Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë parasheh Shqipërinë si një eksportuese neto e energjisë së prodhuar nga burimet hidrike nëse do të ketë zgjerim të pritshëm në disa drejtime të prodhimit.
Një raport që analizon taksimin e karbonit në vendet e Ballkanit Perëndimor nënvizon edhe mënyrën sesi këto të fundit sigurojnë energjinë dhe objektivi për atë energji që prodhohet nga burimet e rinovueshme. I njëjti nënvizon se investimet e pritshme në sektor llogariten 800 milionë euro në periudhën 2020-2040 sipas skenarit ku Shqipëria operon në një treg të integruar.
“Në Shqipëri, investimet për periudhën 2020-2040 vlerësohet të arrijnë 800 milion në skenarin e integrimit të tregut dhe 550 milion në skenarin e tregut të fragmentarizuar Kërkesa për makineri dhe pajisje për skenarin e integrimit të tregut vlerësohet të jenë 400 milion euro ndërsa për ndërtim 250 milion euro. Investimet në lidhje me pajisjet adresojnë kryesisht mallrat e importuara” vlerëson raporti.
Ky i fundit thekson se historikisht, prodhimi i energjisë në Shqipëri është mbështetur ekskluzivisht në energjinë hidrike. Ky trend vazhdon sipas skenarit bazë.
“Varësia nga qymyri është inekzistent, gjë që i jep Shqipërisë avantazhin për të dekarbonizuar sektorin e saj të energjisë elektrike në mënyrë të shpejtë dhe me kosto efektive. Sidoqoftë, skenari bazë parashikon ndryshim të BRE-ve(burimeve të rinovueshme të energjisë) që të përbëjnë më pak se 20% të totalit në 2040, e cila është nën potencialin e dukshëm të vendit. Mbështetja e politikave aktive mund të orientojë zhvillimin e variablave të ndryshëm të burimeve të rinovueshme të energjisë me një ritëm më të shpejtë. Ndërkohë, pjesa e gazit mbetet shtesë, me komisionimin e një impianti të vogël gazi prej 97 MË (Vlorë) deri në 2025, i parashikuar të mbulojë 2% e gjenerimit total dhe ofrojnë shërbime rezervë në sistem” thuhet në raport.
I njëjti nënvizon se duke marrë parasysh që Shqipëria nuk ka rezerva qymyri, futja e çmimit të karbonit vështirë se ushtron ndonjë presion mbi prodhimin e energjisë.
“Integrimi i tregut i mundëson Shqipërisë përfitime në disa fronte. Së pari, ajo drejton një rritje në variablave brenda burimeve të rinovueshme të energjisë, kryesisht tek era dhe në një zgjerim më të vogël tek dielli, pas vitit 2030. Së dyti, mundëson ndarjen ndërkufitare të balancimit burimeve, gjë që lejon Shqipërinë të përdorë burimet e saj në mënyrë më efikase. Kjo nënkupton që në kushtet e integrimit të tregut, nuk ka nevojë të përdoret impianti i gazit dhe Shqipëria bëhet një eksportues neto i energjisë elektrike me bazë hidrike” thuhet në dokumentin e Sekretariatit.
Po kështu për vendet që bazojnë prodhimin e tyre të plotë tek të rinovueshmet si Shqipëria dhe Gjeorgjia apo që kombinohen me nuklearen dhe të rinovushmen si Ukrania e kanë shumë të lehtë të arrijnë dekarbonizimin e energjisë plotësisht deri në vitin 2040./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Sekretariati ben mire te zbatoje rregullat dhe ti thote serbise dhe bosnjes te mbyllin TEC me qymyr qe punojne jashte cdo standarti pa paguar per karbonin. Kjo pengon prodhimin ne diell dhe ere por edhe nga gazi natyror!