Nënçmimi i Euros në këmbim me Lekun, rritja e kostove nga paga minimale dhe frenimi i kërkesës në tregjet e huaja ka përkeqësuar të ardhurat në sektorin e industrisë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, të ardhurat në bizneset e prodhimit të këpucëve shënuan rënie vjetore me 12.7% sipas krahasimit të indeksit të shitjeve në vlerë.
Situata ishte pak më pozitive në fabrikat e veshjeve, ku indeksi i shitjeve në vlerë shënoi rritje vjetore 3.2% në tremujorin e dytë.
Sektorë të tjerë të industrisë përpunuese ishin me rënie të fortë të të ardhurave.
Fabrikat e prodhimit dhe përpunimit të drurit shënuan rënie vjetore me 12.5% të indeksit të shitjeve në vlerë në prill-qershor 2023 dhe po në të njëjtën përqindje shënuan rënie edhe fabrikat e prodhimit dhe përpunimit të letrës.
Bizneset në sektorin e prodhimit po kalojnë një periudhë të vështirë prej nënçmimit drastik të Euros në këmbim me Lekun këtë vit.
Një njërin anë, humbjet nga kursi i këmbimit dhe në tjetrën, rritja e pagës minimale po i bëjnë prodhimet shqiptare për eksportet jokonkurruese në tregjet ndërkombëtare. Humbjet nga kursi i këmbimit kapën 10% të xhiros në muaj të caktuar të vitit 2023, ndërsa paga minimale nga 32 mijë lekë në prill 2022 arriti në 40 mijë lekë në prill 2023.
Përkeqësimi i sektorit të prodhimit dha ndikime negative edhe në punësim. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 3-mujorin e dytë, punësimi në sektorin e industrisë shënoi rënie me 2,7% për të dytin tremujor radhazi.
Punësimi në bizneset e industrisë hyri në krizë që në që tremujorin e tretë të vitit 2022 ku rënia nisi me 0.2% pas një rritje me rreth 7% gjatë gjithë vitit.
Përveç këtyre vështirësive, sektori i industrisë po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për shkak të kushteve më të vështira dhe pagave rreth niveleve minimale, punonjësit e industrisë po zhvendosen drejt sektorëve të tjerë me paga me të lartë.
Ngjarjet pas luftës në Ukrainë përveç çmimeve të larta kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit në Europë dhe tashmë shumë klientë europian po kërkojë të zhvendosin prodhimin në vende të tjera si Uzbekistani, India dhe Afrika e Veriut.
Kjo tendencë ka bërë që të ulen porositë në fabrikat shqiptare duke bërë që disa nënkontraktorë në industrinë e tekstilit të këpucëve të falimentojnë./B.Hoxha

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.