Transparenca rrit besimin tek publiku dhe bën më të efektshme politiken monetare u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në takimin e 41 -të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit i zhvilluar në Stamboll, Turqi.
Gjatë punimeve të Klubit, pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike botërore dhe rajonale, si dhe sfidat me të cilat përballen bankat qendrore: qëndrueshmërinë e çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar. Të pranishmit diskutuan gjerësisht edhe për disa çështje të tjera me rëndësi, si qeverisja institucionale e bankave qendrore dhe komunikimi i procesit të vendimmarrjes.
Në këtë aktivitet, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një prezantim në panelin me temë “Komunikimi i bankës qendrore për rritjen e efektshmërisë së politikave: forcimi i njohurive dhe ndërtimi i besimit”.
Gjatë prezantimit, Guvernatori Sejko theksoi se ndërtimi i besimit të publikut te institucioni i bankës qendrore është një proces i gjatë dhe i vështirë, por rritja e transparencës dhe komunikimi i vazhdueshëm janë faktorë kyç për suksesin e këtij procesi. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të veçantë komunikimit të saj me publikun, jo vetëm për të përmbushur maksimalisht llogaridhënien e saj si institucion i pavarur, por edhe si një mjet për rritjen e efektivitetit të politikave të ndërmarra prej saj.
Guvernatori Sejko, përmes ilustrimit me shembuj konkretë, ndau me të pranishmit eksperiencën e Bankës së Shqipërisë në komunikimin e politikës monetare dhe politikave të tjera të saj, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Guvernatori shpjegoi objektivat, parimet dhe kanalet kryesore mbi të cilat Banka e Shqipërisë mbështet komunikimin me publikun, duke u kujdesur mbi të gjitha që informacioni të jepet në kohë dhe të jetë sa më i thjeshtë dhe i qartë.
Një element i rëndësishëm, i cili tashmë është kthyer në një nga përgjegjësitë e bankave qendrore është dhe edukimi financiar i publikut. Banka e Shqipërisë krahas informimit të publikut mbi veprimtarinë, prej vitesh përpiqet të shpjegojë arsyet që qëndrojnë pas vendimmarrjes së saj nëpërmjet një sërë programesh edukuese, të cilat janë përshtatur sipas grup-moshave dhe nevojave për informacion të grupeve të ndryshme të interesit. Këto përpjekje kanë një qëllim afatgjatë, krijimin e një shoqërie që kupton, reagon e krijon pritshmëri në përputhje me vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori Sejko, në përfundim të prezantimit të tij, theksoi se komunikimi i Bankës së Shqipërisë synon ta konsolidojë atë si një institucion i përgjegjshëm, i besueshëm dhe eficient. Një institucion i tillë kontribuon në zhvillimin afatgjatë makroekonomik, përballimin e sfidave kombëtare dhe integrimin evropian të vendit.
Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë 26: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia, Sllovenia, Bjellorusia dhe Hungaria. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.