Në vlerësimin e ecurisë të këtyre viteve për 2020 si rezultat dhe i ngjarjes së jashtëzakonshme në vend, varianti më optimist është një stanjacion, por më shumë mundësi ka që sektori minerar të vijë në rënie. Prodhimi i mineraleve si tonazh do të rritet si rezultat i kërkesës në rritje për materiale ndërtimore, që do të reflektohet për efekt të procesit të rindërtimit, por në sektorët e mineraleve të tjerë, ndikimi do të jetë negativ
Në vitin 2019, industria e përpunimit të bakri shënoi rritje, e nxitur kjo nga rifillimi i punës së koncesionarit Beralb. Por pavarësisht rritjes së prodhimit, çmimet nuk u shfaqën edhe aq premtuese ashtu sikurse ndodhi dhe me kromin. Pozitiv ka qenë vetëm pjesa e nikelit.
Në vitin 2020 sërish pritshmëritë janë për një sektor në stanjacion.
Sokol Mati, konsulent për sektorin minerar dhe njohës i mirë i tij nënvizon se Shqipëria po vuan tendencën globale me kompani, që vëmendjen e kanë drejt megaprojekteve, dhe jo në vende të vogla si i yni. Ai nënvizon se të bësh biznes në këtë sektor është bërë gjithmonë e më e vështirë dhe nuk është më aq fitimprurës sa konceptohet, ndërkohë që ndryshimet fiskale e rregullatorë të shpeshta krijojnë kaos.
Intervista/ Flet Sokol Mati, ekspert për sektorin minerar
Si ishte ecuria e sektorit minerar gjatë vitit 2019? Cilat janë zhvillimet që e përkufizuan? Si ka qenë ecuria e tregjeve dhe çmimeve?
Sektori minerar nga viti në vit po humbet potencialin e tij në ekonominë shqiptare, duke qenë në nivelet e 2-3% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të vendit. Ecuria përgjatë 2019-s ka qenë në nivele pothuajse të njëjta me atë përgjatë këtyre tre viteve të fundit, në një gjendje stanjacioni, me ulje-ngritje përgjatë vitit, pa ndonjë ndikim në ekonominë e vendit, me një perceptim në rritje në drejtim të vështirësisë së të bërit biznes në këtë sektor, vështirësisë së gjetjes së financimeve për të, pa asnjë të re për t’u shënuar në drejtim të shfrytëzimit të burimeve të reja apo mineraleve të rinj.
Përgjatë 2019-s, sipas raportimeve të subjekteve minerare, kanë kryer aktivitetet 588 subjekte minerare, me një numër total punonjësish prej 5,744 persona prej të cilëve në nëntokë 4,383 persona. Prodhimi total i realizuar si 9-mujor është 4,190,449 ton minerale dhe 2,510,250 m3 minerale (ky vlerësim realizohet për faktin se një pjesë e mineraleve si ata ndërtimore raportohen me m3) gjithsesi në total si tonazh prodhimi i 9 mujorit të vitit 2019 është 11,626,903 ton minerale.
Në mënyrë më specifike përgjatë 2019-s, nga raportimet e subjekteve minerare rezulton një rritje e sektorit të bakrit për efekt të rifillimit të punës së koncesionarit të bakrit “Beralb ShA” duke bërë që përgjatë 2019 prodhimi i koncentratit të bakrit të ringrihet me tendencën e arritjes së vlerave të para viteve 2014, kjo domosdoshmërish e kushtëzuar dhe nga ecuria e çmimeve, të cilat për këtë metal megjithëse në dukje premtuese për efektin global të makinave elektrike përgjatë këtij viti, kanë pësuar ulje. Për më tepër kanë pasur një luhatje të madhe të vlerave në periudha shumë të shkurtra kohore, element që krijon stepje të investimeve në sektor, dhe vështirësi të kompanive tona të vogla në tregun global të mineraleve.
Aktualisht çmimi i metalit bakër varion në nivelet e 6050-6100 USD/ton metal Cu, duke qenë poshtë nivelit të kostos, që gjithsesi kompanitë po mundohen ta mbajnë me ndryshime në strategjitë e tyre të prodhimit, si riciklimit të mbetjeve, aktivizimit të objekteve me përmbajtje të lartë si Qaf Bari, Karma, në të cilat u zhvilluan investime përgjatë 2019.
