të absorbuar humbjet në raste krizash financiare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.