Prej disa vitesh tashmë, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë harton raporte të zgjeruara për vendet e Ballkanit Perëndimor duke ndjekur nga afër ecurinë e tyre në zbatimin e detyrave që kanë lindur nga Procesi i Berlinit. Ka pasur një theks të vazhdueshëm për sektorë të tillë si nafta, gazi, energjia elektrike duke parë përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin praktik të reformave.
Zëri i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë është një nga më të rëndësishmit në Komisionin Europian dhe në raportet që hartohen në lidhje me ecurinë e vendeve drejt procesit të integrimit, jo pa qëllim ka kapituj të veçantë që ndalen edhe në këtë aspekt. Kështu në raportin e fundit që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë publikoi lidhur me zbatimin vjetor, ndër të tjera preket edhe pjesa e naftës dhe pikërisht ajo për rezervën e sigurisë.
Lidhur me këtë sektor, Sekretariati nënvizon se “zbatimi në sektorin e naftës është i avancuar në mënyrë të moderuar” me vetëm 53% të përmbushjes së detyrimeve. Vlerësimin e tij raporti e ndan në katër pjesë. Mbajtja e rezervës së sigurisë: Referuar legjislacionit aktual, rafineritë e naftës dhe kompanitë e shitjes me shumicë janë të detyruara të mbajnë një stok minimal prej 90 ditësh mesatare shitjeje. Gjithsesi sistemi aktual nuk është në përputhje me direktivën 2009/119/EC. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar ligjin për rezervën e sigurisë në 2016 dhe synon ta finalizoje deri në fund të 2018.
Në fakt, kjo duket se kaloi edhe limitet e parashikuara nga sekretariati. Në një pikë të dytë të vlerësimit gjendja dhe aksesi, theksohet se draft ligji i ri përcakton mbajtjen e rezervave të detyrueshme si prioritet dhe këto rezerva të detyrueshme duhet të jenë të disponueshme fizikisht gjatë gjithë kohës.
Pika e tretë e lidhur po me rezervat e sigurisë në raportin e Sekretariatit lidhet me raportimin. Ajo thekson se agjencia e dedikuar për rezervat do të mbajë të dhëna të vazhdueshme për stokun e detyrueshëm të saj, të palëve të përfshira, si dhe marrëveshjet për palë të treta.
E katërta në analizë është marrë procedura e emergjencës e zbatuar në 60% të detyrimit total.
Sekretariati nënvizon se draft ligji parashikon që ndërhyrja në treg do bëhet kur të ketë ndërprerje furnizimi. Kjo ndërhyrje vendoset nga qeveria me propozim të ministrit përgjegjës për Energjinë dhe miratohet nga komiteti i menaxhimit të krizave i qeverisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.