Ecuria e çmimeve të bakrit nga viti 2015 (USD/ton)
Sektori i kromit po vazhdon me ritmin e tonazhit të lartë me përmbajtje të ulët, e kushtëzuar nga mungesa e burimeve të reja, shfrytëzim maksimal me elementë të dobët sigurie të minierave ekzistuese, paaftësia e biznesit për investime të mëdha në kërkim-zbulim të vendburimeve cilësore, investime të munguara në punimet për marrjen e rezervave më të varfra në minierat burimet ekzistuese, të cilat do të shkaktonin një rritje të kostos duke na bërë jokonkurrues dhe për këtë produkt minerar, një element që e kam vënë në dukje përpara disa viteve.
Sot në këtë sektor, gjithsesi biznesi ka filluar të vetë- orientohet drejt përpunimit për mineralet e varfra në nivele deri nën 10% Cr2O3, dhe kjo shihet nga volumi i madh i tonazhit të mineralit të nxjerrë në këto tre vitet e fundit, një tendencë që në krom kushtëzoi ngritjen e shumë fabrikave të pasurimit, që gjithsesi janë me parametra pune shumë larg të qenit optimale, (nivelet e rikuperimit të produktit dhe cilësisë së tij).
Edhe çmimet e kromit metal kanë pasur një luhatje të madhe përgjatë 2019-s, duke arritur tashmë në nivele të ulëta duke bërë që në dy tremujorët e fundit, produkti të qëndrojë stok, duke shkaktuar pothuajse ndalesë të prodhimit në muajt e fund vitit. Aktualisht çmimi i kromit metal është në nivele shumë të ulëta.
Sektori i nikelit, pati një rritje në periudhën kur metalurgjia në Kosovë u bë pjesë e Balfin Goup, por në 2019-n është vënë re një rënie. Çmimet e nikelit përgjatë 2019-s kanë qenë në rritje. Aktualisht çmimi i metalit nikel varion në nivelet e 13,800-14,000 USD/ton metal Ni. Gjithsesi ky është sektori me potencial më të madh, që shpresojmë të zhvillohet në vitet në vazhdim, falë dhe realizimit të një studimi fizibiliteti kohët e fundit për nikelin jug lindor të vendit.
Sektori i mineraleve të tjerë (ndërtimore, dekorative, pllakore), në përgjithësi ka vazhduar me të njëjtat ritme, sidomos pjesa e produkteve të eksportit, të cilat kanë bërë të mundur që të mbajnë krahas kromit, bakrit, e nikelit akoma peshën potenciale të produkteve minerare në produktet ton për eksport.
Pak investime të reja
Optimizmi për të hyrë në tregun e nikelit mund të sjellë investime të reja përgjatë 2020, por në sektorët e tjerë nuk vërej investime të reja kjo dhe për faktin se pak po promovohen, dhe nuk po punohet fare në rivlerësimin e burimeve ekzistuese, apo punë kërkimore për burime të reja.
Si e prisni vitin 2020 për sektorin minerar në vend për çmimet? Po për investimet? Efektet e rindërtimit pas tërmetit a do të kushtëzojnë një rritje të produkteve të materialeve ndërtimore?
Në vlerësimin e ecurisë të këtyre viteve, për 2020-n, si rezultat dhe i ngjarjes së jashtëzakonshme në vend, ecurinë e sektorit në përgjithësi do e parashikoja, më e mira në stanjacion, por në një vlerësim real në rënie. Prodhimi i mineraleve si tonazh do të rritet si rezultat i kërkesës në rritje për materiale ndërtimore që do të reflektohet për efekt të procesit të rindërtimit, por në sektorët e mineraleve të tjerë, ndikimi do të jetë negativ.
Optimizmi për të hyrë në tregun e nikelit mund të sjellë investime të reja përgjatë 2020, por në sektorët e tjerë nuk vërej investime të reja kjo dhe për faktin se pak po promovohen, dhe nuk po punohet fare në rivlerësimin e burimeve ekzistuese apo punë kërkimore për burime të reja.
Perceptimi për sektorin është se fitohet nga veprimtaria minerare, pasi ne kemi qenë dhe jemi një vend minerar, gjithsesi ky perceptim ka pësuar një rënie të lartë, ai po shihet si biznes i vështirë për shumë arsye që lidhen me seri elementesh globalë ( duhet te kemi parasysh që në tre produktet kryesore, krom, bakër, nikel ne jemi në një treg global) si:
-tendenca e investimeve në megaprojektet në rang global sidomos si në Afrikë, Amerikë Latine, Amerikë (Kaliforni për minerale dhe tokat e rralla) ka humbur interesin e investitorëve për objekte të vogla që në përgjithësi janë objektet tona, risqet globale në treg si rezultat i luhatjeve shumë të mëdha të çmimeve të metaleve;
-fondet e mbulimit (hedge funds) dhe abuzimi në bursat e metaleve nga subjekte financiare potenciale po stepin marrjen e vendimeve për investime në këtë sektor;
-tensionet gjeopolitike globale për metalet, lufta tregtare me tarifat ndikojnë në çmimet dhe kostot.
