Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të organizuara virtualisht.
Guvernatori Sejko zhvilloi takime me drejtues të të këtyre institucioneve dhe mori pjesë gjithashtu edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së si dhe në takimin e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Tema kryesore e diskutimit të këtyre takimeve ishte ndikimi i pandemisë në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen.
Guvernatori Sejko tha se, fluksi pozitiv i kreditimit të ekonomisë ka qenë thelbësor në zbutjen dhe përballimin e nevojave financiare të biznesit, ndërsa theksoi se, si sektori publik, edhe ai privat kanë ruajtur aksesin në tregjet financiare ndërkombëtare. Guvernatori Sejko prezantoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë si përgjigje e goditjes së krijuar nga pandemia dhe shtoi se progresi i vaksinimit të popullsisë jep shpresë për rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021.
“Këto zhvillime rritin gjasat e rikuperimit gradual por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Sidoqoftë, përllogaritjet e parashikimeve makroekonomike janë të varura veçanërisht nga kohëzgjatja e pandemisë,” tha Sejko.
Guvernatori u shpreh se që nga fillimi i pandemisë sektori bankar ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar. Ai shtoi se aktualisht sistemi paraqitet me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti. Rritja e kreditimit ka vazhduar, duke ndihmuar kështu me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe mbështetur vijimin e investimeve, ndërkohë që cilësia e portofolit ka vijuar të jetë e qëndrueshme, ku raporti i kredive me probleme është aktualisht në nivelin 8.15%.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike. Ata shtuan se politikëbërësit duhet t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë periudhës së tranzicionit të post pandemisë, duke i përshtatur politikat e tyre makroekonomike në mënyrë që të sigurohet dhe garantohet stabiliteti makroekonomik, qëndrueshmëria dhe rimëkëmbja graduale e ekonomisë.
Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së thuhet se ekonomia globale u rimëkëmb nga kriza me ritëm më të shpejtë sesa pritej në tetorin e vitit të kaluar, falë një përgjigjeje të jashtëzakonshme të politikave dhe progresit të shpejtë në zhvillimin e vaksinës. Megjithatë, parashikimet për rimëkëmbjen ekonomike ende mbartin shkallë të lartë pasigurie dhe ndryshojnë si në nivel vendor ashtu edhe ndërmjet vendeve, për shkak të hapësirave jo të njëjta për zbatimin e politikave individuale, strukturave dhe ngurtësive të ndryshme ekonomike, brishtësive paraekzistuese dhe aksesit jo të njëjtë në vaksina. Komiteti paralajmëron se brishtësitë e konsiderueshme financiare mund të sjellin rreziqe, të cilat mund të çojnë në shtrëngim më të shpejtë të kushteve financiare në nivel global.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.