Të dhënat e para, të paaudituara, tregojnë se sistemi bankar arriti fitim rekord vitin e kaluar, sipas standardeve IFRS. Megjithatë, ekspertët mendojnë se rezultatet duhen lexuar me rezerva dhe për disa banka, fitimet mund të jenë të mbivlerësuara
Sektori bankar arriti fitim rekord në vitin 2022. Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) arriti në 23.8 miliardë lekë, më i larti i regjistruar ndonjëherë. Fitimi i sistemit është rritur me 25%, krahasuar me vitin 2021.
Rritja e fitimeve të sektorit bankar u ndikua nga vijimësia e zgjerimit të aktiveve dhe sidomos të portofolit të kredisë, ruajtja e cilësisë së portofolit të huasë, por edhe nga efekti, kryesisht pozitiv, që solli në bilance, rritja e shpejtë e normave të interesit vitin e kaluar.
Portofoli neto i kredisë, i matur gjithnjë me standardet IFRS, arriti në pothuajse 692 miliardë lekë, me rritje vjetore 6.8%. Ndërsa raporti i kredive me probleme (i vlerësuar sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë) në fund të vitit të kaluar ra në 5%, niveli më i ulët në 14 vitet e fundit.
Në fakt, ekspertët mendonin se rezultati financiar i sektorit mund të pësonte një lloj ngadalësimi në tremujorin e fundit, kryesisht për shkak të rritjes së mundshme të provigjioneve, e lidhur me përkeqësimin e pritshëm të parametrave makroekonomikë gjatë vitit 2023.
Megjithëse të dhënat e provigjioneve, sipas IFRS, nuk raportohen, nëse shohim rezultatet e tremujorit të katërt 2022, bankat kanë shënuar fitime më të larta kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar (4.8 miliardë lekë, nga 3.5 miliardë lekë në tremujorin e katërt 2021). Ky mund të jetë një tregues se provigjionimi i kredive nuk ka qenë shumë i lartë dhe se bankat nuk presin përkeqësim serioz të cilësisë së portofolit të kredisë.
Megjithatë, ekspertët e sektorit bankar mendojnë se rezultatet e vitit 2022, ende të paaudituara, duhen lexuar me rezerva. Sipas tyre, disa prej bankave vitin e kaluar kryen zhvendosje të instrumenteve financiare mes zërave të ndryshëm të bilancit, për të zbutur efektin e rritjes së normave të interesit dhe yield-eve.
Këto operacione konsistuan kryesisht në zhvendosjen e letrave me vlerë të borxhit nga kategoria “të vlefshme për shitje” në atë “të mbajtura deri në maturim”.
Për këtë arsye, fitimet e këtyre bankave mund të jenë të mbivlerësuara dhe duhet pritur publikimi i bilanceve të audituara, për të kuptuar nëse, në opinionin e auditëve, zhvendosjet e kryera janë bërë në mënyrë korrekte dhe në përputhje me parashikimet e standardit përkatës të raportimit financiar.
Tre banka marrin 69% të fitimit të sektorit
Për të dytin vit radhazi, të gjitha bankat aktive në treg e mbyllën vitin financiar me fitim, madje disa prej tyre kanë arritur fitimet më të larta në historinë e aktivitetit të tyre.
Në vlerë absolute, banka me vlerën më të madhe të fitimeve mbetet Banka Kombëtare Tregtare (BKT), për një vlerë totale prej 9.47 miliardë lekësh, në rritje me 19.4% krahasuar me një vit më parë. Pjesa e lartë e tregut duket se i jep BKT (zotëronte 26.2% të aktiveve të sistemit në fund të 2022) avantazh të konsiderueshëm në këndvështrimin e performancës. Fitimi neto i BKT përbën pothuajse 40% të fitimit total të raportuar nga sektori bankar për vitin 2022.
Banka e dytë për nga vlera e fitimit vjetor renditet Raiffeisen Bank, me fitim neto në vlerën e 3.84 miliardë lekëve, 11.6% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Banka OTP Albania ka ruajtur, edhe këtë vit, tendencën në rritje të rezultatit financiar, edhe pas bashkimit ligjor me Alpha Bank Albania. Për vitin 2022, OTP Albania ka arritur fitim rekord prej 3.15 miliardë lekësh, në rritje me 64.9% krahasuar me vitin 2021.
