Sektori i ndërtimit mbahet nga pallatet në Tiranë, mbaron efekti i TAP dhe HEC-ve në Devoll

17/11/2019 11:01 PM 0 komente

Sektori i ndërtimit i cili kaloi në zhvillim të vrullshëm pas vitit të 2015 i nxitur nga investimet në projektet e mëdha të energjisë, gazsjellësi TAP dhe investimet, ka ndalur ritmet e zgjerimit , teksa sektori po mbahet nga ndërtimet e banesave dhe hoteleve në Tiranë.

Banka e Shqipërisë në një analizë të fundit për zhvillimet ekonomike raportoi sektori i ndërtimit shënoi rënie në tremujorin e dytë. Më konkretisht, vlera e shtuar në ndërtim ra me 1.7% në terma vjetorë, pas rritjes me 6.1% një tremujor më parë.

Analiza sugjeron se rënia është krijuar fluksi më i ulët i investimeve publike dhe një masë më e ulët punimesh inxhinierike.  

Por dinamika e sektorit të ndërtimit vlerësohet të kthejë lehtësisht kahun në tremujorin e tretë të vitit 2019. Numri i lejeve të ndërtimit të akorduara në total për ndërtesa të reja rezultoi 310 në tremujorin e dytë, nga 270 leje të njëjtën periudhë një vit më parë.

Rritja vjetore e këtij treguesi, pasqyroi kryesisht akordimin e një numri më të madh lejesh ndërtimi për ndërtesa të tjera (si hotele, ndërtesa për zyra, ndërtesa tregtare, industriale e të tjera). Edhe numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa për qëllime banimi shënoi rritje. 

Nga njëra anë, prirja rritëse e numrit të miratuar të lejeve të ndërtimit mbështet ecurinë pozitive të sektorit. Nga ana tjetër, rënia e treguesit të besimit dhe e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim, vijimi i efekteve frenuese nga projekti TAP për aktivitetin ndërtues, si edhe baza e lartë krahasuese e një viti më parë janë faktorë me veprim ngadalësues për rritjen e sektorit.

Shitjet neto në vëlli, ranë  me 1.8% në terma vjetorë në tremujorin e dytë 2019 pas rritjes me 4.4% një tremujor  më parë.

Sektori i ndërtimit zë një pjesë të konsiderueshme të investimeve në Ballkan, por struktura e investimeve në ndërtim ndryshon nga njëri vend në tjetrin.

Një studim i fundit nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare për investimet në Rajonin e Ballkanit gjeti se  nënkategoria e ndërtesave dhe strukturave të tjera zë pjesën më të madhe në sektorin e ndërtimit në rajon. Por teksa në Maqedoni, Serbi, Bosnjë godinat përfaqësojnë fabrika dhe kapanonet e magazinimit për llogari të biznesit në Shqipëri sektori i ndërtimit në më shumë se gjysmën e tij dominohet nga investime në banesa për rezidentët.

Investimet në kapanone dhe në fabrika zunë 71 për qind të investimeve në ndërtim për vitin 2017 në Maqedoni, 95 për qind në Bosnjë. Vetëm në Shqipëri kjo nënkategori zë më pak se gjysmën e investimeve në ndërtim. Studimi vë në dukje se në Shqipëri ndërtesat rezidenciale private zënë një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve të ndërtimit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of