“Sektor jo i maturuar, nevojë për edukim te fermerët e rinj”

19/06/2019 12:34 PM 0 komente

Flet Assoc. Prof. Endrit Kulla, Ekspert

 

Si e gjykoni gjendjen e produkteve bio në Shqipëri? A ka vërtet bio?

Angazhimet profesionale më kanë dhënë mundësinë ta shoh sektorin e produkteve biologjike (bio) nga disa këndvështrime. Në fillim të viteve 2000, si konsulent për mbështetjen e prodhimit biologjik kam qenë optimist se rritja e këtij sektori do të ishte më e shpejtë, ngjashëm me rritjen e tregut të produkteve bio në Europë.

Më vonë, në fund të viteve 2000, në optikën e kërkuesit shkencor, duke analizuar faktorët dhe aktorët që përcaktonin zhvillimin e tij, vura re se prirja rritëse do të ishte e ngadaltë nëse nuk do të kishte politika mbështetëse të ngjashme me ato të BE-së.

Në fakt, sot, afro 20 vjet pas fillimeve të lëvizjes për bujqësinë biologjike në Shqipëri, prodhimi biologjik zë një përqindje shumë të vogël të sipërfaqes së tokës bujqësore. Këtu kam parasysh vetëm produktet bujqësore dhe blegtorale, pa përfshirë bimët aromatike dhe mjekësore dhe frutat e pyllit që konsiderohen një sektor më vete. Janë këto të fundit që rrisin sipërfaqet dhe vëllimet e produkteve biologjike në statistikat kombëtare. Pra, sektori nuk ka arritur të maturohet.

Në 10 vitet e fundit jam përfshirë edhe në biznesin e produkteve bio çka më mundëson ta kompletoj këndvështrimin ndaj sektorit. Shqipëria ka produkte bio, jo thjesht sipas zhargonit popullor, ku produkte bio konsiderohen edhe produkte që prodhohen me pak inpute bujqësore, por sipas përcaktimeve të ligjit shqiptar për produktet biologjike. Këtë mund ta themi me bindje për shumicën e produkteve, të cilat u nënshtrohen edhe analizave për mbetje, duke konfirmuar jo vetëm certifikatën që i shoqëron, por edhe integritetin e trupës certifikuese.

Duhet pranuar se shpeshherë, ndonëse të certifikuar bio, produkti nuk rezulton i tillë. Kjo do të thotë që procesi i certifikimit nuk mund të garantojë siguri të plotë. Sigurinë e plotë e jep fermeri, i cili ka zgjedhur të prodhojë bio sipas bindjes së tij dhe jo thjesht si mundësi tregu. Këta fermerë janë ata që bëjnë çdo përpjekje për t’u qëndruar besnikë parimeve dhe praktikës së prodhimit biologjik. Sot, fermerë të tillë janë ende të rrallë.

A ka kapacitete Shqipëria për të prodhuar bio? Po konsumi vendas si është, duke marrë në konsideratë që çmimet e këtyre produkteve priren të jenë më të larta…

Shqipëria ka avantazhe krahasuese për prodhimin bujqësor biologjik, ashtu sikundër për atë konvencional, siç janë perimet e hershme, frutat, ulliri dhe vaji i tij, rrushi dhe vera, frutat e pyllit, bimët aromatike e mjekësore, etj. Këtu përfshihet edhe një potencial shumë i madh për produktet blegtorale. Problemi kryesor është sfida e prodhimit biologjik të certifikuar të shumë prej këtyre produkteve, me përjashtim të bimëve aromatike-mjekësore dhe frutave të pyllit. Janë shumë të pakët prodhuesit biologjikë të certifikuar të perimeve dhe frutave. Të ngjashme janë edhe sfidat e fermave blegtorale për të realizuar një cikël të mbyllur të prodhimit, pa qenë të kushtëzuar për marrjen nga jashtë fermës të ushqimit të përdorur për blegtorinë. Kategoritë e tjera të produkteve, kryesisht bimët aromatike dhe mjekësore, janë të orientuara kryesisht nga eksporti, sepse kërkesa e brendshme është shumë e ulët.

Këta prodhues biologjikë nuk mund të krijojnë një ofertë të qëndrueshme dhe rrjedhimisht kanë vështirësi të realizojnë kontrata me rrjetet e supermarketeve. Kjo është arsyeja kryesore që tregu vendas është i kufizuar vetëm në pak dyqane, ose tregje të specializuara. Për këtë arsye, çmimi i këtyre produkteve është i lartë dhe rrjedhimisht e bën edhe më të kufizuar përhapjen e tyre. E gjithë kjo çon sinjale negative tek ata fermerë që planifikojnë të konvertohen në prodhimin biologjik.

