Sektori bankar rriti më tej investimin në Eurobondet e qeverisë shqiptare vitin e kaluar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se letrat me vlerë në valutë të huaj të qeverisë shqiptare në bilancin e sektorit bankar arritën vlerën e 79.8 miliardë lekëve në fund të dhjetorit. Krahasuar me një vit më parë, vlera e këtyre aseteve është rritur me 13.7%.
Eurobondi i fundit i qeverisë shqiptare u emetua në nëntor të vitit 2021 dhe bankat vendase ishin ndër subjektet më të interesuara. Sipas burimeve nga tregu, bankat blenë rreth 7% deri në 8% të Eurobondit prej 650 milionë eurosh në emetim, por në vijim vazhduan ta rrisin investimin, nëpërmjet blerjeve në tregun dytësor.
Zgjerimi i këtyre investimeve ka sjellë një rritje të mëtejshme të peshës së tyre në bilancin e sektorit bankar. Instrumentet e borxhit qeveritar në valutë në fund të vitit 2022 përbënin 4.2% të aktiveve totale të sektorit, nga 3.9% që ishte pesha e tyre specifike një vit më parë.
Ndërkohë, duke përfshirë edhe letrat e borxhit në lekë, ekspozimi total i sektorit bankar ndaj qeverisë shqiptare ka arritur në 26.6% të vlerë totale të aktiveve, nga 26.3% një vit më parë.
Instrumentet e borxhit në valutë të qeverisë shqiptare kanë tërhequr një interes në rritje të sektorit bankar shqiptar në vitet e fundit, për disa arsye. Investimi në këto instrumente ka ofruar kthime të kënaqshme, përgjatë një periudhë kur normat e interesit për monedhën euro kanë qenë shumë të ulëta.
Në vitet e fundit, investimi në këto instrumente është favorizuar edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë, që e ka njohur investimin në dy emetimet e fundit të eurobondeve me koeficient rreziku zero, për efekt të llogaritjes së raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Rrjedhimisht, investimi në eurobonde nuk ka pasur kosto kapitali për bankat, duke e bërë atë edhe më tërheqës.
Rritja e lartë e depozitave në valutë gjatë viteve të fundit ka krijuar sasi të konsiderueshme likuiditetesh të lira për bankat. Në dhjetor të vitit të kaluar, depozitat në euro rezultuan në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë dhe 38% më shumë krahasuar me dy vite më parë.
Nga ana tjetër, kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë tenton ta bëjë më të kushtueshëm kreditimin në valutë të huaj për subjektet me të ardhura në lekë, çka i kufizon hapësirat e rritjes së kredisë në euro për sektorin privat shqiptar. Në këtë mënyrë, Eurobondet kanë shërbyer edhe si një instrument për thithjen e likuiditeteve të lira të sektorit bankar në vend.
Pritet që qeveria shqiptare të emetojë një Eurobond të ri gjatë këtij viti dhe pritet që bankat tregtare në vend të jenë sërish ndër investitorët më të interesuar.
Megjithatë, në një masë të madhe interesi i tyre do të varet nga qasja që do të ndjekë Banka e Shqipërisë. Duke filluar nga viti 2022, investimet e bankave në emetimet e reja të Eurobondeve të qeverisë shqiptare do të njihen me peshë rreziku 100%, duke i bërë më të kushtueshme në terma të mbulimit me kapital. Nëse Banka e Shqipërisë nuk do të vendosë përjashtime të reja për të lehtësuar pjesëmarrjen, me shumë mundësi investimi i bankave në emetimin e këtij viti do të jetë ndjeshëm më i ulët.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.