Industria do të rritej me 30% në rast se do të negocioheshin kuotat
Flet Mark Babani, drejtues i kompanisë “Mare Adriatica”
Kuotat vjetore për eksportin e peshkut të konservuar do të jenë edhe në vitin 2019 sfida kryesore e industrisë së përpunimit të peshkut në vend. I gjithë sektori ka një peshë të konsiderueshme në punësim dhe është një nga grupet kryesore të eksportuesve të produkteve agroushqimore.
Sipas të dhënave zyrtare, industria eksporton rreth 6000 tonë produkt të përpunuar, ku thuajse gjysma e tyre (2500 tonë) janë produkt i peshkut açuge.
Prej tyre, 1600 tonë, sa ç’është edhe kuota e lejuar e eksportit drejt vendeve të BE-së pa tarifë, shkon si produkt i gatshëm, me etiketë “Made in Albania”, ndërkohë që kapacitetet përpunuese të tyre janë shumë më të larta. Pjesën tjetër, kompanitë shqiptare e çojnë si produkt gjysmë të gatshëm, pasi nëse do të shkonte si produkt i gatshëm do të paguante taksë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, eksportet për industrinë e peshkimit në 2017-n ishin 83 milionë euro, me një zgjerim prej 20% në krahasim me një vit më parë.
Si ka qenë ecuria e peshkimit për industrinë e përpunimit të peshkut?
Industria e përpunimit të peshkut në vitin 2018 ka qenë në zgjerim pavarësisht problematikës së sektorit tonë. Kompania “Mare Adriatica” ka shënuar rritje 35-40% të eksporteve në vitin 2018. Por industria nuk po e shfrytëzon plotësisht kapacitetin e saj përpunues dhe eksportues. Kuotat, të cilat janë shumë më të ulëta se kapaciteti i sektorit, mbeten problematike.
Në rast se do të ishte finalizuar negocimi i kuotave, e gjithë industria do të ishte rritur 25-30%. Për mendimin tim, zgjidhja e kuotave është për shkak të neglizhencës së këtij problemi. Kuotat për açuge të përgatitura ose të ruajtura në vend janë 1600 tonë dhe mbi këtë kuotë taksohen 25% të vlerës.
Ndërsa kapaciteti shqiptar i përpunimit shkon deri në 4000-4500 tonë në vit dhe përfshin më shumë se 2800 punonjës. Sektori, deri më tani, ka investuar rreth 39 milionë euro. Heqja e kuotave të eksportit për açuge të përgatitura ose të ruajtura dhe sardelet do të mbështesë rritjen ekonomike dhe punësimin në vend. Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.
Cili ishte efekti që pati kursi i këmbimit gjatë këtij viti dhe çfarë masash keni marrë për vitin që do të vijë, nëse leku vijon të mbetet kaq i fortë përkundrejt monedhave?
Çdo muaj, kompania “Mare Adriatica” humbet prej kursit të këmbimit rreth 30 mijë euro, për shkak të nënçmimit të euros. Për fat të keq eksportuesit nuk kanë asgjë në dorë për t’u mbrojtur nga nënçmimi i valutave. Përpjekja jonë e vetme ka qenë rritja e çmimit, por kjo nuk ka rezultuar një masë efikase. Rritja e çmimit nuk ka qenë më e lartë se 3% dhe kjo nuk mund të amortizojë të gjithë humbjen tonë. Për shkak të rritjes, ne kemi humbur dhe një klient, që do të thotë se në vazhdim nuk mund ta rrisim çmimin.
Në përgjithësi, kompanitë i kanë kaluar te fitimet e tyre humbjet nga kursi i këmbimit. Investimet në sektor mund të ishin edhe më të mëdha në rast se nuk do të kishim humbje nga zhvlerësimi të euros. Disa nga strategjitë që mund të ndjekim për t’i bërë ballë humbjeve është pagimi i punëtorëve në euro. Por mendoj se edhe kjo nuk do të jetë efikase pasi do të detyrohemi të rrisim pagat e punëtorëve.
Pagat janë një nga zërat tanë kryesorë të shpenzimeve në lekë dhe me forcimin e lekut shpenzimet për paga janë rritur me të njëjtën masë sa është forcuar leku. Ne e blejmë lëndën e parë kryesisht në Europë dhe e marrim në valutë. Aktualisht po përpiqemi ta blejmë pak më lirë lëndën e parë.
Si e prisni vitin 2019?
Në vitin 2019, parashikojmë që të vijojmë zgjerimin. Në fabrikën e re të përpunimit në Tiranë, presim që të zgjerohemi edhe me 100 punëtore të tjera. Në fabrikë janë të punësuara rreth 150 punëtore gra. Ne hasim më shumë vështirësi për gjetjen e punëtoreve gra se me burrat, duke qenë se një pjesë e mirë e tyre punësohen edhe në rrobaqepësitë fason.
Presim të zgjerojmë edhe fabrikën e përpunimit të Shkodrës me një repart të ri, ku do të implementojmë një teknologji të re të përpunimit. Në këtë fabrikë, parashikojmë që brenda prillit të punësojmë rreth 200 burra nga zona e Shkodrës.
Punëtorët që dalin me anije për peshkim janë në përgjithësi të huaj, kryesisht nga Egjipti. E gjithë industria e përpunimit të peshkut punëson mbi 4000 individë dhe rreth 2800 prej tyre janë të lidhur drejtpërdrejt me përpunimin e peshkut të açuges.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.