Sejko: Sistemi i shëndoshë financiar është investimi më i mirë për një rritje afatgjatë

23/10/2020 10:16 AM 0 komente

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë të enjten në takimin online të Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore me Drejtoren e Përgjithshme të FMN-së, Kristalina Georgieva.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se bazat e shëndosha monetare dhe financiare janë siguria dhe investimi më i mirë që politikat ekonomike mund të ofrojnë për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Këto fondamente mund të ndërtohen në mënyrë më efektive nëpërmjet masave të kujdesshme dhe reformave strukturore gjatë periudhave “të mira kohore”. Për këtë arsye, në adresimin e çdo sfide afatshkurtër, politikëbërësit duhet të ruajnë një sens perspektive mbi ndikimin që ato kanë në qëndrueshmërinë monetare dhe financiare të vendit,” tha Sejko.

Guvernatori u shpreh se rezultatet e para të politikave të Bankës së Shqipërisë për lehtësimin e pasojave të krizës kanë qenë inkurajuese.

“Sistemi bankar shqiptar mbetet solid, i aftë për të paguar dhe likuid. Tregjet tona financiare janë të qeta, ndërkohë që normat e interesit dhe kursi i këmbimit janë të qëndrueshëm. Për më shumë, fluksi pozitiv i kreditimit të ekonomisë ka qenë thelbësor në zbutjen dhe përballimin e nevojave financiare të biznesit,” u shpreh ai.

Pas shërthimit të krizës, Banka e Shqipërisë thelloi natyrën stimuluese të politikës monetare dhe udhëzoi bankat të ofrojnë lehtësi likuiditeti për bizneset dhe familjet që hasën vështirësi të përkohshme, në formën e një moratoriumi afatshkurtër për pagesat e kësteve të kredisë si dhe në formën e ristrukturimit të kredive.

Sipas Guvernatorit, këto politika u koordinuan edhe me stimul fiskal nga qeveria shqiptare. Politika fiskale kompensoi humbjet e të ardhurave të individëve, ofroi mbështetje me likuiditet për bizneset e prekura nga kriza në formën e shtyrjes së pagesave të taksave dhe të aksesit të përmirësuar në financë nëpërmjet skemave të garancisë sovrane për kreditë.

Drejtorja e Përgjithshme e FMN-së, zj. Kristalina Georgieva, tha në fjalën e saj se për shkak të pandemisë COVID-19, ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim u goditën ashpër gjatë vitit 2020. Ajo shtoi se natyra e goditjes pandemike kërkon mbështetje të vazhdueshme të politikave, në varësi edhe të hapësirave që këto politika kanë në vendet e rajonit. Për më tej, politikëbërësit duhet të gjejnë mënyra për të vazhduar të mbështesin ekonominë, ndërsa përgatiten për botën post-pandemike dhe trajtojnë sfidat afatgjata.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of