Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, ka paralajmëruar se dështimi për të rritur nivelin tavan të borxhit të SHBA-së, mund të ketë pasoja të tmerrshme.
Në mungesë të nj ë marrëveshjeje për të rritur nivelin e huamarrjes së qeverisë federale, kjo e fundit mund të mbetet pa para deri në fillim të qershorit.
“Është detyrë e Kongresit ta bëjë këtë. Nëse ata dështojnë, ne do të kemi një katastrofë ekonomike dhe financiare, që do të jetë shkaktuar nga ne,” tha Yellen.
Negociatat për tavanin e borxhit nuk duhet të zhvillohen “me një armë në kokën e popullit amerikan”.
Por koha po ikën për një marrëveshje.
Të martën, Presidenti Biden do të takohet me udhëheqësit republikanë, për t’u kërkuar atyre, që të bien dakord për rritjen e kufirit aktual 31.4 trilion dollarë.
Kongresi, zakonisht e lidh miratimin e një tavani më të lartë të borxhit, me përcaktimet mbi buxhetin dhe masat e shpenzimeve.
Muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projekt-ligj për të rritur nivelin tavan, aktualisht i barabartë me 120% të prodhimit vjetor ekonomik të vendit, por i përfshirë në projekt-ligjin që shkurton shpenzimet gjatë dekadës së ardhshme.
Presidenti Biden dëshiron, që Kongresi të bjerë dakord, për të rritur tavanin e borxhit, pa kushte.
Dështimi për të gjetur një marrëveshje ndërpartiake për këtë çështje, mund të rezultojë në një “krizë kushtetuese”, tha zonja Yellen.
Administrata Biden po shqyrton nëse ka hapësirë brenda kushtetutës, që presidenti të vazhdojë të lëshojë borxhe të reja pa miratimin e Kongresit, por këtë javë do të përpiqet të shmangë këtë skenar.
Niveli tavan i borxhit është rritur, zgjatur ose rishikuar 78 herë, që nga viti 1960.
Kërcënimi i mospagimit të pagesave të qeverisë, duke përfshirë detyrimet e borxhit, ka çuar gjithmonë në kompromis. SHBA nuk ka dështuar kurrë, një ngjarje që do të përmbyste tregjet financiare globale dhe do të kishte ndikime të gjera ekonomike.
Por, vonesa e një rezolute, ka gjithashtu pasoja negative.
“Ne kemi mësuar nga ngërçi i kufirit të borxhit të kaluar, se pritja deri në minutën e fundit për të pezulluar ose rritur kufirin e borxhit, mund të shkaktojë dëm serioz në besimin e biznesit dhe konsumatorit, të rrisë kostot afatshkurtra të huamarrjes për taksapaguesit dhe të ndikojë negativisht në vlerësimin e kredisë së Shteteve të Bashkuara”, tha Janet Yellen. / BBC