Parametrat e likuiditetit të sektorit bankar u rritën lehtë në muajin gusht dhe ngelen në nivele shumë më të larta se kërkesat minimale rregullatore. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti mes aktiveve likuide dhe pasiveve afatshkurtra u rrit në 46.1%, nga 45.8% që ishte për korrikun.
Ky raport treguesi bazë rregullator i likuiditetit të bankave dhe niveli minimal i kërkuar nga Banka e Shqipërisë është 20%. Qëllimi i këtij pragu është që banka të disponojë në çdo kohë mjete të mjaftueshme likuide për t’iu përgjigjur tërheqjeve të mundshme. Megjithëse, luhatjet mujore mund të shkojnë në rendin e disa pikë përqindje, ky tregues është në vazhdimësi mbi dy herë më i lartë se niveli i kërkuar rregullator.
Ai nuk pësoi ndonjë luhatje as gjatë muajve që shënuan pikun e krizës së Covid-19, madje ishte edhe më i lartë. Në vija të përgjithshme, kjo qëndrueshmëri u përcaktua nga vazhdimi i rritjes së depozitave, por edhe nga ngadalësimi i kredisë dhe rritja e alokimit të fondeve të bankave në aktive likuide.
Si aktive likuide klasifikohen gjendja e arkës, llogaritë me Bankën e Shqipërisë, me institucionet e tjera financiare, dhe pjesa më e madhe e titujve të borxhit publik, që regjistrohen në bilanc si të tregtueshëm, ndërsa detyrime afatshkurtra janë ato me maturim deri në një vit.
Sektori bankar shqiptar është mjaft likuid sepse vetëm një pakicë e depozitave dhe detyrimeve të tjera janë dhënë kredi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht, raporti mes kredive dhe depozitave totale ishte më pak se 48%. Aktivet e tjera, që në pjesë më të madhe konsiderohen likuide, kryesisht letra me vlerë apo vendosjet me bankat e huaja dhe me Bankën e Shqipërisë, kanë një peshë më të lartë në bilance.
Kjo strukturë e aktiveve e kompenson në masë të mjaftueshme tendencën e viteve të fundit për zhvendosjen e depozitave drejt formave likuide, kryesisht në depozita pa afat, për shkak të normave të ulëta historike të interesit. Sektori bankar shqiptar ka aktualisht rreth 1.24 trilionë lekë depozita të publikut dhe ato janë burimi kryesor i mbështetjes së ndërmjetësimit financiar nga bankat tregtare./Ersuin Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.