Kompanitë e mëdha po e përballojnë më mirë se kompanitë e vogla këtë situatë të vështirë globale dhe kompanitë tona minerare në një masë pothuaj mbi 97% mund të quhen të vogla për të mos thënë biznes familjar. Pozitiv vërehet vetëm fakti se bakri e nikeli ashtu sikurse platini, paladium, molibdeni dhe tokat e rralla po marrin prioritet për zhvillimin e teknologjisë së lartë dhe makinave elektrike, por për këta dy minerale akoma me kapacitetet tona ne nuk jemi konkurrues në treg, si në aspektin e sasisë ashtu dhe të produkteve minerare që ofrojmë.
Po në kuadrin rregullator, mbikëqyrës apo fiskal cilat kanë qenë ndryshimet që keni vënë re?
Gjithnjë aspektet ligjore kanë efektin e tyre, në shumë raste vlerësoj më shumë ndikim ka shpeshtësia e ndryshimit të legjislacionit, sidomos atij fiskal, se sa dhe vetë përmbajtja e ndryshuar. Ndryshimet fiskale në kuadrin rregullator shumë të shpeshta dhe janë kthyer në një barrë të biznesit tonë të vogël minerar. Është koha që dhe vetë rregullatori i legjislacionit minerar të pakësohet jo të shtohet, me urdhra që shpesh janë në kundërshtim me vetë bazën ligjore të miratuar dhe nuk mund të marrin fuqinë e aktit ligjor të miratuar dhe publikuar në fletoren zyrtare.
Aplikimi i urdhrave administrative si akte ligjore në vend të legjislacionit të miratuar dhe transparent po bëhet mundësi korrupsioni dhe vendimesh arbitrare për të mos shtuar që kemi dhe raste të moszbatimit korrekt të ligjit. Këto vetëm pengojnë dhe amplifikohen në një mjedis të vështirë biznesi siç është rasti i biznesit minerar.
Ndryshimet në legjislacione të tjera të lidhur me biznesin minerar sidomos atij mjedisor në këto vite të pakoordinuara ose të pavlerësuara si duhet nga institucionet minerare kanë krijuar kaos, dhe punë të tensionuar.
Pengesat
Aplikimi i urdhrave administrative si akte ligjore në vend të legjislacionit të miratuar dhe transparent po bëhet mundësi korrupsioni dhe vendimesh arbitrare për të mos shtuar që kemi dhe raste të moszbatimit korrekt të ligjit. Këto vetëm pengojnë dhe amplifikohen në një mjedis të vështirë biznesi siç është rasti i biznesit minerar.
Në drejtim të promovimit të sektorit duhet bërë më shumë jo thjesht në aspektin e publikimit në kohe të zonave minerare në respekt të afateve ligjore, që shihet si një mangësi përgjatë 2019, por dhe në drejtim të një qasje tjetër për veprimtarinë e kërkim-zbulimit. Inteligjenca kompjuterike po gjen hapësire në modelet e reja gjeologjike e minerare me përdorimin e dronëve, GIS, etj por vihet re mungesa e gjeologëve profesionistë dhe në përgjithësi e profesionistëve të vërtetë e të besueshëm në të gjithë sektorin atë minerar, të përpunimit, e metalurgji.
Vështirësitë në gjetjen e rezervave të reja, duhet të reduktohen me një punë më efektive të institucioneve minerare dhe atyre vendore. Marrja e lejeve minerare, sidomos atyre mjedisore, procedura e leje marrjes për produkte të tjerë që përdoren në aktivitet, lejimi nga komuniteti duhet të koordinohen, nëse krijojnë konflikte ligjore, mbivendosje legjislacioni dhe moszbatim korrekt të tij, gjë që e vë biznesin minerar para të papriturave të herëpashershme.
Këto dhe shumë elementë të tjerë të lidhur me vështirësitë në financim, punën joefektive të vetë subjekteve si me mekanizimin, futjen e dixhitalizimit, kanë bërë që kostot të jenë në rritje, të kemi një ulje të produktivitetit, dhe konkurrueshmërisë. Biznesi ynë minerar po ul konkurrueshmerinë globalisht dhe në rajon duke bërë që biznesi minerar megjithëse modest në efektin e tij ekonomik mund të ishte jo thjesht modest por promotor zhvillimi sidomos për zonat rurale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.