Sejko, takim me bankierët për dëmet e tërmetit, u kërkon lehtësi për kreditorët e prekur

03/12/2019 2:26 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në datën 3 dhjetor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, ftoi në një takim të përbashkët drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare dhe përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, me qëllim diskutimin e ndikimeve të tërmetit në ekonomi, sistemin financiar, si dhe masave që duhet të ndërmerren nga sistemi bankar.

Ky takim i organizuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me nismën dhe nën drejtimin e Guvernatorit Sejko, pati në fokus trajtimin nga aktorët e sistemit bankar të implikimeve të mundshme të shkaktuara nga ngjarjet e rënda të javës së kaluar dhe përcaktimin e veprimeve të përbashkëta, që mund të nevojiten në të ardhmen.

Guvernatori Sejko theksoi se në këtë moment, bashkëpunimi i ngushtë midis të gjithë aktorëve është i domosdoshëm për të harmonizuar dhe për të koordinuar masat që do të ndërmerren, me qëllim maksimizimin e eficiencës së veprimeve të të gjitha palëve për kapërcimin e kësaj situate.
Fillimisht, Guvernatori Sejko theksoi se parësor mbetet angazhimi maksimal i bankave tregtare për vijimin e veprimtarisë së tyre të plotë operacionale, me qëllim ofrimin e të gjitha produkteve dhe shërbimeve financiare.

Më tej, ai u kërkoi bankave t’u vijnë në ndihmë klientëve të tyre të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, duke u ofruar të gjitha lehtësitë e mundshme, si nëpërmjet rishikimit të kushteve të marrëdhënieve ekzistuese, ashtu edhe trajtimit të kujdesshëm të kërkesave të tyre në të ardhmen. Në këtë drejtim, ai vlerësoi nismën e ndërmarrë nga bankat tregtare për mosaplikimin e komisioneve për të gjitha transfertat pritëse të donacioneve.
Lidhur me vlerësimin e situatës, Guvernatori iu kërkoi bankave analizimin sa më të shpejtë të impaktit në cilësinë e portofolave respektivë të kredive dhe u bëri thirrje të shikojnë të gjitha mundësitë, që pasojat e kësaj ngjarjeje të rëndë të mos shkaktojnë ngadalësim në ritmin e kreditimit të ekonomisë.

Gjithashtu ai iu kërkoi bankave ofrimin e asistencës dhe bashkëpunimit të plotë për të gjithë ata klientë kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit, në marrëdhëniet me kompanitë e sigurimit.

Nga ana e tyre, drejtuesit e bankave tregtare u shprehën se kanë bërë vlerësimin e situatës së krijuar në qytetet e dëmtuara nga tërmeti dhe, pavarësisht dëmtimeve të disa mjediseve në zona të caktuara, janë angazhuar për vazhdimin normal të ofrimit të të gjitha shërbimeve të nevojshme financiare. Ata theksuan se po vlerësojnë individualisht të gjithë klientët e tyre kredimarrës të prekur nga tërmeti, për të pasur një panoramë më të qartë të situatës.

Në përgjigje të kërkesës së Guvernatorit, drejtuesit e bankave sugjeruan hartimin e një plani masash për klientët kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit, për të ristrukturuar kreditë përkatëse, nëse do të jetë e nevojshme, pa aplikuar kosto shtesë.
Drejtuesit e bankave theksuan se në shenjë solidariteti, secila bankë po vlerëson individualisht mundësinë për të kontribuar me donacione të formave të ndryshme, në ndihmë të familjeve të prekura nga kjo ngjarje.

Guvernatori u shpreh se në këtë moment vlerësohet çdo kontribut i shtuar nga ana e bankave në kuadër të përgjegjësisë së tyre sociale. Një tjetër pikë me mjaft rëndësi, theksoi ai, është edhe aktivizimi i një komunikimi sa më të qartë, të hapur dhe mirinformues për publikun, mbi të gjitha masat dhe lehtësitë e ofruara prej tyre në këtë situatë.

Në përfundim, Guvernatori u kërkoi bankave të vazhdojnë bashkëpunimin produktiv me qeverinë, autoritetet e tjera publike apo edhe ato të huaja, si dhe shprehu gatishmërinë e plotë të Bankës së Shqipërisë për të kontribuar aktivisht në çdo përpjekje të përbashkët, në çdo moment.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of