Aktivet e sektorit bankar në mesin e këtij viti kaluan vlerën e 1.8 trilionë Lekëve ose rreth 15 miliardë Eurove.
Të dhënat paraprake nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se sektori është zgjeruar me 1.4% që nga fillimi i vitit dhe me 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shifrat tregojnë se rritja e sektorit ka vijuar edhe në gjysmën e parë të këtij viti, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, kryesisht për shkak të ritmeve më të ulëta të rritjes së depozitave. Edhe të dhënat me IFRS tregojnë se bankat po vijojnë të jenë kryesisht të orientuara drejt huadhënies, ndërsa investimet në letra me vlerë kanë pësuar rënie krahasuar me fillimin e vitit.
Portofoli neto i huasë në mesin e këtij viti arriti vlerën e 679 miliardë lekëve, në rritje me 13.3% krahasuar me një vit më parë dhe me 4.9% që nga fillimi i vitit.
Ndërkohë, investimet në letra me vlerë në fund të qershorit kishin vlerën e 648 miliardë Lekëve, 4.5% më shumë krahasuar me një vit më parë, por në rënie me 2.8% që nga fillimi i këtij viti. Rritja e shpejtë e normave të interesit ka shkaktuar zhvlerësimin e instrumenteve financiare të bankave dhe kjo është reflektuar edhe në një rënie të vlerës së tyre në bilancet e bankave.
Për sa i takon ndarjes së tregut, zhvillimi më i dukshëm është rënia e ndjeshme e pjesës së tregut të Alpha Bank, e cila duke qenë në proces shitjeje që nga vera e kaluar e ka stopuar rritjen e biznesit dhe në mesin e këtij viti zotëronte vetëm 4% të tregut, nga 4.8% që mbante një vit më parë.
Banka Kombëtare Tregtare ishte banka më e madhe në mesin e këtij viti, me një total aktivesh prej 469 miliardë Lekësh, ose 25.9% të tregut. Pjesa e tregut e BKT është rritur lehtë nga niveli 25.8% i një viti më parë.
Credins qëndron e dyta për nga madhësia, me një total aktivesh prej 287 miliardë Lekësh ose 15.9% të tregut, në rritje nga niveli 15.7% që zotëronte në mesin e vitit të kaluar. Credins ngelet edhe këtë vit banka më e madhe huadhënëse e ekonomisë shqiptare, me 19.3% të portofolit, në rritje të mëtejshme nga niveli 19.1% i një viti më parë.
Raiffeisen Bank po vazhdon edhe këtë vit një cikël revanshi, duke rifituar gradualisht pjesë tregu. Në fund të qershorit, Raiffeisen zotëronte 15.2% të aktiveve të tregut, nga 14.8% që mbante një vit më parë.
Në rënie ngelet Intesa Sanpaolo, me 11.3% të tregut, nga 11.9% në mesin e vitit 2021. Vazhdon rritjen OTP Albania që në mesin e këtij viti arriti në 6.5% të aktiveve të tregut, nga 6.1% një vit më parë. Duke shtuar edhe aktivet e Alpha Bank, pjesa e tregut të OTP vlerësohet në afërsisht 10.5%. Pritet që bashkimi ligjor mes dy bankave të mbyllet në fundin e këtij viti.
Tirana Bank dhe Union Bank po fitojnë terren në treg edhe këtë vit. Banka e grupit Balfin në fund të qershorit zotëronte 5.8% të tregut (nga 5.5% një vit më parë), ndërsa banka tjetër me kapital shqiptar, Union Bank, në zotëronte 4.7% të tregut (nga 4.6%) një vit më parë.
Në rënie paraqitet pjesa e tregut të Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank), që në fund të qershorit zbriti në 5.3% (nga 5.5%) një vit më parë dhe ProCredit Bank (2.3% nga 2.2% një vit më parë). Fibank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) kanë një pjesë tregu të njëjtë me një vit më parë, përkatësisht 2.4% dhe 0.7%./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.