Pas përgjysmimit gjatë viteve të fundit, sektori grek i ndërtimit ka vendosur shpresat e tij për shpëtim në një investim të ngjashëm ose edhe më të madh se ai para Lojërave Olimpike 2004.
Profesionistët e tregut vlerësojnë se fondet që shkojnë deri në 40-50 miliardë euro mund të vihen në lëvizje këtë dekadë për realizimin e projekteve të infrastrukturës, dhjetëra partneritet publik-privat (PPP) dhe punëve të zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe investimeve të ndryshme private. Në një vit llogariten 4-5 miliardë euro investime.
Këto fonde do të vijnë së pari nga fondi i rimëkëmbjes së Bashkimit Europian, nga i cili pjesa e Greqisë vlerësohet të jetë 32 miliardë euro, pastaj nga Korniza e re Financiare Shumëvjecare 2021-27 (e njohur në Greqi si ESPA), nga e cila pritet të fitojë më shumë se 20 miliardë euro, si dhe nga kapitali privat nëpërmjet instrumenteve të financimit nga bankat dhe institucionet vendase siç janë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Banka Evropiane e Investimeve (EIB).
Për momentin, përqendrimi është në investimet e PPP-ve që tashmë janë duke u zhvilluar në formën e projekteve ndërtimore dhe rrugore siç janë autostrada e Kretës Veriore dhe autostrada Kalamata-Pylos, ndër të tjera.
Ndërtimi i modernizimit të ndërtesave është tema kryesore e propozimeve të Komisionit Europian për fondin e rimëkëmbjes. Në total parashikohet përdorimi i një fondi prej 110 miliardë eurosh në vit në të gjithë Bashkimin Europian (në formë të subvencioneve, kredive, kapitalit privat, garancisë etj) që vendet anëtare mund ti përthithin për të bërë përmirësime të energjisë në ndërtesa.
Fondi i rimëkëmbjes gjithashtu do të promovojë projekte në sektorin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Mbi të gjitha, sektori i ndërtimit po pret zhvillimin e njësive të administrimit të mbetjeve, të cilat do të tërheqin si ndërtuesit e projekteve publike ashtu edhe ndërmarrjet e ndërtimit.
“Kriza e shkaktuar nga pandemia ka funksionuar si një lloj thirrje zgjimi për Europën, në mënyrë që të lëvrojë sasi të mëdha fondesh dhe të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj projekteve të infrastrukturës duke miratuar një politikë fiskale më fleksibël edhe për Greqinë,” deklaroi Christos Ioannou, kreu i firmës së ndërtimit Avax./Kathimerini