Pavarësisht gjendjes aktuale të prodhimit biologjik, Shqipëria ka kapacitete shumë të mira prodhuese, veçanërisht në rajone larg prodhimit intensiv. Kjo kërkon mbështetje për prodhuesit biologjikë ose ata që duan të konvertohen në prodhimin biologjik. Kjo mbështetje duhet të përfshijë edhe transferimin e njohurive, si një parakusht për prodhimin e suksesshëm biologjik. Klima mesdhetare favorizon përhapjen e shumë sëmundjeve dhe dëmtuesve, të cilat kërkojnë profesionalizëm të lartë për t’u mbajtur nën kontroll pa ndërhyrje kimike ose me biopesticide. Kjo vlen edhe për menaxhimin e pjellorisë së tokës dhe përdorimin e bio-plehrave.

Sa mund të eksportojë Shqipëria në tregjet e huaja?

Sa i takon eksportit, mungesa e një tregu vendas dhe një çmimi të volitshëm, i ka shtyrë shumë prodhues që të orientohen drejt tregjeve të huaja. Sidoqoftë, midis produkteve bujqësore, shembujt janë të pakët, siç është vaji i ullirit, gështenjat, erëzat e freskëta dhe pak raste të frutave dhe perimeve. Po kështu, janë shumë të pakët prodhuesit organikë të produkteve blegtorale. Kjo vjen jo vetëm për shkak të vështirësive që ka prodhimi bio, por edhe për vetë strukturën e fragmentuar të prodhimit bujqësor e blegtoral në Shqipëri. Për këtë arsye, e shoh si një sfidë të madhe eksportin në masë të prodhimeve bio nga kategoria e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Edhe për shumë kohë do të kemi kontrata sporadike me volume modeste.

Ndryshe nga perspektiva e produkteve bujqësore dhe blegtorale bio, eksporti në tregjet e huaja është i përqendruar në sektorin e bimëve aromatike dhe mjekësore dhe frutat e pyllit (përfshirë gështenjën). Kjo prirje do të vazhdojë të rritet, sepse eksportuesit kryesorë po synojnë tregjet ndërkombëtare bio. Ndryshe nga produkti konvencional, sektori i bimëve aromatike bio ofron çmime më të mira dhe marrëdhënie tregtare me kontratë. Sidoqoftë, nëse e shohim në tërësi gamën e produkteve të eksportuar dhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve tregtare, do të duhet kohë për të krijuar një ofertë të konsoliduar edhe në këtë kategori produktesh dhe investime të eksportuesve në tërë zinxhirin e vlerës.

Çfarë problematikash ka sektori?

Nga pikëpamja e ofertës, problematikat e sektorit biologjik janë ato të prodhimit konvencional, por edhe më të mprehta. Midis elementeve që po zvogëlojnë zhvillimin e sektorit janë sipërfaqet e vogla të fermave, që kanë vështirësi të orientohen në treg. Pjesa më e madhe e fermerëve kanë kosto të larta prodhimi, çka i dekurajon të angazhohen në prodhimin bujqësor. Prodhuesit biologjikë marrin rendimente më të ulëta për shkak se inputet që ata përdorin nuk janë po aq efikase sa plehrat kimike dhe pesticidet që përdorin prodhuesit konvencionalë. Nëse shumica e fermerëve konvencionalë mund ta shesin prodhimin në grup te një pikë grumbulluese, për fermerin organik nuk ka pikë grumbulluese ndaj duhet ta përgatisë dhe tregtojë produktin për pikën e shitjes me pakicë, duke i rritur kostot.

Këtyre faktorëve strukturalë u shtohet edhe përvoja e kufizuar e fermerëve, si në teknologjitë e kultivimit të prodhimit biologjik, ashtu edhe njohuri menaxheriale dhe komerciale. Prodhuesit biologjikë kanë edhe një kosto shtesë të konsiderueshme që është ajo e certifikimit. Për disa vite, forma e vetme e mbështetjes për prodhimin biologjik ishte një pagesë për mbulimin e pjesshëm të kostove të certifikimit, por edhe kjo është ndërprerë. Aktualisht, mungon një sistem i përshtatshëm lehtësish nga ana e qeverisë për të mbështetur prodhimin organik.

