Viti 2021 solli një hap drejt përqendrimit të mëtejshëm të sektorit bankar në vend.
Grupi grek, Alpha Bank, e nxori në shitje filialin shqiptar në mesin e vitit të kaluar. Gara për blerjen u zhvillua kryesisht mes grupeve bankare të pranishme në treg dhe të interesuara për t’u zgjeruar.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Alpha vendosi të pranojë ofertën prej 55 milionë eurosh të grupit bankar hungarez OTP. Operacioni pritet të mbyllet këtë vit dhe shkrija e Alpha me OTP do ta ulë numrin e përgjithshëm të bankave nga 12 në 11.
Me blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut e OTP Bank Albania arrin në rreth 10.9% të aktiveve totale të tregut (mbështetur në të dhënat e fundit të vitit 2021). Me këtë madhësi, OTP ngelet banka e pestë më e madhe në tregun shqiptar, por i afrohet ndjeshëm bankës Intesa Sanpaolo Albania, që zotëronte 11.3% të tregut në fund të dhjetorit.
Pjesa e tregut të kredisë do të rritet edhe më shumë. Nga 10.6% që mbante në fund të vitit 2021, OTP Albania do të arrijë në 16.1% të tregut, duke u bërë banka e tretë më e madhe huadhënëse e ekonomisë shqiptare, pas Credins Bank dhe Raiffeisen Bank.
Në depozita, OTP Bank Albania mbante në fund të vitit të kaluar 6.7% të tregut. Duke shtuar edhe pjesën e tregut që mbahet nga Alpha Bank, pas bashkimit, OTP do të arrijë të zotërojë rreth 11.3% të totalit të depozitave të tregut. Edhe në depozita, OTP do të ngelej banka e pestë më e madhe në sistem, por me një pjesë tregu të rritur ndjeshëm.
Pas vitit 2015, kriza nxiti një proces konsolidimi dhe përqendrimi të sektorit bankar në Shqipëri. Numri i bankave tregtare zbriti në 16 nga 12, pas shkrirjes së Veneto Banka me Intesa Sanpaolo, të NBG Bank me ABI Bank, të Bankës Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank dhe daljes nga tregu të Bankës së Kreditit të Shqipërisë.
Në raste krizash, përqendrimi është një proces i zakonshëm në tregjet bankare, që ka si synim krijimin e bankave më të mëdha dhe më të forta financiarisht. Në teori, ulja e numrit të bankave mund të ndikojë në pakësimin e konkurrencës në treg.
Në praktikë dhe sidomos në momente krizash, ndodh më shpesh e kundërta, sepse bankat që dalin nga tregu nuk janë shumë konkurruese, ndërsa bankat më të mëdha që krijohen mund të jenë më solide, më të gatshme për të marrë përsipër rrezik, duke i dhënë më shumë shtysë konkurrencës.
Mënyra më e zakonshme për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500.
Nga llogaritjet e “Monitor”, mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, rezulton se indeksi HHI është poshtë nivelit të 1500 për totalin e aktiveve, për kreditë dhe depozitat.
Madje, treguesit HHI për 2021 pësuan rënie për të dytin vit radhazi. Vitin e kaluar, rënia më e madhe u shënua në indeksin HHI sipas totalit të aktiveve. Ndërkohë, kredia vazhdon të jetë tregu me nivelin më të ulët të përqendrimit (rreth 1170), çka në teori e portretizon si indikatorin ku tregu është më kompetitiv.
Kjo i detyrohet sidomos konkurrencës në rritje nga bankat e mesme të sektorit, që në vitet e fundit po fitojnë më shumë pjesë tregu. /E.Shehu
GRAFIK, Indeksi HHI i matur për treguesit kryesorë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.