Së bashku, BKT, Raiffeisen dhe OTP kanë mbledhur së bashku më shumë se 69% të të gjithë fitimit neto të sistemit vitin e kaluar.
Banka e katërt për nga vlera e fitimit neto renditet Banka Amerikane e Investimeve, me rezultat neto në vlerën e 1.8 miliardë lekëve, me rritje 24.5% krahasuar me një vit më parë.
E pesta renditet Banka Intesa Sanpaolo Albania, me fitim neto 1.29 miliardë lekë, në rritje me 148% krahasuar me një vit më parë.
Vijon Credins Bank, që ka raportuar fitim prej 1.16 miliardë lekësh, rezultat në rënie të lehtë me 1.3% krahasuar me vitin 2021.
Banka e fundit që ka regjistruar një fitim sipër nivelit të 1 miliard lekëve është Tirana Bank. Banka e grupit Balfin raportoi një rezultat prej 1.05 miliardë lekësh, në rritje me 18.1% krahasuar me një vit më parë.
Union Bank e mbylli vitin 2022 me rezultat neto në vlerën e 921 milionë lekëve, në rritje me 5.3% krahasuar me vitin 2021.
Vijon Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me fitim neto 879 milionë lekë, në rritje vjetore me 43%. Edhe për Fibank, ky është fitimi më i lartë historik në aktivitetin e bankës me kapital bullgar në Shqipëri.
Rezultat pozitiv ka arritur edhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), në vlerën e 132 milionë lekëve, rezultat 4.7 herë më i lartë krahasuar me vitin 2021. Rezultatet e UBA raportohen sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë, ndërsa të dhënat sipas IFRS nuk janë publikuar ende.
ProCredit Bank Albania, vitin e kaluar, raportoi fitim prej 117 milionë lekësh, në rritje me 54% krahasuar me vitin 2021.
Rentabiliteti, rritet numri i bankave me kthime dyshifrore
Rritja e rezultatit financiar është reflektuar edhe në treguesit e rentabilitetit të sektorit bankar. Kthimi mesatar nga kapitali për 2022 arriti nivelin e 14.25%, nga 11.32% një vit më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet u rrit në nivelin 1.3%, nga 1.13% një vit më parë.
Rentabiliteti i sektorit bankar ka arritur nivele më të larta edhe në raport me periudhën para pandemisë, faktor që dëshmon ecurinë mjaft pozitive të sektorit, sidomos në dy vitet e fundit.
Megjithatë, përkundrejt fitimeve rekord në vlerë absolute, treguesit relativë të kthimit nga kapitali janë frenuar disi nga rritja progresive e kërkesave për kapital nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga disa kufizime të pjesshme të aplikuara në vitet e fundit për shpërndarjen e dividendëve.
Kuadri rregullator i viteve të fundit ka një lloj efekti frenues në sigurimin e kthimeve të dëshiruara nga kapitali, por sidoqoftë disa banka të veçanta kanë kthime ndjeshëm më të mira se mesatarja e sistemit. Numri i bankave, që kanë siguruar kthim nga kapitali në nivele dyshifrore, këtë vit ka arritur në tetë, nga gjashtë që kishte qenë numri i tyre në vitin 2021.
Vitin e kaluar, banka me kthimin më të lartë nga kapitali ishte për të katërtin vit radhazi OTP Albania, me 27.25%, e ndjekur nga Fibank Albania me 21.57%, BKT me 20.2%, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) me 17.72%, Union Bank me 14.47%, Raiffeisen Bank me 14.04%, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 11.91% dhe Tirana Bank me 10.75%. Edhe bankat e tjera kanë raportuar kthime pozitive në nivele njëshifrore.
Në vitet e fundit, një grup bankash i përmasave të mesme po shfaqin performancë dhe rentabilitet në rritje. Procesi i konsolidimit të sektorit bankar duket se ka ndikuar në rritjen e eficiencës dhe përfitueshmërisë së disa prej bankave, element që mund t’i bëjë këto banka më konkurruese në afatin e gjatë. /Ersuin Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.