Përkundrejt kostove më të larta të produkteve bio, mungon konsumatori i gatshëm që të paguajë më shumë, pikërisht për të mbuluar kostot shtesë të prodhuesve biologjikë. Sepse në shumicën dërrmuese, konsumatori shqiptar është një konsumator i varfër. Pra, blerësit potencialë të produkteve bio, që kanë fuqinë blerëse për t’u ushqyer rregullisht me ushqime bio, janë një segment shumë i vogël i shoqërisë. Por brenda këtij segmenti, vetëm një pjesë e vogël kanë ndërgjegjësimin apo edukimin si konsumator që të vlerësojnë produktet bio, kryesisht emigrantë të kthyer në Shqipëri apo të diplomuar jashtë vendit që kanë konsumuar këto produkte në vendin ku kanë jetuar apo studiuar. Një tjetër kategori konsumatorësh potencialë janë edhe turistët.

Megjithatë, fakti që numri i dyqaneve bio është shumë i vogël dhe i kufizuar kryesisht në Tiranë, nënkupton se kërkesa është e ulët.
Megjithatë, konsumatorët po bëhen më të ndjeshëm ndaj çështjes së ushqimit. Skandalet në lidhje me ushqimin apo me praktika bujqësore të palejuara, nxisin gjithnjë e më shumë konsumatorë që të kërkojnë për produkte bio. Prandaj, prodhuesit duhet t’i shfrytëzojnë këto mundësi për të qenë të pranishëm në treg me produkte bio që zëvendësojnë produktet konvencionale me ndotje kimike.

Çfarë instrumentesh mund të përdoren nga pushteti vendor për të nxitur sektorin?

U deshën afërsisht 10 vjet lobim që prodhimi biologjik të përfshihej në politikën bujqësore shqiptare me strategjinë e zhvillimit bujqësor 2007 – 2013, në të cilin kishte një plan veprimi për konkret. Si bashkautor i atij plani, mund të them se në këto vite është shtuar ndjeshmëria në nivelin e politikëbërjes lidhur me mbështetjen e sektorit organik. Kjo pasqyrohej edhe në projektet e mbështetura nga donatorë të huaj, të cilët e orientojnë mbështetjen sipas kërkesave që qeverisë.

Aktualisht, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk e mbështet prodhimin organik. Politikëbërësit promovojnë produktet bujqësore shqiptare në përgjithësi si bio dhe shumë cilësore, a thua se këto janë vetvetiu të tilla në çdo rast, ndërkohë që mungojnë skemat e mbështetjes që bëjnë të mundur këto prodhime bio. Prandaj, është urgjente një plan veprimi i ri për të promovuar prodhimin bio me mbështetje direkte, si pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit dhe zhvillimit rural.

Bashkitë po përpiqen të hartojnë plane zhvillimi për zonat bujqësore që kanë në administrim. Megjithatë, ende jemi larg realizimit të planeve të integruara midis qeverisjes qendrore dhe vendore. Një pikënisje është projekti ‘100 Fshatrat’. Duke qenë i përfshirë në këtë Projekt, si ekspert bujqësor për 5 fshatra, kam pasur mundësi të shoh edhe idetë dhe projektet zhvillimore të propozuara në të 100 fshatrat. Midis tyre ka mjaft projekte specifike për mbështetjen e produkteve bio, krahas produkteve tipike të këtyre fshatrave.

Bashkitë mund të përdorin këto projekte mbështetje për të ndërtuar një plan veprimi për mbështetjen e prodhimeve bio në territorin e tyre, si në krahun e ofertës (prodhuesit) ashtu edhe të kërkesës (konsumatorit). Në këtë plan përfshihen edhe aktivitetet (agro)turistike që rrisin qasjen në treg të prodhimeve bio, duke shtuar mundësinë për të rritur të ardhurat e fermerëve, por edhe promovimit të vlerave të territorit. Vlen të përshëndeten disa përpjekje për të promovuar produktet tipike të zonave të caktuara nëpërmjet ditëve festive, tregjeve të posaçme, etj., por shpesh këto promovohen si produkte bio duke shkaktuar konfuzion te konsumatori!

Ashtu si në një intervistë që kam dhënë për një revistë italiane në vitin 2009, edhe sot, pas 10 vjetësh, shprehja “prodhimi bio në Shqipëri ka ende shumë rrugë për të bërë” është ende e vlefshme. Por në fund dua të mbyll nga këndvështrimi i pedagogut, duke thënë se baza për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për sektorin e produkteve bio është edukimi: edukimi i konsumatorit dhe edukimi i fermerëve të rinj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of