Sektori bankar po vijon rritjen, por me ritme më të ngadalësuara krahasuar me vitin e kaluar.
Treguesit e paaudituara financiarë të publikuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) tregojnë se totali ui aktiveve të sektorit në fund të 9-mujorit 2022 arriti në pothuajse 1.87 trilionë lekë, në rritje me 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, ritmi i rritjes vjetore të sektorit bankar paraqitet më i ngadaltë krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kur aktivet e sektorit bankar ishin rritur me 11.75%.
Ngadalësimi i rritjes së sektorit bankar mund t’i atribuohet kryesisht frenimit në ritmin e rritjes së depozitave, që përbëjnë edhe burimin kryesor të ndërmjetësimit të financiar të sektorit bankar shqiptar. Sipas statistikave të raportuara nga bankat, depozitat në fund të shtatorit shënuan një rritje vjetore me 8.7%, ndërkohë që për vitin 2021 rritja e depozitave kishte qenë 11.9%. Frenimi i rritjes së depozitave, sidomos të atyre në lekë, është një tregues i tërthortë i efekteve të inflacionit në bilancet familjare. Rritja e çmimeve, me sa duket, ka ulur aftësinë e familjeve për të kursyer. Ndërkohë, edhe rritja e shpejtë e yield-eve të bonove të thesarit gjatë këtij viti mund t’i ketë bërë këto instrumente më tërhehqëse në raport me depozitat, duke ndikuar në një rritje më të ngadaltë të tyre.
Kjo tregon se rritja e çmimeve po jep disa efekte edhe në aktivitetin e sektorit bankar, megjithëse këto efekte nuk kanë prekur indikatorët më të rëndësishëm, ata të lidhur me kredidhënien dhe përfitueshmërinë.
Pavarësisht se rritja e aktiveve të sektorit ka qenë më e ngadaltë, bankat kanë vijuar të rrisin kreditimin me ritme të larta. Portofoli neto i kredisë ka arritur në 699 miliardë lekë, në rritje me 13.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e kredisë paraqitet madje më e përshpejtuar krahasuar me vitin e kaluar, kur portofoli neto i kredisë ishte rritur me 11.1%. Kjo tregon se bankat kanë vijuar të rrisin huadhënien, pavarësisht rreziqeve në rritje të lidhura me inflacionin e lartë dhe rritjen e shpejtë të normave të interesit.
Rritja më e ngadaltë e depozitave është transferuar kryesisht tek klasat me risk të ulët të aktiveve. Vendosjet në bankat e tjera kanë pësuar rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, ndërsa vlera e insturmenteve financiare (letra me vlerë të borxhit) është rritur me 6.5%, nga 18% që kishte qenë rritja e tyre në fund të vitit të kaluar.
Tirana Bank, UBA dhe Raiffeisen me rritjen më të lartë
Shumica e bankave tregtare po vijojnë rritjen edhe gjatë këtij viti, madje një pjesë e mirë e tyre në nivele dyshifrore. Të dhënat e paaudituara tregojnë se banka me normën më të lartë të rritjes vjetore të aktiveve është Tirana Bank, me 17.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është përkthyer edhe në një rritje të ndjeshme në pjesën e saj të tregut, që ka arritur në 6%, nga 5.4% që kishte qenë një vit më parë.
Banka e dytë me rritjen më të lartë është Banka e Bashkuar e Shqipërisë, me 15.7% krahasuar me një vit më parë. UBA ndodhet në fazën e kalimit të kontrollit nga Banka Islamike për Zhvillim te kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig, pasi blerësi arriti të marrë më në fund miratimin me kushte nga Banka e Shqipërisë më herët gjatë këtij viti. Megjithatë, pjesa e tregut e UBA ngelet ende modeste, me 0.7% të totalit të aktiveve, po aq san ë fund të vitit 2021.
Vijon Raiffeisen bank, që raportn një rritje vjetore të aktiveve në masën 14.7%. Pas afërsisht një dekade rënieje në tregun shqiptar, në dy vitet e fundit Raiffeisen i është kthyer një cikli rritës në dy vitet e fundit. Këtë vit, Raiffeisen e ka rritur ndjeshëm pjesën e tregut në 15.6%, nga 15.3% që mbante në fund të vitit të kaluar. Megjithë zërave këmbëngulës që qarkulluan këtë vit për një shitje të mundshme të Raiffeisen Bank, rritja e bankës ka vijuar me ritme të qëndrueshme, ndërsa muajin e kaluar grupi austriak bëri të ditur vendimin për të mos e shitur bankën, duke konfirmuar angazhimin për të qëndruar në Shqipëri.
Rritje e ritme dyshfirore vazhdon të raportojë edhe Banka OTP Albania, me 13.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Banka me kapital hungarez zotëron tashmë 6.5% të tregut (nga 6.4% një vit më parë) dhe brenda këtij viti pritet të bashkohet me Alpha Bank Albania, pasi finalizoi blerjen e bankës së fundit greke në Shqipëri, në korrik të këtij viti. Bashkimi me Alpha Bank pritet ta çojë pjesën e tregut të OTP Albania në 10.4%. Alpha Bank është e vetmja bankë me rënie të vlerës së aktiveve këtë vit, tendencë kjo e lidhur me shitjen e bankës dhe tranzicionin drejt shkrirjes me OTP, që ka frenuar rritjen e biznesit.
Ritme të larta të rritjes së aktiveve, sipër mesatares së sektorit, kanë shënuar edhe Union Bank, me 9.9%, Fibank, me 8.4% dhe Credins Bank, me 7.8%.
Më tej, vijon Banka Kombëtare Tregtare, me 7.2%, Banka Amerikane e Investimeve, me 5.9%, ProCredit Bank, me 4.2% dhe Intesa Sanpaolo Albania, me një rritje modeste prej 0.5%./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.